TIRANE - Pas akuzave të ashpra në media, se Lirak Bejko ishte një njeri i paguar nga Partia Socialiste për të bërë veprimin ekstrem të djegies me benzinë dhe se ai ishte i përzgjedhur në bazë të kartelës së tij shëndetësore për këtë akt ekstrem, duket se kryeministri Berisha po përpiqet të blejë edhe heshtjen e familjes së Lirak Bejkos, i cili u sakrifikua pikërisht si pasojë e indiferencës së tij. Me sa duket ai do të qetësojë ndërgjegjen, duke i marrë përsipër, së paku shpenzimet e varrimit dhe të sjelljes së trupit pranë familjes së tij, ndërsa e refuzoi dhe akuzoi në mënyrë të vazhdueshme sa kohë ai ishte gjallë.

Gjatë një vizite që bëri "Shqiptarja.com" në shtëpinë me qira ku banon familja e Lirak Bejkos përballë me shkollën "Sami Frashëri", rreth orës 15:00, rastësisht morëm vesh edhe lajmin se qeveria kish dërguar një 'korrier" për të kontaktuar me familjarët dhe biseduar me ta që t'i ndihmonte për të sjellë trupin e të ndjerit në Shqipëri. Në fakt gjithçka ndodh tek ashensori i hyrjes. Ndërsa presim të shtypin butonin me numër 5, që të çon në katin ku banon bashkëshortja Edlira me dy vajzat, papritur vjen një zonjë që ka një dyqan në hyrje të pallatit. "Të lutem i thuaj Edlirës ose vajzës së madhe të saj, të zbresë poshtë, se ka ardhur një zotëri nga kryeministria e do të takohet me të. Më tha që do të bisedojë për të marrë përsipër shpenzimet e varrimit dhe sjelljen e trupit në Shqipëri. Unë nuk mund të ngjitem lart se e kam dyqanin vetëm. Të lutem ma kryej këtë porosi se është e rëndësishme për ta dhe ai po e pret poshtë", - na thotë ajo, pasi merr vesh që po shkojmë te shtëpia ku edhe banon familja e Lirakut. Në fakt, tek shtëpia e Lirakut nuk ka asnjë familjar. Derën e hap një komshi, i cili na thotë se banon një kat me lart dhe kishte hyrje e dalje me ta. "Nuk di çfarë të të them, - na përgjigjet ai. - mua më kanë lënë çelësin që ta kem për çdo nevojë që ata mund të kenë. - Nëse duan të kontaktojnë me Edlirën ata janë në Laprakë, ku edhe po bëjnë ceremoninë mortore. Këtu nuk ka njeri dhe unë nuk u kam as numër kontakti", - na thotë personi që gjejmë në shtëpi.

Pas këtij dialogu zbresim poshtë dhe i themi zonjës së lokalit, e cila na la porosi që të njoftonin familjen e Bejkos për njeriun e rëndësishëm që e priste poshtë, se ajo nuk ndodhej në shtëpi dhe e pyesim ku ndodhet zotëria i qeverisë. "Sapo u largua me makinën që erdhi. Më tha që i kish gjetur numrin e telefonit Edlirës dhe do përpiqej që të lidhej me të në telefon. Ishalla u bëjnë ndonjë gjë se ata janë shumë të varfër. Unë i njihja shumë mirë, Edlirën dhe vajzën, se Liraku vinte shumë rrallë ngaqë gjatë gjithë kohës ishte në Skrapar ku edhe punonte në një gurore. Me vjen shumë keq edhe për jetën e tij, edhe për familjen e tij. Ishin njerëz të mrekullueshëm", - na thotë gruaja e lokalit të pallatit, e cila na shpjegon se vajza e madhe vinte shpesh tek lokali i saj.

FAMILJARËT
Familjarët e Lirak Bejkos në të vërtetë as e mohojnë e as e pohojnë nëse kanë pasur ndonjë kontakt nga qeveria, për ceremonialin e të afërmit të tyre apo kthimin e trupit të tij në vendin tonë. Ata thonë se gjithçka thuhet në media është thjesht lojë politike dhe ata nuk do të pranojnë asnjë ndihmë nga qeveria nëse u ofrohet. "Ne do e bëjmë gjithçka vetë. Ka pasur shumë biznese që na janë ofruar për ndihmë dhe ne i falënderojmë me gjithë zemër. Nuk kemi pse e mohojmë. Jemi keq financiarisht dhe mirëpresim çdo ndihmë, por nuk do të pranojmë asgjë nga qeveria. Gjithçka që thuhet në media, është vetëm lojë politike. Njëherë thonë se e përdori politikisht PS-ja dhe njëherë tjetër që do marrin përsipër shpenzimet. Ne duam të qëndrojmë larg kësaj loje dhe të nderojmë të afërmin tonë siç i takon", - na thonë familjarët e Lirak Bejkos, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë në Bari të Italisë, ku edhe kurohej që prej datës 12 tetor, pas një tentative për vetëdjegie.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)