Shqetësimi i mijëra mësuesve të diplomuar para reformës së Bolonjës duket se po afrohet drejt një zgjidhjeje ligjore, por me pikëpyetje të mëdha për pasojat financiare të deritanishme.
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet miratoi ndryshimin e propozuar nga deputetja e partisë socialiste, Evis Kushi, i cili synon që diplomat e marra para hyrjes në fuqi të Sistemit të Bolonjës të njihen si arsim i lartë me tetë semestra, ekuivalente me modelin 3+2, por vetëm për efekt page.
Nisma vjen pas vendimit të 26 qershorit 2024, i cili rishikoi kategoritë e pagave dhe, sipas Kushit, preku 6,761 mësues. Kjo shifër, e referuar nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, përkthehet në një efekt financiar prej 203,484,000 lekësh në vit për buxhetin e shtetit.
“Në total, efekti financiar për 6,761 mësues, të cilëve u ka ndryshuar paga e grupit për shkak të nivelit të diplomës, llogaritet në 203,484,000 lekë në vit”, deklaroi deputetja Kushi.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar kundërshton shifrën zyrtare, duke argumentuar se numri i të prekurve është më i lartë, pasi përfshin edhe mësuesit e arsimit parashkollor në varësi të bashkive. Sipas saj, mbi 11 mijë edukatorë dhe mësues në arsimin parauniversitar janë ndikuar nga ndryshimet.
Për Report Tv, deputetja Kushi dha një përgjigje edhe pyetjes nëse do kompensohen mësuesit, për pagat e humbura që nga hyrja në fuqi e vendimit të qershorit 2024. Ajo thotë se nëse parashikohet diçka e tillë në ndryshimet ligjore, rrezikohet që të shpallet antikushtetues, pasi ligjet nuk kanë efekt prapaveprues.
Opozita dhe përfaqësuesit e sindikatave kërkuan sqarime të qarta nëse do të rimbursohen pagat e humbura që nga hyrja në fuqi e vendimit të qershorit 2024, por mazhoranca nuk dha një angazhim konkret.
Ndryshimi i propozuar parashikon të përfitojnë mësuesit dhe edukatorët me diplomë të ciklit të parë dhe/ose të dytë, apo të barazvlefshme me to, të punësuar me kohë të plotë dhe pa afat përpara 1 marsit 2017. Bëhet fjalë për ata që kanë përfunduar studime 4-vjeçare para Bolonjës, të cilat deri më tani janë trajtuar si “Bachelor”, si dhe për mësuesit me “Master Profesional” 60 ose 90 kredite.
Komente










