TIRANE - Ishte marsi i vitit 1997. Kanë kaluar 16 vjet që nga koha e luftës, por Shqipëria e brishtë ende i vuan pasojat e krizës më të madhe financiare dhe vëllavrasjes civile që mbyti vendin. Ky dokument ekskluziv që Shqiptarja.com sjell sot për lexuesit e vet, është një “testament” politik sesi PD e PS po përpiqeshin të zgjidhnin situatën. Sali Berisha, në detyrën e presidentit, thirri në një takim mesditën e 1 marsit pesë drejtues të Partisë Socialiste, kryetari i të cilëve, Fatos Nano, atëkohë vazhdonte të ishte në burg nën akuzën për korrupsion.

Zyrtarët e lartë të PS, gjatë takimit i kërkonin presidentit të Republikës të zbardhte financimin e PD nga skemat piramidale, e në dokument përmenden edhe 50 mijë USD që firma Gjallica i kishte dhënë selisë blu. Ndërkaq, i kërkonin largimin e qeverisë Meksi, bërjen e një qeverie teknike, shpërndarjen e parlamentit, si dhe shpalljen e zgjedhjeve parlamentare që do të përgatitej nga qeveria teknike. Berisha dukshëm kërkonte që të zbatoheshin ligjet kushtetuese; se ai vetë nuk do t’i shkelte këto ligje dhe se “ishte një burrë i fjalës”. Berisha u thoshte se nuk mund të detyronte parlamentin të merrte vendimet siç donte presidenti, dhe u kërkonte zyrtarëve të selisë rozë të mos dilnin në revoltën popullore dhe as ta mbështesnin atë.

Dokumenti është përpiluar nga Presidenca dhe u është dërguar gjithë kancelarive ndërkombëtare me kërkesën e tyre, prandaj dhe është i shkruar në gjuhën angleze. Ky ishte takimi i parë i Presidentit që i kërkohej dorëheqja me udhëheqësit e PS, i cili do të hapte ciklin e një varg takimeve të tjera, që do të kulmonin në marrëveshjen e 9 marsit 1997, e cila i hapi rrugën krijimit të qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kryesuar nga Bashkim Fino. Më poshtë, po zbardhim dokumentin e plotë

Takimi i presidentit te Republikes së Shqipërisë Sali Berisha me liderët e Partisë Socialiste

Tiranë, 1 mars 1997, ora 12.30

Kreu i PS kërkoi që njerëzit e mëposhtëm të ishin prezent në takim: z.Rexhep Mejdani, sekretar i Përgjithshëm i PS, z.Namik Dokle, Sekretar për Organizimin në PS, z.Pandeli Majko, sekretar për Marrëdhëniet Publike në PS, Ethem Ruka e Arta Dabulla (Dade) anëtarë të Këshillit Drejtues të PS.
Presidenti pranoi kërkesën e tyre dhe delegacioni i PS arriti në takim në orën 12.30.

Presidenti Berisha: Jam i lumtur t’ju takoj dhe ju kam kërkuar për të diskutuar rreth situatës ekstremisht shumë të rëndë që është krijuar në vend.
Sikurse ju e dini, unë jam i vendosur dhe e kam deklaruar disa herë, për shqiptarët ashtu sikurse edhe për komunitetin ndërkombëtar që kriza duhet të ketë një zgjidhje politike dhe kam qenë kundër një zgjidhjeje ushtarake, sepse mendoj se kjo është në interes të vendit dhe demokracisë.
Kjo është arsyeja pse ju kam thirrur për të diskutuar rreth një zgjidhje politike për të shmangur një konflikt civil me pasoja tragjike.
Gjithashtu jam i përgatitur edhe për një zgjidhje politike maksimale. Nuk kam asnjë limitim por ju nuk mund të kërkoni prej meje të bëj se çfarë nuk më lejojnë ligjet kushtetuese, që në fakt lejojnë shumë zgjidhje. E them këtë sepse e di se kërkesat tuaja dhe disa prej tyre, Unë si president nuk mund t’i përbush për shkak të papajtueshmërisë së tyre me ligjet kushtetuese. Unë jam një njeri i fjalës dhe nuk mund të shkel mbi to. E theksoj këtë moment sepse ju keni kërkuar që unë nuk duhet të rizgjidhem president, por të zgjas mandatin tim si President. Megjithatë ligji kushtetues, përcakton në një mënyrë taksative procedurën e rizgjedhjes si President dhe për rezultat ato përjashtojnë mundësinë për zgjatjen e mandatit.

