Le të jetë kjo dëshmi e gjallë një shtysë për reflektim për mosmirënjohësit e dikurshëm ndaj kësaj force që me aktet e saj të guximshme mori nën kontroll tanket para Partisë Demokratike, TVSH, Bankat, Prokuroritë, Gjykatën, Albetelekomin, DTN etj. Ish-drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Drejtoria e Policisë Ushtarake, ish-kryeministri Fatos Nano, ish-Presidenti Rexhep Meidani nëse flasim në aspektin e kohës, janë në borxh të madh me këto forca, të cilat nga opozita e asaj kohe me në krye Sali Berishën u quajtën “trupa greke”.
Dy ditë më parë
Në 12 shtator 1998, përpara selisë së Partisë Demokratike u vra deputeti dhe një nga themeluesit e saj, Azem Hajdari. Nga selia e PD kryetari i saj, Sali Berisha akuzoi qeverinë Nano për vrasjen e deputetit, duke ndikuar edhe në fryrjen e opinionit publik me fjalime të ashpra nxitëse. Protestues të opozitës kishin dalë më parë me në krye të ndjerin Hajdari me arkivol bosh në krah duke kërcënuar se aty do të fusnin kryeministrin, Nanon. Informacionet, pas vrasjes së Hajdarit ishin se priteshin trazira... Ashtu ndodhi. Dy ditë më pas, në 14 shtator, turmat nuk e përcollën trupin e të ndjerit për në varreza, por iu lëshuan institucioneve duke marrë disa prej tyre nën kontroll e duke rrezikuar seriozisht destabilitetin e vendit. Kryeministri Fatos Nano u largua, me epitetin “mbatharak” vënë nga kryetari i PD, Sali Berisha.
14 shtator, ora 08.00
I urdhëruar nga Drejtoria e Policisë Ushtarake, në zbatim të urdhërave të MM, SHSHPFA, m’u caktua si detyrë, mbrojtja e Institucionit të MM (Ministria e Mbrojtjes) e SHPFA (Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura), mbi bazën e të dhënave, pasi ekzistonte dyshimi i arsyeshem për aktivitete kriminale në dëm të institucioneve të shtetit, përfshirë edhe ato të MM. Me afro 60 trupa të policisë ushtarake u dislokuam në MM, të paisur me katër transportues të blinduar me goma, armë të ndryshme përfshirë edhe snajperë, paisje moderne e antiplumb, armë anti tanke etj.
Trupat ishin stërvitur rregullisht për kryerjen e operacioneve të ndryshme dhe kishin dhëne prova në disa operacione të ngjashme. Ky efektiv njihte mire përdorimin e armëve dhe udhëzimet në lidhje me to, ato ishin të familjarizuar me politikën e përdorimit të forcës për gjykimin dhe maturinë e duhur në detyrë, trainuar edhe për veprime nën presion, etj.
Masa të tjera shtesë ishin ato për përdorimin e forcës vdekjeprurëse, e jo vdekje prurëse nëse ajo do ishte e nevojshme. Në pjesën e jashtme, në veri të MM, në fshehtësi e nën masa të plota sigurie mbi një kamionçinë u vendosën municione dhe armë anti tanke kundër mjeteve të blinduara.Ky operacion drejtohej nga Qemal Hoxha dhe Joland Plasari.
Përgatitjet paraprake
U bë inspektimi i mjediseve dhe i hapësirave në MM e SHPFA. U bë caktimi i detyrave vartësve. U realizua puna për bashkëveprim me Batalionin e Sigurisë së SHPFA. U organizua ndarja në zona si dhe patrullimi në zona të veçanta me interes nga agjentë te policisë kriminale dhe ato të informacionit të brendshëm të BPU për grumbullimin e informacionit,sidomos për veprime kriminale e synime në dëm të MM, SHPFA. Brenda turmave pranë kryeministrisë e RTVSH, kishim futur të trainuar agjentë të policisë kriminale për marrjen e informacionit në dëmin tonë e njësive dhe reparteve ushtarake.
Disa prej tyre sot janë larguar nga Shqipëria si Y.Gj, J.P, etj. Mbrojtja e MM e SHPFA u realizua në formë rrethore me disa perimetra me formacione të shkallëzuara, me kate dhe në thellësi deri në taracat e objekteve, mjetet e blinduara u pozicionuan në pjesën lindore dhe perëndimore, zona këto ku mund të depërtohej e sulmoheshin objektet. Operacionin e këtyre trupave e drejtonin oficerët Kujtim Doku, Leonard Tërthorja,Elmaz Sula. U caktuan pikat e kontaktit dhe drejtimit, kryesore dhe rezervë, mënyra e funksionimit të ndërlidhjes dhe bashkëveprimit me trupat e institucionet.
