Atë e kemi parë si modele, si prezantuese, si një vajzë “rebele” që guxon të thotë hapur atë që shumë pak njerëz do të guxonin të thonin në ekran, kemi parë dhe imazhet e saj herë seksi dhe provokuese. Por për herë të parë prezantuesja e njohur televizive, Einxhel Shkira u shfaq për publikun në një tjetër dimension të jetës së saj, si bijë. Ajo ka prezantuar sot në në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV babain e saj, arkitektin, skenografin dhe piktorin Myzafer Shkira.
Që të dy treguan gjatë bisedës se si raporti i tyre është krejt i veçantë dhe jo si ai tradicional e autoritar i prindit me fëmijën. Arkitekti dhe skenografi Shkira shpjegoi se gjatë rritjes së dy fëmijëve, (të Einxhit dhe djalit Alois) ai i ka kushtuar rëndësi më shumë krijimit të një raporti miqësor në mënyrë që ti lejonte ata të jenë vetvetja.
Që kur kanë qenë të vegjël nuk e kam menduar për atë raportin që kur vjen babi, çdo gjë sistemohet, duhet të thotë ai fjalën e fundit. Gjatë gjithë rritjes, kam qenë shumë afër me ta që Enxhi dhe Aloisi të jenë pjesë e shoqërisë time dhe jo vetëm pjesë e thjesht e trungut të familjes. Doja që ata të kishin vetveten kur ishin me mua. Nuk e kam parë mirërritjen si pjesë të një disipline të fortë, e kam parë shumë liberale. Nuk më ka rezultuar edhe në kohë që autoriteti me këtë lloj formati të ketë qënë pozitiv. Kanë qenë fëmijë me shumë probleme pikërisht për shkak të autoritetit të shtirur të prindërve. Unë Enxhin e dija ku do shkonte, sepse shkoja e çoja, e merrja vetë kur ishte për tu marrë.
Babai i Einxhel, Myzafer Shkira
Ndërkaq Einxhel tha se që të dy prindërit kanë qënë liberalë me të dhe kjo i ka dhënë mundësinë të mos I bëjë gjërat fshehurazi dhe me shpejtësi, por përkundrazi të marrë kohën e duhur për ti provuar eksperiencat në jetë.
Ndoshta fakti që kanë qenë shumë të hapur me mua, qoftë babi, qoftë mami, sepse edhe mami është mjaftueshëm liberale . Kjo më ka bërë që ti shoh gjërat në një mënyrë shumë të hapur, dhe të mos shoh asgjë me syrin që është e ndaluar. Dhe kur se ke të ndaluar ti i jep kohë vetes tënde për ta bërë në momentin e duhur, ose për ta hequr kuriozitetin edhe pa e provuar fare diçka sepse ti e di ça është, e ke parë, e ke dëgjuar. Ndërkohë që shoqet e mia që nuk kanë patur as kohë, as mundësi gjenin vetëm një fragment të shkurtër kohor për të bërë gjithçka të mundshme, sepse nuk e dinin se çfarë ishte.
Einxhel Shkira, modele
Myzafer Shkira tregoi gjithashtu se si ai e shoqëronte vetë vajzën në clube apo diskoteka që ajo të kënaqej me shoqërinë, por pa cënuar lirinë dhe privatësinë e saj.
Nuk kam tentuar në koshiencën time të jem ndryshe. Por mbase ngaqë rinia jonë nuk ka qenë e tillë. Ka qenë vërtet e bukur dhe pasionante , shumë ideale, por jo si kjo rini e sotmja. Kur shikoja që Enxhi kishte gjithë ato shpërthime dhe reflekset e kohës, doja që ajo të ishte pjesë e gjithçkaje, ndërkohë që unë të isha pjesë periferike. Shkoja deri te dera e klubit dhe shpeshherë vinin shoqet e Enxhit dhe e kuptoja menjëherë që ishte problemi i pasaportës dhe unë përdorja pasaportën time, thosha janë me mua, janë shumë të sigurta. Ka qenë një ndjesi e brendshme që më bënte të mendoja se Enxhi nuk do të kalonte në një gradë e cila do të ishte e dëmshme.
Babai i Einxhel, Myzafer Shkira
Një tjetër detaj mjaft interesant i raportit të tyre që Einxhel zbuloi në emisionin e “Rreze Dielli” ishte dhe fakti se shumë fotografi të saj artistike ia ka realizuar pikërisht babai, Myzaferi. Ky I fundit, duke qënë dhe artist, tha se kur i bën foto Enxhit, e sheh të bijën si një vepër arti.
Figura e Enxhit, duke e patur afër, të ngacmon, të inspiron që duhet bërë diçka që të jetë ndryshe. Një temë , një fabul , një gjetje që të ngjisi. E kam patur merak që të kem disa foto të Enxhit që të jenë ashtu si duhet. Shpeshherë kemi bërë foto që në dukje janë jonormale, por që mua nuk më duket kështu.
Babai i Einxhel, Myzafer Shkira
“Kur njihem me një djalë, mendoj nëse është i denjë për ti dhënë dorën babait”
E pyetur nëse ia ka prezantuar ndonjëherë të dashurit babait, Einxhel u shpreh se këtë do ta bëjë vetëm kur të ketë zgjedhur njeriun e jetës.
Kur unë mbusha 18 vjeç, që isha në moshë madhore, babi më ka thënë vetëm një gjë që unë e kam vath në vesh dhe nuk kam për ta harruar kurrë. Babi më tha “Unë dua të takoj vetëm personin që ti do të jesh përgjithmonë. Kur të ndash mendjen që ky është personi i jetës tënde, atëherë unë me shumë kënaqësi do e takoj dhe do ti jap dorën. Gjëra të tjera, shokë e kafe nuk ka te babi.
Einxhel Shkira, modele
Prezantuesja u shpreh se pavarësisht raportit të jashtëzakonshëm e miqësor që ka me të jatin, ata të dy debatojnë shpesh bashkë, veccanërisht kur bëhet fjalë për të ikur diku sepse Einxhel është gjithmonë vonë.
Edhe sot në mëngjes, debatuam se me mori shumë më herët. Gjithmonë unë jam vonë dhe ai më pret, është mbase njeriu që më ka pritur më shumë se askush tjetër në këtë botë.
Eixhel Shkira, modele
E pyetur nëse do të donte që partneri i saj i jetës ti ngjante të atit, Einxhel tha që pjesërisht po.