R.Mejdani, N.Dokle, A.Dade: Por ju mund të amendoni ligjin kushtetues për zgjatjen e mandatit tuaj. Ne mendojmë se kjo nuk është e vështirë.

N.Dokle: Përpara zgjedhjes suaj si president ne do të ndryshojmë ligjin kushtetues.

Presidenti Berisha:
Ju mund t’i ndryshoni ato para zgjedhjeve, por jo pas zgjedhjeve. Logjet nuk kanë efekte pas, por përpara. Zgjatja me ligj e mandatit është një precedent i rrezikshëm. Ju në mënyrë absolute nuk mund të pretendoni që unë ta bëj këtë. Shqipëria është një vend evropian. Aksione si këto, mund të mos pranohen në Evropë.
Së pari, unë dua t’ju siguroj që jam gati të mos zgjidhem dhe ju mund ta kërkoni këtë. Një javë më parë, unë pranova të vendos kandidimin tim për tu rizgjedhur, duke u menduar shumë kohë për këtë, por mbi të gjitha, vendosa të bëj kështu sepse largimi im në këtë do të ishte i papranueshëm për një qytetar, dhe ju nuk mund të më kërkoni mua të ndryshojë ligjet kushtetuese, sepse kjo do të ishte e papërshtatshme me shtetin e së drejtës dhe cdo qytetar mund ti drejtohej gjykatës Kushtetuese, që mund ta rrëzonte këtë praktikë.
Së dyti, mund t’i jap garanci edhe të shkruar publikut gjithashtu dhe kam deklaruar që edhe përpara zgjedhjeve të 26 majit, që në rast se ju i fitoni zgjedhjet, unë nuk do të pranoja të isha një president me ju, edhe për 4 ditë.

R.Mejdani, E.Ruka: Ne nuk po kërkojmë krijimin e një vakuumi institucional, ne nuk pajtohemi me një gjë të tillë.

Presidenti Berisha
: Në rast se ju nuk e pranoni vakuumin institucional unë edhe një herë deklaroj se unë nuk pranoj të qeveris së bashku me ju.

R.Mejdani, E.Ruka, A.Dade:
Pse e thoni këtë?

Presidenti Berisha
: E them këtë për të treguar të vërtetën dhe ju duhet të respektoni atë që ju thotë të vërtetën në sy.

R.Mejdani, P.Majko, N.Dokle:
Ne thamë që kërkesat e grevës së urisë të plotësohen për të mbyllur grevën e urisë.

Presidenti Berisha:
Sa u përket këtyre kërkesave, dua të konfirmoj që ne nuk mund të paguajmë për cdo qytetar paratë e humbura në skemat piramidale dhe nuk mund ta shkelim këtë princip, por ne kemi ndërmarrë një sërë hapash për të lehtësuar dhimbjen e tyre.

R.Mejdani, P.Majko, N.Dokle:
Ne nuk kemi deklaruar që ne do të paguajmë paratë e humbura në skemat piramidale, po ashtu edhe studentët nuk e kërkojnë këtë.

Presidenti Berisha:
Kjo është e vërtetë, në Tiranë ju ndoshta nuk e keni deklaruar këtë, por në Vlorë, së bashku me grevistët, ju keni firmosur peticione, të cilat janë në zyrën time, duke kërkuar nga qeveria pagesën e parave dhe rikthimin e atyre që qytetarët kanë depozituar me dëshirën e tyre të lirë në kompanitë që morën hua paratë.

P.Majko, N.Dokle: Ata kërkojnë për një zgjidhje ekonomike dhe transparencë të plotë për skemat piramidale. Transparenca e plotë e firmave piramidale duhet të bëhet patjetër. Për shembull, duhet të bëhet e qartë se cili prej ministrave, zyrtarëve të PD, janë të implikuar dhe kanë përfituar prej tyre. Sa dollarë kanë sponsorizuar prej tyre PD, sepse ka shumë të tillë; nëse do të ishte 50 mijë dollarë, ata do të ishin të lumtur.