14 shtator, ora 10.00
Rreth kësaj ore, nga informacione të besueshme mësohet se në qendrat operacionale të MM dhe PU ishin me shërbim eksponentë të lidhur me opozitën e asaj kohe dhe u jepnin informacion atyre. Po ashtu, kishte prej tyre që kishin ndërruar shërbimin për të qenë prezent në këtë datë dhe mund të përfshiheshin në sabotazhe. Informohemi se njerëz të armatosur dilnin nga lokalet në ish parkun Rinia, e i bashkangjiteshin turmave të PD-së, furgonë të ndryshëm shkarkonin armë pranë turmave civile. Ishte një situatë mjaft e ndërlikuar dhe e rrezikshme.
Operacioni i parë
Shefi i eskortës së MM, kërkoi ndihmë duke shpjeguar se situata po precipitonte dhe se eksorta e MM, ishte me duar në xhepa. Duheshin furnizuar. Por ndërkohë terrori kishte filluar, nga të gjitha anët dëgjoheshin krisma. Me mjete ushtarake nuk mund të bëhej furnizimi sepse mund të binin në duar të protestuesve. Për realizimin e këtij operacioni, me qëllim fshehtësinë e sigurinë e tij u përzgjodh oficeri Astrit Osmani, detyrë të cilën e pranoi, dhe me automjetin e tij privat mundi të depërtonte në rrugicat për në MM, në mes të plumbave, duke bërë disa rrugë e duke sjellë armatim.
Operacioni i dytë
Komanda e Brigadës Transportit Pezë denoncon për grabitjen e saj, automjetit, armatimit e municionit si dhe drejtimin e lëvizjes së bandës. Për neutralizimin u angazhua oficeri Leonard Tërthorja me disa trupa të Policisë ushtarake, si Agim Rasha, Luan Rasha etj. Ata në kohë rekord bënë bllokimin, arrestimin e autorit, sekuestrimin e automjetin dhe armatimit të grabitur.
Operacioni i tretë
Me qëllim zbulimin e autorëve të interesuar që mund të jepnin informacion turmave e merrnin pjesë për akte sabotazhi, u bë një plan kombinacioni e operacion mashtrimi e kërcenimi me radiot në dispozicion të PU, nën drejtimin e oficerëve Ali Mena, Asim Gruda, Namik Goga etj ku agjentët që dispononin radio raportonin për lëvizje trupash ushtarake, vendosje armësh të rënda e përforcime të tjera, provokime për dezertime në radhët e policisë ushtarake etj. U bllokuan e paralajmeruan disa të dyshuar që lëviznin për të parë se ku janë vendosur këto armë të rënda. Pas këtij operacioni agjenti B. M, informon se kryetari i opozitës ka dalë në konferencë shtypi dhe kërkon largimin e trupave Greke nga Tirana. Një muaj më parë Policia Ushtarake ishte paisur me uniforma të NATOS e shenjat e tyre, automjete të blinduara, automjete të tjera për transport për mbështetje trupash, paisje antiplumb tip prodhimi i viteve të fundit të një cilësie të lartë të jelekëve e skafandrave antiplumb, paisje për policine kriminale etj, automjetet ishin te pa targuara. Mbase disa lëvizje trupash për ndërrim shërbimi u kanë ngjare me trupa greke...
Informacionet nga Kryeministria
U informuam se turmat kanë braktisur arkivolin e A.Hajdarit dhe kanë sulmuar Kryeministrinë edhe me armë antitank, është bërë grabitja e tankeve të Gardës, është humbur kontrolli mbi gardën dhe policinë e shtetit, ndërsa turmat po pushtonin TVSH. Unë ndiqja situatën duke mbajtur komunikim të vahdueshëm me agjentët brenda turmave duke veçuar Y.GJ, të cilin e quaj hero për punën e kryer, me agjentët në MM, ministrinë e Energjitikës, Parlamentit etj. Urdhërova vënien në gadishmëri për operacion të gjithë trupat e Batalionit të Policise Ushtarake në vend-dislokimin e rajonit të përhershëm. Oficeri përgjegjës, Arsen Mema raportoi qëndrimin në pritshëmri e gadishmëri për çdo operacion të mundshëm...
