Ekskluzive/ Alarmi për grabitjen e Exchange-it në Yzberisht zbuloi 'skifterët' e vilave luksoze në Tiranë! Vjedhjet e piketuara në google maps  

Alarmi i dhënë në Policinë e Tiranës se më 12 prill do të grabitej një pikë e këmbimit valutor në Yzberisht nën kërcënimin e kallashnikovëve, zbuloi grupin e skifterave të vilave luksoze në Tiranë. Report TV ka siguruar dosjen e 5 grabitësve në Tiranë, të arrestuar 2 ditë më parë, mes të cilëve ishte edhe famëkeqi Hektor Qirjazi, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi po për grabitje.

Grabitësit pas vjedhjes së vilës në zonën e TEG-ut në Tiranë, kanë pasur si synim të radhës grabitjen e një pike këmbimi valutor në Yzberisht. Gjithashtu 5 grabitësit kordinoheshin mes tyre për vjedhjen e vilave përmes google maps, ku  Hektor Qirjazi (i njohur edhe me emrin Dorjan Lamani ) u dërgonte  pjesëtarëve të tjerë të grupit  Dajvid Dosti, Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj, (të gjithë të arrestuar)  vendndodhjen e vilave luksoze  që do të grabisnin.

Në dosjen e zbardhur nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta është edhe dëshmia e një prej 5 grabitësve të arrestuar, konkretisht  e Dajvid Dostit, i cili është shprehur se ai është kontaktuar nga Hektori Qirjazi dhe se ka komunikuar me të në mesazhet për të vjedhur vilën në zonën e TEG-ut. Dosti ka përshkruar edhe mënyrën se si e vodhi atë vilë.

"Për vjedhjen e vilës te TEG-u më ftoi Hektor Qirjazi. U njohëm në Skrapar, më kontaktoi në rrjetet sociale dhe më ftoi për vjedhjen. Qirjazi më tregoi në Google Map vilën ku do të vidhja, do ndanim lekët. Pranë vilës më çuan 2 shokë të Dorjan Qirjazit me makinë, ai nuk erdhi me ne. Kalova murin dhe hyra në vilë, dera ishte hapur, gjeta kasafortën. Hapa kasafortën me forcë dhe mora disa bizhuteri dhe 16.250 euro. Në vilë qëndrova rreth 1 orë, komunikonim me radio si të policisë" është shprehur Dosti para prokurorisë.

Dajvid Dosti u arrestuar pas vjedhjes së vilës në TEG më 12 prill, sapo kishte hipur në taksi për t'u larguar nga vendi i ngjarjes. Pas tij janë vënë në pranga edhe Hektor Qirjazi, Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj, gjatë operacionit të koduar  “START & STOP”, ndërsa ky grup kriminal ka kryer aktivitetin kriminal në Greqi dhe vende të tjera të BE-së. Gjatë operacionit të arrestimit të 5 grabitësve policia ka sekeustruar    një armë zjarri automatik, me dy krehër dhe 123 fishekë, 17.150 euro, 2 radio marrëse-dhënëse si ato që përdor Policia e Shtetit, bizhuteri të ndryshme floriri, si unaza, vathë, ora dore, varëse, medialionë, 1 automjet tip “Ford”, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për hapjen e bravave dhe dyerve të blinduara.

Gjatë ditës së sotme Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për 5 grabitësit, të cilët gjatë seancës kanë qëndruar gojëkyçur duke mos thënë asnjë fjalë. 

Pjesë nga dosja, si u zbuluan grabitësit e vilave luksoze në Tiranë

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:22
Gojëkyçur në pritje të vendimit, gjykata lë në burg 5 grabitësit e vilave luksoze në Tiranë

1618472251_qirjazi.jpg

Hektor Qirjazi dhe momenti i arrestimit 

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën arrest me burg për 5 grabitësit e vilave luksoze në Tiranë. Pas kërkesë së prokurorisë Tiranë, gjykata vendosi masën arrest me burg. Hektor Qirjazi (i njohur edhe me emrin Dorjan Lamani ),  Dajvid Dosti, Klodian Çypi, Halil Topalli dhe Redian Begaj.

Gjatë seancës asnjë nga grabitësit nuk ka folur, as duke pranuar veprat dhe as duke i mohuara to, por kanë dëgjuar vetëm vendimin e gjykatës.

Ora 11:22
Policë të veshur civil dhe me makinë private, momenti kur shtrijnë përtokë dhe arrestojnë një prej grabitësve të vilave luksoze (VIDEO)

Report Tv ka siguruar videon nga momenti i arrestimit të një prej grabitësve të vilave luksozë në Tiranë. Video që në pamje të parë të duket si pengmarrje pasi policë ishin veshur civil dhe lëviznin me makinë private, në fakt ka qenë operacioni i koduar  “START & STOP”, që vuri në pranga 5 grabitës, konkretisht Hektor Qirjazi (i njohur edhe me emrin Dorjan Lamani ),  Dajvid Dosti, Klodian Çypi, Halil Topalli dhe Redian Begaj.

Gjatë arrestimi grabitësi shtrihet përtokë duke u neutralizuar nga efektivët e policisë dhe më pas futet në makinë drejt shoqërimit në komisariat.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë