Ekskluzive/ Ç'po ndodh në kampin e Manzës? Streha e disidentëve iranianë kthehet në një vatër tensionesh (E plotë)

Kohët e fundit, siç është bërë më parë e ditur nga Shqiptarja.com, televizioni britanik Channel 4 është interesuar lidhur me problematikën e kundërshtarëve të regjimit në fuqi në Iran, të cilët janë grumbulluar në Shqipëri si azilantë politikë dhe së fundi janë sistemuar në kampin e posaçëm në zonën e Manzës, në Durrës. 

Ka qenë editorja e çështjeve ndërkombëtare në Channel 4 Lindsey Hilsum, e cila ka inicuar një reportazh lidhur me ekzistencën e këtij kampi në Shqipëri, pas viteve të kaluara nga muxhahidinët në kufirin midis Iranit dhe Irakut në tokë irakiane, nën mbrojtjen e amërikanëve.  

Pas Channel 4, i cili pritet të transmetojë ditët në vijim reportazhin për muxhahidinët iranianë në Shqipëri, Report TV dhe Shqiptarja.com kanë mësuar se të tjera media me emër në botë, si Al Jazeera, The Guardian, CNBC dhe Neë York Times do t’i kushtojnë artikuj dhe kronika televizive kësaj çështjeje. Arron Merat, gazetar i pavarur anglez, pritet në ditët në vijim që të publikojë për The Guardian një artikull të detajuar për qendrimin e anëtarëve të MEK në Shqipëri. Disa ditë më parë, ai sëbashku me një përkthyes shqiptar, kanë qëndruar jashtë kampit në Manzë duke tentuar të marrin prononcime të disidentëve iranianë. Por përfaqësuesit e muxhahidinëve dhe rojet shqiptare të sigurisë u morën pasaportat dhe i fotografuan. Madje përfaqësues të muxhahidinëve arritën të mësonin edhe se në emrin e kujt ishte makina, me të cilën ata udhëtonin.

Report TV dhe Shqiptarja.com kontaktuan me Arron Merat, i cili e konfirmoi atë çfarë kishte ndodhur jashtë kampit. “Unë shkova tek dera e kampit dhe bisedova me përfaqësuesit e MEK. Ata më thanë të largohesha, paçka se ishim duke qëndruar në rrugë publike. Kjo m’u duk e çuditshme. Nuk më kërcënuan dhe nuk tentuan të na dhunonin”, deklaroi ai. I pyetur se si mundën muxhahedinët në një kohë fare të shkurtër të gjenin pronësinë e makinës, me të cilën udhëtonin, tha: “Besoj se ata janë të lidhur ngushtësisht me Ministrinë e Brendshme në Shqipëri”.

Qendrimi

Në një intervistë ekskluzive për Report TV dhe Shqiptarja.com, zëdhënësi i MEK shpjegon përse befas është ngjallur ky interes i shtuar i medias botërore ndaj kampit në Manzë të Durrësit. Sipas tij , regjimi iranian që e konsideron MEK si kërcënimin e tij më të madh, i përdor të gjitha mjetet e disponueshme për të dërguar bashkëpunëtorë nga media të ndryshme në vendndodhjen tonë, për të fabrikuar raporte dhe për ta denigruar MEK-un. Sa më poshtë, vijon intervista e tij.

Pse ka tani një interes kaq të madh nga mediat ndërkombëtare për të raportuar rreth kampit tuaj të ri dhe rreth MEK në Shqipëri?

Me kryengritjen që vazhdon, është shumë e qartë për çdo vëzhgues se burimi i të gjitha protestave janë MEK që veprojnë brenda Iranit. MEK është forca kryesore e alternativës ndaj këtij regjimi, që quhet Këshilli Kombëtar i Rezistencës. Zyrtarët e regjimit i paralajmërojnë vazhdimisht forcat e tyre shtypëse për aftësitë organizuese të MEK. Është kjo arsyeja që vëmendja e medias ndaj MEK në perëndim është rritur në mënyrë eksponenciale dhe ata vazhdojnë të vijnë tek ne për të bërë raporte të reja. Nga ana tjetër, regjimi iranian që e konsideron MEK si kërcënimin e tij më të madh, i përdor të gjitha mjetet e disponueshme për të dërguar bashkëpunëtorë nga media të ndryshme në vendndodhjen tonë, për të fabrikuar raporte dhe për ta denigruar MEK-un. 

Përveç mediave të interesuara për të krijuar raporte të paanshme, kemi ndeshur në disa prej tyre që kanë patur qëllime të veçanta, të tilla si personat që pretendonin se ishin nga britaniku Channel 4 apo nga Guardian.  Kemi vënë re se kontaktet e tyre në prapaskenë janë agjentë të njohur iranianë si Massoud Khodabandeh dhe disa bashkëpunues shqiptarë të ambasadës iraniane në Tiranë.  

Regjimi i mullahëve po ndjek tre objektiva me këtë denigrim që na bën: përgatitjen e terrenit për veprimtari terroriste kundër MEK, largimin e vëmendjes nga aktet e tyre terroriste në Europë, sidomos nga komploti terrorist kundër tubimit të madh të rezistencës iraniane në Paris, i cili rezultoi në arrestimin e diplomatit terrorist te regjimit që është në burg tani, dhe së treti, njollosjen e imazhit të rezistencës së drejtë të popullit iranian dhe diskreditimin e alternativës demokratike. Fatmirësisht, në këtë qëllim të tretë ata janë mposhtur pasi MEK dhe alternativa, NCRI, po gëzojnë një mbështetje shumë të gjerë në komunitetin ndërkombëtar.