Presidenti Berisha:
Kam insistuar në krijimin e një Komisioni të Transparencës, të përbërë nga të gjitha forcat politike. Jam i interesuar më shumë se kushdo tjetër për një transparencë të plotë. Kam qenë unë që kam urdhëruar informimin e opinionit publik përmes TV, me shqetësimin e sponsorizimit ligjor të PD me 50 mijë dollarë nga kompania Gjallica, por asnjë dokument nuk ekziston për sponsorizime të tjera, përjashtuar këtë dhe, në rast se ju keni dokumente të tjera, ju duhet t’i tregoni ato dhe jo të akuzoni bazuar në informacione të nëndheshme.

P.Majko, R.Mejdani, N.Dokle, A.Dade:
Grevistët kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë Meksi. Njerëzit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë. Kjo për ne është një kërkesë thelbësore. Ne jemi të vendosur për këtë kërkesë.

Presidenti Berisha: Ju nuk duhet të harroni që ne jemi një republikë parlamentare. Eshtë e vërtetë që presidenti emëron kryeministrin, por sipas ligjeve kushtetuese presidenti nuk e shkarkon atë. Për shkarkimin e kryeministrit dhe qeverisë, ligjet kushtetuese tregojnë se duhet një mocion parlamentar.

N.Dokle, R.Mejdani, A.Dade:
Përmes autoritetit tuaj ju keni influencën në grupin parlamentar të PD që qeveria të shkarkohet.

Presidenti Berisha:
Jo, unë nuk do të interferoj në grupin parlamentar sepse kjo do të ishte një abuzim jo-kushtetues për një President. Ju nuk duhet të kërkoni një gjë të tillë nga presidenti i Republikës. E vetmja gjë që mund të bëj, të cilën e kam deklaruar në Berat, Gjirokastër dhe në zona të tjera, është që të gjithë zyrtarët e PD, duke filluar nga unë, duhet t’u nënshtrohen votimeve nga forumet, të cilat i kanë zgjedhur ata dhe unë do të respektoj rezultatet e votimeve. Në të kundërt të procedurës që është ndjekur pesë vite më parë, javën e kaluar i kërkova Këshillit Kombëtar një votim të fshehtë dhe kjo gjithashtu u zbatua.

R.Mejdani, N.Dokje, E.Ruka: Ju duhet të ushtroni tek Këshilli Kombëtar i PD autoritetin tuaj moral.

Presidenti Berisha: Nuk ia lejoj vetes për të përdorur autoritetin tim në mënyrë që t’u imponohem të tjerëve për vendime që duhet të merren me votim të fshehtë.

P.Majko, R.Mejdani, N.Dokle: Ne mendojmë se vendi ka nevojë për një qeveri teknike.

Presidenti Berisha: Rreth shqetësimit të një qeverie teknike përsa jam unë në dijeni, ka vetëm partizanë të kësaj ideje në Shqipëri, dhe është hipokrizi të pretendohet për një qeveri të tillë.

R.Mejdani, N.Dokle, P.Majko: Sa i përket kësaj çështjeje, na duket se na keni keqkuptuar, sepse me një qeveri teknike ne nuk duam të themi për një formë koalicioni me PD, sepse ne gjithashtu nuk do ta pranonim një gjë të tillë, por një qeveri të PD me njerëz të pakorruptuar dhe ne kërkojmë të pyetet për mendimin e PS për kryeministrin dhe ministrat.

Presidenti Berisha:
Eshtë një praktikë konstante e imja për t’u konsultuar me ju dhe partitë politike në rastet kur emërohet një kryeministër i ri dhe unë gjithmonë do ta bëj këtë. Ndërsa sa i përket shqetësimit për ministrat, sipas ligjeve kushtetuese, kjo nuk është kompetencë e presidentit, por e kryeministrit. Por ai gjithashtu mund të konsultohet me forcat politike për anëtarët e qeverisë dhe unë do ia sugjeroj atij një gjë të tillë.
Sa i përket zgjedhjeve të reja, ligjet e reja kushtetuese përcaktojnë qartësisht se kur presidenti shpërndan parlamentin përpara kësaj kohe. Këto ligje nënvizojnë që zgjedhjet mund të mbahen jo më vonë se 45 ditë nga dita e anoncimit të tyre, ose për shpërndarjen e parlamnentit dhe në rast se ju insistoni në atë opsion, unë jam gati ti prezantoj parlamentit, këshillit Kombëtar të PD dhe të insistoj që të pranohet në emër të një zgjidhjeje politike. Unë gjithashtu dua të insistoj, sepse jemi në prag të një destabilizimi makroekonomik. Në opinionin tim, shpejtësia e rivendosjes së rendit publik dhe stabilitetit makroekonomik janë nevojat tona më emergjente.