Nga informacionet në rrugët tona, mësuam se dy tanke me persona të armatosur me armë automatike mbi kullat e tyre përfshirë edhe armë anti tanke, janë nisur në bulavardin “Dëshmorët e Kombit”, drejt Ministrisë së Mbrojtjes e asaj të Rendit. Sipas informacionit mitrolozët e tankeve kishin një komplet municioni e shiritin e vendosur në folenë e fishekëve, pra gati për zjarr. Informacioni vazhdonte për TVSH që kishte rënë në duart e bandave, djegien e kryeministrisë dhe plaçkitjen e saj, sulmi dhe djegia e Parlamentit, vjedhja e zyrave të kontrollit të lartë të shtetit.
Pa pasur kohë të reflektonim mbi këto informacione, para syve të mi u shfaqen tanket para MM, por nuk kryen veprime në drejtim të objektit tonë, ndonëse hidhnin parulla kërcënuese e fyese, ata vazhduan rrugën në drejtim të Bankës. Agjenti i vendosur sipër Ministrisë së Energjitikës informon se po sulmohej Banka Kombëtare dhe se një eksponent i PD-së, Ferdinand Xhaferri doli para tankut e iu drejtua turmaës: Me bankën nuk keni punë të shkojmë tek PD-ja? Tanku u nis drejt PD-së.
Ndërkohë sipas informacioneve që vinin nga çdo cep i Tiranës mësohej se kish nisur plaçkitja, vjedhja dhe thyerjet në masë.
Rreth orës 15.30 minuta, Drejtori i Policisë Ushtarake Kolonel P.Lutaj më urdhëroi të merrja trupat e Policisë Ushtarake, të largohesha nga detyra e marrë në mëngjes, pasi pushteti ka rënë, të lëvizja në drejtim të Tiranës së re për në vend dislokimin e rajonit të përhershëm. Ky urdhër m’u komunikua në prani të oficerit B.L dhe afër nesh agjenti Q.H. Oficeri B.L, pasi dëgjoi këtë urdhër, fyeu rënde titullarin dhe u larguan sëbashku për në MM, duke shkëmbyer midis njeri -tjetrit fjale fyese e kërcënuese. Oficeri B.L. këtë informacion e ka shkëmbyer edhe me ish Ministrin e Mbrojtjes Sabit Brokaj. Tani oficeri ka emigruar jashtë Atdheut, njëkohësisht ai ka trajtuar informacion të mëtejshem me ish Ministrin e Mbrojtjes Z. S.Brokaj, në lidhje me panikun e titullarëve të MM: Po neve nga do të ikim?
Situatën në dorë
Në këtë situatë të rëndë si oficer i veshur që në moshë 14 vjeçare, duhet të zgjidhja mes turpit për braktisjen e detyrës e zbatimit të urdhërit të paligjshëm, apo bindjes së ndërgjegjes me betimin e bërë para flamurit. Zgjodha t’i shërbej Atdheut; vendosa urdhërimin e trupave për parandalimin e djegies e terrorit në Tiranë, pavarësisht kostos që mund të paguaja.
Urdhërova për operacion trupat e dislokuara në Sauk të paraqiteshin pranë Ministrisë së Mbrojtjes me drejtim lëvizje:- Sauk- rrugës Elbasan –Tiranë, kthimin në rrugën drejt RTV Shqiptar, daljen pranë kryeministrisë drejt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të marrë detyrën në MM. Sapo kolona e trupave të PU u fut tek RTVSH, pushtuesit e RTVSH-së, kishin ulëritur se erdhën trupat “Greke”. U raportua se nga turmat e armatosura që braktisën RTVSH, kishte persona të çorientuar, nga dialekti duken si kosovarë, pasi dëgjohen pyetjet nga do të largohemi, në dialektin e gjuhës së tyre.
Në vend drejtim-Komandim pranë MM, urdhërova operacionin për marrjen e tankeve të gardës pranë PD-së me përgjëgjës Namik Goga dhe Ali Mena me katër transportues të blinduar me trupa në operacion kërcënimi ndaj turmave të armatosura, të patrullonin në rrugën pas Ministris së Rendit, tani rruga pedonale, para PD –së – ish Hotel Drini, në veri të ministrisë së Rendit, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e kthim.
