TIRANË - Kapet anëtari i bandës së Yzberishtit, Ilir Avdillari, i arratisur nga burgu, pasi mori një javë leje. Sipas burimeve të "A1 Report", Ilir Avdillari u kap sot herët në mëngjes në afërsi të Rrogozhinës, në shoqëri të nipit të tij 10 vjeç pikërisht në shtëpinë e një të panjohuri, një anëtari të komunitetit rom, Ahmet Aliu, 50 vjeç. "I dehur", me nipin e vogël "të uritur" dhe që e "zinte gjumi në këmbë", Avdillari ka trokitur në shtëpinë e një të panjohuri për t'i kërkuar ndihmë.

Por policia kishte zbuluar më parë lëvizjet dhe vendin se ku po fshihej së fundi 42-vjeçari, anëtari famëkeq i bandës së Yzberishtit në vitet ’97-’98 në Tiranë, i cili ishte dënuar me 22 vjet burg, por të cilit i kishin mbetur ende edhe 3 vjet e 4 muaj për të shlyer.  Avdillarit i ishte dhënë një leje prej 7 ditësh, por ai nuk është kthyer në burg pas skadimit të afatit. I arratisuri ishte shpallur në kërkim nga policia si person me rrezikshmëri të lartë, që ka ikur nga vendi i vuajtjes së dënimit. Prej dy ditësh ai duhej të ishte kthyer në burg, por megjithatë është arritur të kapet në një kohë të shkurtër.

I ZOTI I SHTËPISË: NUK E NJIHJA ME PARË, ISHTE ARIXHI SI UNË

“A1 Report” ka intervistuar direkt në linjë telefonike të zotin e shtëpisë, Ahmet Aliu. Ai ka shpjeguar hapur detaje të hollësishme mbi ngjarjen, duke dëshmuar se ka qenë ora 9 e gjysmë o 10 pa një çerek e mbrëmjes, kur fillimisht një djalë i vogël, rreth 10 vjeç, i ka trokitur në derë dhe i ka kërkuar bukë dhe strehë për një natë.

“Dua bukë” - më tha i vogli - Unë futa të voglin. Pas të voglit erdhi edhe i madhi, daja a xhaja, ku ta di unë kush ishte. "Ishte në gjendje të dehur  në shoqërinë e nipit, një fëmije. Ai nuk më tregoi se kush ishte, thjesht më kërkoi ndihmë dhe një strehë, pasi, siç më thanë, "kishin mbetur rrugës". Më bëri përshtypje një njeri në atë gjendje, më erdhi keq  dhe u hapa derën. I futa në korridor, duke bërë muhabet. U nxora një kafe. U bëra dy kokrra vezë. Çunin e zinte gjumi në këmbë. E vumë në gjumë. “I madhi ndenji dhe pak me mua”, ka rrëfyer Aliu.

Pyetjes së gazetares së A1 Report se “ndërkohë a patët dyshime”, Aliu iu përgjigj: E pyeta nga je. Më tha: “Jam nga Tirana”. Më pyeti, a e njeh filanin? Patëm të njohur, e pastaj arixhi ai arixhi unë, domthënë kurbat, nga komuniteti rom dhe kështu ia hapa derën”, ak thënë Aliu. Por vajti ora 11 dhe në shtëpinë e Aliut mbërriti policia. “Djali i vogël ishte në gjumë kur erdhi policia. “Kur më hyri policia në shtëpi u çmenda, thashë çfarë ka ndodhur, po më vrasin në shtëpi, s’dija asgjë", shtoi Aliu, duke shtuar se "policinë e kam ende në shtëpi".

INSPEKTORI I RROGOZHINËS: I ZOTI I SHTËPISË S'KA LIDHJE


“Pas gjithë informacioneve që pati, policia arriti të gjente vendndodhjen e personit. Avdillari nuk ka pasur njohje në qytet dhe ka çuar fëmijën fillimisht”, pohon Fatmir Gjurgji, inspektor policie në Rrogozhinë, duke përjashtuar njohjen e mëparshme të të zotit të shtëpisë me të arratisurin e kësisoj duke larë nga “mëkati” edhe të zotin e shtëpisë.

PEZULLOHET DREJTORI I BURGUT

Por kjo nuk ka mjaftuar si ngushëllim për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra - i angazhuar vetë personalisht në operacionin e kapjes së të arratisurit - dhe ka urdhëruar shkarkimin e drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, Ligor Prifti, burg ku vuante dënimin dhe mori lejen 7-ditore Avdillari. 

PRIFTI: LEJEN JO UNË, POR KOMISIONI

Drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Ligor Prifti është prononcuar për mediat pas pezullimit të tij, duke pohuar se të dënuarit Ilir Avdillari i është dhënë leje për disa ditë dhe ai duhej të kthehej dje në qeli. “Po, është e vërtetë që i është dhënë leje të dënuarit Ilir Avdillari.

 Duhej të kthehej dje, por ai nuk u kthye në qeli”, – tha drejtori duke shtuar se "leja nuk është dhënë me iniciativën time personale" Sipas Priftit, "leja nuk jepet nga drejtori, por miratohet nga një komision i veçantë, që vendos për lejet e të dënuarve".

VRASJA E STEFANO ROSSI-T

Avdillari gjendet në burg, pasi bashkë me vëllezërit e tij, Fatmir dhe Nazmi Avdillari janë akuzuar se kanë vrarë më 27 janar ’98 biznesmenin italian Stefano Rossi, pronari i fabrikës “Niki Shoe”. Ngjarja ka ndodhur 100 metra larg fabrikës, kur biznesmeni italian sapo kishte tërhequr 30 milionë lireta nga Banka Italo-Shqiptare. Avdillari është akuzuar edhe për shumë veprat ë tjera penale.

VRASJA E TË FORTIT TË SELITËS


I forti i Selitës (lagje e Tiranës), Shkëlqim Xhabafti është vrarë në fillim të vitit 1998, nga rivalët e tij të bandës së Yzberishtit dhe konkretisht nga krerët e saj, vëllezërit Avdillari. Këta i kishin grabitur makinën një biznesmeni grek dhe ky i fundit i kërkon ndihmë Xhabaftit. Kapoja i Selitës, së bashku me një inspektor rendi, ka shkuar te rivalët, për të biseduar se si mund t'ia kthenin makinën grekut. Por, në bisedë e sipër, gjakrat janë nxehur me vëllezrit Nazmi e Ilir Avdillari.

AVDILLARI, NJË NGA SHUMË TË ARRATISURIT

Avdillari është një nga shumë të dënuar shqiptarë, që kanë ikur me leje e nuk janë kthyer më në vendet ku ishin caktuar me vendime gjykate të vuanin dënimet e tyre për vepra penale. Në çdo rast, prokuroria dhe policia kanë nisur hetimet, por thuajse asnjëherë nuk janë penalizuar drejtuesit e burgjeve, që u kanë dhënë leje të dënuarve që nuk kthehen më. Rasti i Ligor Priftit është i pari.

Redaksia online
(ma/ar.sh/shqiptarja.com)