DURRES - Një sherr i nisur në rrjetin e ndaluar social TikToktë miturit e përdorin ilegalisht në vendin tonë, nxiti konfliktin e rëndë në ish-kënetë të Durrësit, ku mbeti i vrarë me thikë në zemër Erion Boba, 15-vjec, nxënës i vitit të parë në shkollën “Dom Nikoll Kaçori”.

Burime të sigurta nga grupi hetimor thanë për Report TV se mesditën e 25 nëntorit, rreth orës 14:00, Erioni, bashkë me dy shokë mbërritën me makinë në një kryqëzim. Menjëherë pas tyre, mbërritën po me makinë, tre të mitur nga grupi tjetër, mes të cilëve edhe 14-vjeçari, autori i dyshuar i vrasjes. E çuditshme mbetet gjithashtu, se si të miturit lëvizin lirshëm me makina, kur mosha e lejuar për drejtimin e tyre, është 18 vjeç, njëra prej tyre e drejtuar nga Erjoni 15-vjeçar dhe tjetra, nga shoku i mituri i autorit. Pasi të dyja palët zbresin nga automjetet, qëllojnë njëri-tjetrin me grushte, ristela, dërrasa dhe me bishtat e çadrave. Për këtë episod të përplasjes mes grupeve, hetuesit nuk janë ende të qartë se cilët prej personazheve mbajnë sendet e forta, që u gjetën në vendngjarje të gjakosura. Ajo që dihet për hetuesit, është se gjatë sherrit, 14-vjeçari, tashmë i arrestuar, goditi 4 herë me biçak në kraharor Erionin 15-vjeçar, dy prej të cilave i prekën zemrën.  Hetuesit nuk i kanë ndihmuar për të kuptuar dinamikën, as pamjet e sigurisë, pasi në zonë nuk ka të instaluara kamera, por deri më tani i kanë ndihmuar dëshmitarët okularë që kanë parë sherrin mes adoleshentëve.

14-vjeçari bashkë me dy shokët që e shoqëronin, u larguan menjëherë duke u kujdesur të marrin me vete edhe armën e krimit nga vendi i ngjarjes. Pas negociatave me familjarët, policia e Durrësit arriti ta prangosë të miturit një ditë pas vrasjes. Thika u gjet në makinë, e njëjta me të cilën erdhën në vendtakimin që u kthye në skenë krimi. Arma e ftohtë ishte e pastruar nga njollat e gjakut.

Burimet thanë për Report TV se konflikti në rrjetet sociale, me sharje dhe ofendime kishte nisur mes shokut të Erion Bobës, dhe vëllait të autorit. Pra as 15-vjeçari që u vra me thikë, dhe as i mituri i dyshuar, nuk kanë qenë në konflikt me njëri-tjetrin. Dy të miturit, të cilët mësonin në shkolla të ndryshme, u bashkuan në pikën e takimit për të ndihmuar në përballjen e dhunshme që përfundoi në krim, njëri shokun, e tjetri vëllain.

Hetuesit thanë se deklaratat e të miturve të shoqëruar pas ngjarjes, kanë qenë kontradiktore dhe nuk e sqarojnë të plotë gjenezën e debatit. Në vijim pritet rimarrja e tyre në pyetje për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë e gjithsecilit.  Në pyetje është marrë dhe stafi pedagogjik, por sipas tyre nuk kanë pasur dijeni për konfliktin dhe se brenda shkollës nuk ka ndodhur asnjë sherr.

15-vjeçarit Erion Boba, ndërroi jetë pas 9 ditëve në spital dhe u përcoll në banesën e fundit më 5 dhjetor, në Bulqizë, qytetin e tij të lindjes. Familja e tij ka kërkuar drejtësi për të birin.