Marrja e tankeve
Trupat sapo mbërritën pranë selisë së PD-së u goditën me zjarrin e mitrolozëve të tankeve të vendosura para PD-së e armë të tjera automatike. Megjithatë xhirot patrulluese vazhduan, rezultoi se plumbat e mitralozëve 12.7 mm të tankeve dhe armëve automatike nuk depërtonin brenda transportuesve të blinduara ku ndodheshin trupat e PU. Patrullimi, sipas stretgjisë, vazhdoi pa ndërprerje, gjer sa atyre u mbaroi municioni. Pas mbarimit të municionit personat e armatosur u futën në bodrumin e PD-së dhe tanket u dorëzuan. U identifikua një nga autorët që qëllonte me mitrolozët tek PD-ja mbi trupat e policisë, shtetasi si M.R. Ndërsa shtetasi L.S, ka treguar ngjarjet në bodrimin e PD-së, e se me ushqim për të ngrënë janë furnizuar nga motra e A.H.
Mbërritja e trupave shtesë të policisë ushtarake në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” shënoi edhe daljen e 5-6 makinave të operacionit “Shqiponja” nga drejtimi Jugor i Ministrisë Rendit për në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të kryeministrisë. Në këtë kohë, trupat e policisë ushtarake u caktuan në operacion kërcënimi me patrullimin e rrugëve në Tiranë me drejtimet: Sheshi “Nënë Tereza”- Stacioni i Trenit, Patrullim në rrugën ”Kombinat-Kinostudio”, Ministria e Mbrojtjes- Spitali Ushtarak, dhe rreth unazës së Tiranës.
Për këtë situatë u raportova eprorëve të mi, ish Ministrit të Rendit, të ndjerit Perikli Teta, në radion e përgjegjësit të eskortës së tij, Islam Duçkollari, për një numër të madh njerëzish në posedim armësh të futur në bodrumin e në selinë e Partisë Demokratike.
Rreth orës 19.30, nëpërmjet agjentit Y.GJ informohem për tentativën për të blerë 2 transportues të blinduar. Pasi informacioni u vërtetua nga oficeri N.G u bë ndërrimi i shoferëve të transportuesve të blinduar, në këtë ofertë ishin shuma të mëdha parash, transportuesit kerkoheshin për të larguar personat e armatosur në bodrumin e PD-së.
Pas mbërritjes në MM të trupave shtesë, trupat e policisë ushtarake u futën në operacion të drejtuar nga Alfred Ahmetçeni, morën nën kontroll RTVSH. Të drejtuar nga Hasan Rakipi, morën nën kontroll Prokurorinë e Përgjitheshme, të Tiranës e gjykatën. Të drejtuar nga oficeri Ramiz Mulgeci,morën bankat. Të drejtuara nga Murat Fejzo, Albtelekomin Shqipëtar, të drejtuar nga Elmaz Sula, morën nën kontroll e siguri DTN.
Në orën 21.00 më sollën në përforcim trupat “Komando”, të cilët morën nën siguri e ruajtje godinat e djegura e plaçkitura të Kryeministrisë dhe Parlamentit e KLSH-së.
Policia ushtarake nuk ka “egzistuar” vetëm në këtë datë. Eshtë e vetmja strukturë që nuk u shpërbë as në 1997 kur gjithë shteti ra në tokë. E për vitet 1997-2000 unë nuk mund të mos përmend disa emra, duke u kërkuar ndjesë atyre që mund të harroj, për disa operacione shumë të rrezikshme, e që nuyk u takonte sepse nuk ishin pjesë e strukturave operacionale, por vetëm sepse strukturat e mirëpregatitura ndodheshin të angazhuara. Një volum I madh pune ka qenë sidomos gjatë konfliktit NATO-Serbi. Unë shpreh mirënjohjen më të thellë për efektivët e administratës, logjistikës, Major Durim Islami, Astrit Osmani, Aqif Muça, Qemal Stafa, Xhemal Kuka, Leonard Musollari, Bedri Laçi, Shpëtim Kërçiku, Vangjush Nedelko, Hysen Çordja, Edmond Sina, Gëzim Loka, Agim Lila, Gani Zogu, Astrit Hima, Alush Hoxha, Hamdi Mici, Ismet Mekshi, Astrit Abazi, Artan Dedja, Kol Pjetërnikaj, Fatmir Balla, Kujtim Dobi, Enkeleta Jaho, Sabri Kiçi, Xhevdet Hoxha, Ramiz Kupi, Idajet Horta, Ismail Vogli, Oltjon Lika, Gjezmi Bakiu, Pashk Bruka....etj etj, deri tek i ndjeri infermjer Ferhat Loka.