R.Mejdani, P.Majko, N.Dokle:
Zgjedhjet nuk mund të mbahen për 45 ditë, sepse kushtet për një fushatë elektorale nuk mund të krijohen dhe PD nuk mund të prezantojë kandidatët e vet në Vlorë dhe në ndonjë zonë tjetër. Qeveria e re duhet të përgatisë kushtet për zgjedhjet e reja dhe të procedojë më vonë për këto zgjedhje.

Presidenti Berisha
: Për të mos prezantuar kandidatë të PD në zonat elektorale nuk përbën problem të madh dhe nuk është një barrierë për mbajtjen e zgjehdjeve të përgjithshme brenda 45 ditëve. Kur të fiksojmë datën e zgjedhjeve më vonë se 45 ditë, ligjërisht, unë nuk mund ta bëj këtë, dhe as PD apo parlamenti mund ta pranojë një gjë të tillë, por unë asnjëherë nuk do ta rekomandojë këtë zgjidhje të pamundur.

N.Dokle, P.Majko, A.Dade:
Si parti, ju mund të vendosni shpërndarjen e parlamentit.

Presidenti Berisha:
Jo, partia nuk mund të ndërmarrë një vendim të tillë. Parlamentarët nuk kanë ndonjë detyrim ligjor për të pranuar një vendim të tillë dhe unë jam i bindur plotësisht se ata nuk do ta pranojnë një gjë të tillë. Kështu, ju më prezantuat disa kërkesa, ndërkohë që unë ju ftoj që të deklaroni publikisht se asnjë qeveri e vetme nuk mund të rimbursojë paratë e qytetarëve të humbura në skemat piramidale. Dhe së dyti, ju nuk duhet të urdhëroni liderët tuaj, aktivistët dhe anëtarët për të pasur manifestime të dhunshme. Protestat në Vlorë janë tërësisht të drejtuara nga liderët dhe aktivistët e PS.

N.Dokle: Ne nuk kemi të bëjmë me këto protesta, por ne mbështesim kërkesat e tyre.

Presidenti Berisha:
Ju i organizoni dhe i drejtoni ato, por ka fakte dhe dokumente për këtë. Në krye të tyre janë aktivistë dhe militantë të PS. Edhe lideri juaj në Fier, zoti Petro Koçi, ka deklaruar për Reuters që njerëzit e Fierit janë në luftë me Tiranën.

N.Dokle: Ky është një fabrikim i shtypit.

Presidenti Berisha: Jo, ka dokumente për këtë.

R.Mejdani, E.Ruka, A.Dade:
Ju falenderojmë për takimin, por duhet të konsultohemi me kreun e Këshillit të Partisë për atë që kemi diskutuar dhe duam t’ju takojmë sërish pasdite.

Presidenti Berisha: Jam dakord. Në orën 15.00 sot do të takoj grupin parlamentar të PD. Do t’ju bëj me dije se çfarë do të diskutojmë dhe mund të takohemi sërish pasdite, me ju dhe partitë e tjera.

R.Mejdani, E.Ruka, P.Majko: E mbështesim plotësisht dhe kërkojmë një takim tjetër.

Presidenti Berisha: Do t’ju bëj me dije nëpërmjet sekretares sime rreth kohës për takimin tonë.

Shënim: Më 1 mars 1997, pasdite, sekretarja e presidentit informoi zotin Pandeli Majko dhe Rexhep Mejdani rreth takimit mepPresidentin në orën 18.00 por ata refuzuan për t’u rikthyer.


Faksimile e takimit të Berishës si President me liderët e PS