Ekskluzive/ Ekuador, kapen
145 kg kokainë, nisej në Shqipëri

Ekskluzive/ Ekuador, kapen<br />145 kg kokainë, nisej në Shqipëri
EKUADOR- Qindra kilogramë drogë, me vlerë miliona euro, janë sekuestruar orët e fundit brenda e jashtë kufijve, me protagonistë shqiptarët apo Shqipërinë, si vendburim apo vend tranzit. Më konkretisht, në Ekuador, autoritetet zbuluan 145 kilogramë kokainë, të paketuar në 125 pjesë, gati për t’u nisur për në Shqipëri. Në Gjermani u sekuestruan 700 kg hashash në një kamion të nisur nga Shqipëria, në Itali u arrestuan disa shqiptarë me kokainë dhe hashash, ndërsa brenda kufijve u kap gjysmë ton marijuanë.

Ekuador, 145 kg kokainë në kontenierin
e bananeve, nisur për në Shqipëri
Duke iu referuar informacionit të publikuar në mediet ekuadoriane e më konkretisht faqet elektronike “eluniverso.com”, apo “elcomercio.com”, ku citohet edhe gjigandi mediatik “Associaded Press”, mësohet se në dy operacione të veçanta, agjentët e antidrogës kanë konfiskuar 184.75 kilogramë kokainë, në portin Guayaquil. “Droga ishte ngarkuar dhe ishte gati për t'u dërguar në Evropë”- tha të martën Ministria e Punëve të Brendshme të Ekuadorit. Më tej nënvizohej se konfiskimi i parë ka ndodhur të dielën, gjatë një kontrolli rutinë, kur policia ka vënë re disa shenja te një kontenier me banane, i cili ishte gati për t’u nisur për në Shqipëri. Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ekuadorit vijon me frazën se “Në kontenierin që do të nisej për në Shqipëri, u gjetën 125 pako kokainë, me peshë totale prej 145,47 kg”.

Ndërkaq, nuk saktësohet nëse Shqipëria ishte vendi destinacion final i anijes me kontenierët e banave, ku u gjend kokaina, apo ishte vend tranzit i këtij mjeti lundrues. “Menjëherë më pas, në të njëjtin port, qentë e policisë zbuluan 35 pako kokainë, që peshon në total 39,28 kg, e fshehur në panelet e sistemit të ftohjes, në një anije që shkonte për në Qipro” ,tha ministria në një deklaratë, ku shtohet se “Janë shpallur në kërkim pronarët e drogës”. Ndërkaq, koloneli Vladimir Leon, kreu i Njësisë së Narkotikëve në Guayas tha se deri më tani, këtë vit, agjentët kanë konfiskuar 27.5 ton kokainë në porte e aeroporte, në Guayaquil. Më 25 tetor 2013, nga operacioni "Orteku" në Greqi, u kapën 16 persona me 145 kg kokainë në portin e Selanikut, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me banane, që ishte nisur nga Ekuadori për t’u futur në Europë, nëpërmjet Greqisë. Disa nga personat e arrestuar ishin shqiptarë. Realiteti shqiptar, shpeshherë ka njohur personazhe VIP të botës së mallit të bardhë, ku procesi “Kokaina” nxorri në dritë linjat kolumbiane të drogës së preferuar. Raportet e sotme të antimafies italiane dhe Europolit, po theksojnë gjithnjë e më shumë forcimin e pozitës së shqiptarëve në trafikun ndërkombëtar të kokainës, pas arrestimit të bosëve serbë.

Gjermani, 700 kg hashash
i nisur nga Shqipëria
“Doganat gjermane konfiskuan rreth 700 kilogramë marihuanë në autostradën A3 pranë qytetit jugor të Nurembergut”-thanë prokurorët të martën. Sipas “globaltimes.cn”, 686 kg drogë, me një vlerë prej rreth 2.7 milionë euro, ishin fshehur në një kamion që vinte nga Shqipëria. Prokurorët e Nurembergut thanë për një gazetë lokale se kjo është sasia më e madhe e marihuanës, e gjetur në Bavari, në 20 vitet e fundit. Zëdhënësja Antje Gabriels-Gorsolke citohet të ketë thënë se droga ishte padyshim duke u transportuar për në Holandë, por shoferi nuk kishte asnjë ide se kishte drogë të ngarkuar.

Gjysmë ton hashash në Shqipëri
dhe drogë shqiptarësh në Itali
Dy vëllezërit Ilir dhe Gani Meta, respektivisht 37 e 33 vjeç, u kapën dje me 400 kg hashash, teksa kishin ngritur një laborator të vërtetë përpunimi dhe paketimi. Ata e kishin mbjellë drogën në fshatin Pllag të Komunës Zall-Bastar, ku policia sekuestroi edhe 4 armë, kapsolla e fishekë. Ndërkaq, rreth 40 kilogramë kanabis sativa janë sekuestruar në pikën kufitare të Muriqanit, ku u prangos 50-vjeçari Nexhat Haziri nga Kosova, me banim në Kroaci, në një fuoristradë “Nisan”, me targa ZG 40 20 EM. Gjatë kontrollit ne pjesën e pasme të automjetit kanë vërejtur spostime të dyshimta pranë gomave. Policia në Viareggio arrestoi tri shqiptarë me 1,124 kg kokainë, që po transportohej në makinën “Mercedes Class A”. Ndërkaq, në Siena, u kap me 3 kg hashash një shqiptar, në kërkim prej 10 vitesh, i cili mbante 15 nofka.

faksimile, ekuador

Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 35 vjeçari (EMRI)

Ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 35 vjeçari (EMRI)