Analiza
Bataloni i Policisë Ushtarake ishte stërvitur e trainuar të veprojë në çdo situatë dhe kushte terreni, ishin të familjarizuar me politikën e përdorimit të forcës kur ishte e nevojshme. Meritojnë vlerësim e mirënjohje drejtuesit e operacioneve, Frrok Simoni, Behar Guri, Aqif Muça, Perlat Shehu, etj. Komandantët e Kompanive, Saimir Reci, Ramiz Mulgeci, Kujtim Doku etj, drejtuesit e oficerët e policisë rrugore, Mehmet Ramçe, Gëzim Rama, Ramazan Hysa, Bareq Sadiraj, Xhemal Pepnika, Shefit Mero, Kujtim Duka, Ardian Draci, Vesel Sulika etj, oficerët e policisëe kriminale e gjyqësore Artur Brahimi, Murat Plaka, Robert Gjini, Bashkim Malaj, Istref Istrefi, Adem Bruci, etj. Në fakt, zgjidhja e asaj situate dhune dhe terrori nuk ishte detyrë e Policisë Ushtarake, por kur dështoi Garda dhe Policia, ishte rradha jonë. Unë u jam mirënjohës, por më shumë duhen t’u jenë mirënjohës MM, SHSHPFA, e drejtuesit e tjerë të lartë, jo në emër të tyre, por në emër të Republikës së
Shqipërisë. Në aksionet që përmendëm, u angazhuan 240 trupa dhe 70 automjete të Policisë Ushtarake e transportues të blinduar.
Për mendimin tim 14 shtatori qe një revoltë e mirorganizuar fshehurazi, i një grupi njerëzish, që me mbështetjen e shumë simpatizantëve e anëtareve të PD-së, shpërthyen me zemërim dhe me dhunë kundër pushtetit politik të PS-së në Tiranë, dhe përmbysjen me dhunë të pushtetit, këta i hapën rrugë bandave kriminale që filluan djegjet, terrorin dhe plackitjen në Tiranë. Kam dyshimet e mia se në 14 shtator u përfshinë edhe efektivë të repartit të trupave të FARK të dislokuara në Mamurras të komanduara nga kolonel Tahir Zema. Me këtë të fundit kam kontaktuar personalisht në zyrën e tij, ndërkohë që oficerë dhe agjentë të policisë ushtarke kanë identifikuar efektivë të këtij reparti që ishin parë pranë kryeministrisë në ngjarjet e 14 shtatorit. Unë përpilova dokumentat dhe kallëzova në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë veprimtarinë antiligjore, por s’mora përgjigjje gjatë kohës që isha në detyrë, më vonë u informova për pushim çështje me ligjin e aministisë.
Pas afro 10 ditësh u thirra në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, ku ndodheshin dhe Shefi Shtabit të Përgjithshem, Gjeneral Aleks Andoni, Drejtori i Policisë ushtarake, Kolonel Pirro Lutaj. Ata më falënderuan për aktin heroik të trupave të policisë ushtarake...e asgjë më tutje në rrugën zyrtare për ata dhjetëra heronj, trupat e policisë ushtarake.
Epilog
Sot unë, Skënder Hasmeta, ish ushtarak, ish komandant i Batalionit të Policisë Ushtarake në Tiranë, jam i papunë. Të pavlerësuar ne mbetëm që në atë kohë, por që për rreziqet që kaluam edhe do të na flaknin tutje me akuza të pabaza, nuk na e mori mendja. Akuzuesit u ngritën me përgjegjësira, madje deri atashe, ndërsa unë zbrita thellë e më thellë. Por ndoshta ata që menduan se do të hakmerreshin për qëndresën tonë kanë harruar se rrota e historisë nuk qëndron vetëm në një anë. Ajo ndryshon... Dikur, Ish- ministri i Mbrojtjes Ilir Gjoni nuk më lejoi as t’u jepja dorën atyre heronjve, megjithëse kishte ngritur ekip nga Ministria e Mbrojtjes, Policia Ushtarake, Inspektimi i Përgjithshem i MM. Madje ai pranoi në banesën e tij me dashje përdorimin e dokumenteve të fallsifikuara si të vërteta në dëmin tim...Këto janë të vërteta të hidhura, që gjithsesi nuk e errësojnë dot punën e policisë ushtarake.
Shkrimi u publikua sot(14.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)