TIRANE - Marsi i vitit 1997 vijon të trazojë memorien e shqiptarëve, të cilët e kanë përjetuar atë muaj të tmerrshëm me “zemër në dorë” të pasigurt për jetën e tyre dhe të familjarëve.

Ndërsa gazeta “Shqiptarja.com” një ditë më parë zbardhi dokumentin eksluziv të takimit mes presidentit të asaj kohe Sali Berisha me pesëshen  drejtuese të PS, Rexhep Meidani sekretar i përgjithshëm, Namik Dokle sekretar i organizimit, Pandeli Majko sekretar i marrëdhënieve me publikun dhe Arta Dade e Et’hem Ruka anëtarë të kryesisë, dokument që është dërguar nga Presidenca në të gjithë kancelaritë perëndimore, vetë aktorët socialistë të këtij takimi shprehen për shumë të pathëna në dokument.

Që janë përjashtuar nga presidenca e asaj kohe që të fiksoheshin në këtë dokument që bëri “xhiron” në të gjithë kancelaritë evropiane e botërore. Më saktësisht me qëllim ish-presidenti Berisha kishte përjashtuar nga informacioni dërguar kancelarive të huaja debatin e fortë të bërë për ngjarjen e 28 majit të 1996 vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të kontestuara nga opozita, të panjohura dhe nga ndërkombëtarët, ku opozita u rrah barbarisht në sheshin “Skënderbej”.

Por është përjashtuar dhe debati për studentët grevistë të urisë në Vlorë. Por dhe kush ishte negociatori për takimin e 1 marsit, si dhe deklarata e Berishës se rrahja që policët i bënë liderëve të opozitës i bënë ata të njohur në botë, pasi nuk i njihte njeri.

Anëtarja e kryesisë asokohe dhe tani Arta Dade, por dhe pjesëmarrës të tjerë në këtë takim nga pala e opozitës japin detaje të pathëna në dokumentin që Berisha u dërgoi ndërkombëtarëve.

ARTA DADE

Anëtarja e kryesisë së PS atëkohë dhe tani, ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë Arta Dade kujton debatet në takimin e 1 marsit të 1997 me ish-presidentin Berisha. “Erdhi konfirmimi për takim dhe na kthyen përgjigje. Mbaj mend se u ulëm në zyrë, Majko e Dokle në një krah dhe Meidani e Ruka në krahun tjetër në një kolltuk dysh.

E mbaj mend si sot që unë kam qenë e ulur përballë Sali Berishës. Kjo më mundësonte të shikoja atë drejt e në sy në portretin e tij prej presidenti e pashë ngulthshmërisht. Më kanë bërë përshtypje sytë e tij. I kishte jashtë mase të kuq.

Nuk di nëse mund ta them më dukeshin si të gjakosur. Ndoshta ishte nga pagjumësia”, kujton në mënyrë të detajuar elementë e copëza nga takimi Arta Dade. E cila vijon rrëfimin e saj për atë çka të gjithë ishin tepër të shqetësuar, precipitimin e situatës sidomos pas grevës së urisë të studentëve në Vlorë e provokimeve të elementëve të SHIK-ut të Gazidedes.

“Ishte greva e urisë së studenteve në Vlorë. Ne përkrahnim kërkesat e tyre. Situata kishte arritur deri në kërkesë për qeveri teknike. Kërkesat tona ishin në mbështetje të kërkesave të tyre. Gjatë takimit me Sali Berishën ai na kërkoi që të ndikonim te studentët që të dilnin nga greva. "Thuajni atyre që të dalin nga greva se ata janë tujt".

E mbaj mend si sot si e tha këtë shprehje. "Mos i ndani zoti President në të tujt e tanët, i thashë. Ata janë një. Nuk ka ndarje në Shqipëri, në jug e veri". Dje gratë e Fierit kanë bërë protestë me parrullën ‘jug-veri Shqipëria është një’. Nuk foli.

Pra ne kërkonim të zgjidhnim krizën, ndërkohë që ai e kishte mendjen te ndarja e vendit. Nuk ishte agravuar situata ende në atë kohë. Studentët kishin vetëm kërkesa ekonomike”, kujton Dade detaje të atij takimi, të pathëna nga Berisha në dokumentin dërguar kancelarive perëndimore.

Në fund ajo kujton se “në fund i kemi thënë se do të merrej kryesia me diskutime për gjërat dhe pastaj do diskutonim prapë. Duhet të kemi të qartë. Asnjëherë atëkohë nuk kishte asnjë vendim pa vendim kryesie”.

PJESËMARRËSIT

“Kemi folur edhe për rrahjet e 28 majit të ’96 nga ana e policisë të drejtuesve të PS. Dhe Berisha ka replikuar. Dhe ne kemi folur për këtë temë”. Kaq kujton anëtarja kryesisë së PS Arta Dade në lidhje me debatet që janë bërë për rrahjen e opozitës në sheshin qendror të kryeqytetit vetëm dy ditë pas masakrës zgjedhore të 26 majit 1996.

Ndërkohë që pjesëmarrësit e tjerë kujtojnë se takimin mes Presidentit të asaj kohe Sali Berisha dhe përfaqësisë së opozitës më 1 mars 1997 e kanë negociuar ish-kryetari i PD Tritan Shehu dhe sekretari i Presidencës së asaj kohe Kolec Topalli.

Ndërkohë të pathënat e këtij takimi për 28 majin 1996 kishin të bënin me faktin se policia kishte ushtruar dhunë ndaj liderëve të opozitës në sheshin “Skënderbej”. Berisha ka replikuar fort me Doklen, pasi ky i fundit e kishte akuzuar se nën urdhrin e ish-presidentit ishte ushtruar një dhunë e jashtëzakonshme.

Berisha ka thënë se “ai polici që ju ka qëlluar ju, pa marrë asnjë urdhër nga ne, por thjeshtë në mbrojtje të institucioneve të shtetit, u ka bërë të njohur në të gjithë botën, pasi askush nuk u njihte”. Ndërkohë pjesëmarrësit kujtojnë se përfaqësuesi i opozitës i janë përgjigjur se “dhuna e ushtruar ishte e paprecedentë, pasi po dhunoheshin deputetët e Kuvendit.

Madje dhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës dhe kryesisht Martens asokohe në krye të KiE kishte thënë se ishte dhunuar Këshilli i Evropës, pasi deputetë të opozitës ishin anëtarë”. Ndërsa Berisha ka këmbëngulur, sipas pjesëmarrësve në idenë se janë dhunuar insitucionet e shtetit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.032013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)