Me moton ''Eja në Gramsh'', qyteti i Gramshit çeli sezonin e ri turistik për vitin 2022. Bashkia ka organizuar një sërë aktivitetesh një ditë më parë, ku në sheshin e qytetit u çel panairi tre ditor i kulinarisë dhe punimeve artizanale me produkte dhe punime artizanale tradicionale të zonës së Gramshit.
Aktiviteteve nuk i munguan dhe garat sportive të vrapimit dhe lojërave me dorë mes ekipeve, të organizuara nga shkolla e mesme ''Shefqet Guzi'', kampionati i shahut i cili u mbajt nën kujdesin e ''Qendrës Kulturore të Fëmijëve'' pranë Bashkisë Gramsh.
Këtyre aktiviteteve ditën e djeshme ju bashkuan edhe pjesëmarrësit e garuesve të ''Rally Albania'' të cilët dhuruan spektakël me performancat e tyre. Qindra automjete dhe motorra nga shtete të ndryshme të botës përshkruan terrenet malore dhe qytetin duke përfshirë në hartën e tyre të udhëtimeve edhe qytetin e vogël të Gramshit. Surprizat do vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, ku do organizohen një sërë aktivitetesh të tjera edhe për të apasionuarit e sporteve ujore, si shëtitje me kanoe, me varka, aktiviteti i peshkimit në liqen do jetë risi këtë vit. Vizita nga grupe qytetarësh në Kanionin e Holtës, Ujëvarën e Sotirës, Liqenin e Dushkut dhe në të tjera destinacione turistike, do bëjnë bashkë të apasionuarit e hipizmit.
Edhe mbrëmjet do jenë të mbushura me aktivitete ku dhjetëra biznese vendase nën shoqërinë e tingujve muzikore të koncertit që ka përgatitur ''Pallati i Kulturës'' pranë bashkisë në pedonalen e qytetit, do ju presin për të festuar së bashku në festën e birrës së qytetit. Aktivitetet do zgjasin përgjatë gjithë fundjavës ku do të përformojnë artistë të ndryshëm të folklorit dhe ansamblit të qytetit.