Luhatjet e shumta të rezultateve, dëmtimet dhe peripecitë janë lënë pas te Partizani. Të kuqtë janë rikthyer te rezultatet pozitive, pasi kanë siguruar 4 fitore radhazi dhe renditen në vendin e 5, në luftë me Dinamon për të siguruar ‘final-four’.
“Ne kemi pasur një fatkeqësi të madhe, pasi që në fillim fare infermieria ka qenë plot. Janë vrarë. Tani përveç prurjeve në janar po vijnë edhe ata që kanë qenë të dëmtuar. Ka lojtarë që s’e ka parë asnjeri dhe mund të them që është nga lojtarët më të mirë që kanë hyrë në Shqipëri,”-u shpreh Gaz Demi, president i Partizanit.
Në intervistën ekskluzive për Report TV, presidenti i Partizanit Gazmend Demi thotë se mos kualifikimi në Evropë, përmes kampionatit ose Kupës është i papranueshëm.
“Të falimentum komplet. Që nga unë i pari, Partizani dhe të gjithë drejtuesit e mi,”-tha presidenti i të kuqve.
Për numrin 1 të klubit vetëm kualifikimi në grupet e Conference League mund të shpërblejë investimin e madh të bërë tek të kuqtë.
“Ky vit duhet të jetë viti që ne duhet të luftojmë për grupet e Conference League. Për këtë e them fjalën faliment,”-deklaroi Gaz Demi.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, në fund të 2025, i është hapur rruga përfundimit të kompleksit ‘Arena e Demave’, ku parashikohet edhe ndërtimi i 3 fushave përveç hotelit dhe stadiumit të inauguruar në 2022.
“Për nja 10 ditë ne mendojmë që të fillojë puna. Do të kem shumë dashuri që ta mbarojmë punën jo vitin tjetër kur të jetë kampionati evropian, sepse është miratuar edhe stadiumi ynë aty, por të jetë gati për sezonin tjetër. Që çdo ndeshje të bëhet atje dhe të përfundohet rruga e të gjitha,”-u shpreh Demi.
Presidenti Demi ndër të tjera evidentoi që nëse ligji i sponsorizimeve nuk do të miratohet, teksa është premtuar gjatë këtij viti disa herë nga politikanët, futbolli do të shkojë drejt shkatërrimit, pasi presidentët do të ndalojnë së investuari pasuritë familjare.
Komente











gjigand president GAZI
Përgjigju