Kohët e fundit, Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar një raport rreth veprimtarive terroriste të regjimit iranian dhe i ka paralajmëruar vendet europiane, përfshirë Shqipërinë, që t’i mbajnë nën vëzhgim ambasadat iraniane pasi ato janë qendrat e spiunazhit dhe terrorizmit. 

Pse nuk i lejoni mediat shqiptare për t’i treguar ambjentet brenda kampit me kushtin që të mos filmojnë për shkak të çështjes së sigurisë?

Ne nuk kemi asnjë problem me median. Përveç kësaj, qindra shqiptarë hyjnë në kamp çdo ditë. Gjithashtu, ambasada amerikane dhe autoritete të tjera shqiptare e vizitojnë shpesh kampin. Gënjeshtrat e fabrikuara të regjimit iranian rreth kampit të refugjatëve kanë për qëllim vetëm denigrimin.  Ato kanë për qëllim gjithashtu që të largohet vëmendja nga ambasada iraniane në Tiranë, e cila është qendra e terrorizmit dhe spiunazhit. Sigurisht, ne jemi këshilluar që, për shkak të kërcënimeve terroriste, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos harrojmë se marsin e shkuar, u parandalua një komplot terrorist kundër zonës rezidenciale të anëtarëve të MEK dhe u arrestuan dy persona që kishin ardhur nga Irani me pretekstin si reporterë.

Pse nuk po bashkëpunoni me mediat për t’i ndihmuar që të jenë të drejta dhe të balancuara në raportet e tyre për MEK në Shqipëri?

Ne kemi patur një marrëdhënie jashtëzakonisht bashkëpunuese me mediat shqiptare, dhe deri tani, mediat shqiptare kanë mbuluar shumë fakte rreth terrorizmit të regjimit iranian si dhe lajmet e opozitës demokratike.  Gjithashtu, ato ia kanë prezantuar MEK-un komunitetit shqiptar. Por në të njëjtën kohë, regjimi iranian, përmes agjentëve të tij, është përpjekut t’i mashtrojë njerëzit duke përhapur lajme të rreme.  Qëllimi i regjimit iranian është të krijojë tension në Shqipëri në mënyrë që të ketë mundësi të ndjekë objektivat e tij.  Kjo ndërkohë që skena e luftës sonë me regjimin e mullahëve është në Teheran dhe në qytete të tjera të Iranit.

Kemi mësuar se një tjetër gazetar nga Mbretëria e Bashkuar, Arron Merat, po bën një artikull për The Guardian. A është e vërtetë se njerëzit tuaj i kanë bërë foto pasaportës së tij dhe përkthyesit të tij shqiptar, si dhe keni mbledhur të dhëna se në emër të kujt është makina me të cilën ata kanë ardhur në kampin tuaj? Pse e keni bërë këtë?

Kompleksi rezidencial i MEK është një shënjestër terrorizmi për regjimin iranian, dhe bazuar në raportin e departamentit amerikan të shtetit, marsin e shkuar ata kishin ndërmend të kryenin një sulm terrorist kundër mbledhjes sonë. Dy persona që ishin prezantuar si reporterë u arrestuan dhe u përjashtuan nga vendi. Si pasojë, ashtu si kudo tjetër, rojat e sigurisë së kompleksit, që janë shqiptarë, në mënyrë që t’i mbrojnë banorët, bazuar në standartet e tyre, duhet të kenë informacion mbi identifikimin e të gjithë njerëzve që vijnë në kompleks, dhe nëse dikush refuzon të shpallë identitetin e tij të vërtetë, atëherë kjo do të ishte një gjë e dyshimtë. 

Nga ana tjetër, Arron Reza Merat është një iranian famëkeq, i cili në mediat sociale njihet si një person i lidhur me regjimin iranian. Ai është një nga përkrahësit më seriozë të politikës së paqësimit për ta shpëtuar regjimin iranian. Në mbështetje të regjimit, ai ka publikuar shumë raporte armiqësore dhe lajme të rreme kundër MEK. Ai nuk është një reporter i pavarur, por ndjek qëllime specifike në përputhje me ato të regjimit të mullahëve. Kur ai së bashku me një shqiptar erdhën në kompleksin e MEK në Manzë, përfaqësuesit e MEK i thanë se nuk donin t’i jepnin intervista. Qëllimi i tij ishte t’i provokonte banorët dhe përdorte vazhdimisht akuza fyese. Por përfaqësuesit e MEK i thanë thjesht se nuk duan të intervistohen. Ata nuk treguan as ndershmërinë më minimale në prezantimin e tyre. Shqiptari që po e shoqëronte ishte Th. Gj., i cili u prezantua si përkthyes i reporterit dhe tha që Arron e kishte marrë në punë si përkthyes, por kur bëmë disa kërkime, u bë e qartë se ai është një nga njerëzit më aktivë kundër MEK. Ai bën pjesë në rrjetin e shqiptarëve që punojnë me ambasadën iraniane. Dhjetorin e shkuar ai mori pjesë dhe foli kundër MEK në një mbledhje në Tiranë, e cila ishte organizuar për një agjente famëkeqe të ministrisë iraniane të inteligjencës, me emrin Ann Khodabandeh, gruaja e Masoud Khodabandeh.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjikondi: Ja taktika e çiftit Meta-Kryemadhi për të shpëtuar pronat e vendosura në mënyrë të paligjshme! Ja pse administrata Trump nuk do t’i heqë ‘non-gratën’ Berishës

Gjikondi: Ja taktika e çiftit Meta-Kryemadhi për të shpëtuar pronat e vendosura në mënyrë të paligjshme! Ja pse administrata Trump nuk do t’i heqë ‘non-gratën’ Berishës