Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Qëllimi vizitës ishte për të parë nga afër se si i shërbehet qytetareve, njëkohësisht edhe për tu njohur me problematikat që ata kanë dhe çfarë duhet përmirësuar.
 
Duke bashkëbiseduar me një punonjëse, Ekonomi kërkoi të informohej me detaje për mënyrën e zgjidhjes së problemeve që kanë qytetarët.
 
Ndërsa, duke bashkëbiseduar me qytetarët që prisnin të merrnin shërbimet e QKB-s, Ministrja Ekonomi u tha atyre se “është prioritet i qeverisë heqja e çdo barriere në çeljen e një biznesi dhe për këtë, me formatimin e ri që ka marrë kjo qendër, do të vijojmë të ulim kohën e pritjes”.

Ja intervista e Plotë 

Ministrja Ekonomi: Është e gjatë radha? Si ju duket fakti që i merrni shërbimet në një vend?

Qytetarja: Shumë mirë. Më lehtë.

Ministrja Ekonomi: Unë vërej nga statistikat që numri i shërbimeve i bizneseve të reja në Shqipëri është duke u rritur. Vërehet që numri i shërbimeve të reja është rritur dhe përqendrimi më i madh i një biznesi që çelet është në Tiranë, në këtë zyrë, prandaj erdha t’ju pyes si ndiheni.

Ministrja Ekonomi: Sa kohë harxhoni në radhë?

Qytetarja: Varet. 10 minuta deri  20 minuta.

Ministrja Ekonomi: Bizneset e ulur jashtë në pritje thonë “Kur vijmë këtu na përgjigjen që të gjitha gjërat janë në sistem. Kjo gjë nuk zgjidhet se janë në sistem. Çfarë përgjigjeni i jepni ju kur ai është i mërzitur?

Punonjësja-Ne mundohemi të bëjmë më të mirën.

Ministrja Ekonomi: A keni durim t’ia shpjegoni deri në fund?

Punonjësja: Sigurisht.

Ministrja Ekonomi: Po teknikisht, si po përpiqeni ta zgjidhni me IT çështjen e mosrakordimeve? Me algoritme, u jepni ndonjë informacion për IT? Mund të propozoni zgjidhje?

Punonjësja: Sigurisht, në qoftë se kemi ndonjë gjë për të përmirësuar.

Ministrja Ekonomi: Si është fluksi?

Punonjësja: Tani jemi herët, por fluksi ka ardhur duke rënë.

Ministrja Ekonomi:Punë të mbarë dhe kujdes me biznesin.

Ministrja la porosi në bërjen kujdes tek interoperabilitetin që duhet të ketë mes disa database-eve të tatime dhe QKB dhe për këtë arsye ka nevojë që grupet e punës të rilidhen dhe të shikojnë se si mund të ndërtojnë algoritme më të mira. Nga ana tjetër, theksoi Ekonomi një faktor i rëndësishëm që doli në pah nevoja që bizneset kanë nevojë që të ulën në mënyrë individuale, me ata që janë inspektorët përkatës të QKB apo tatimeve, për të ndarë situatën e tyre problematike sepse ka raste kur nuk mund të zgjidhen vetëm nga sistemi, por ka nevojë për një informacion më shumë, për një vendimmarrje të nivelit “përgjegjësi”, për të zgjidhur problemin që individi biznesmen paraqet në QKB. 

Redaksia Online
(M.Ç/Shqiptarja.com)