Pas më shumë se një dekade Partizani i 19-vjeçarëve është kampion i Shqipërisë në futboll, ndërsa gjatë sezonit të kuqtë fituan edhe Kupën e Shqipërisë. Arritje të jashtëzakonshme me kontributin e madh të kapitenit Erald Rrenga, i cili u shpall edhe golashënuesi më i mirë i sezonit me 13 gola në kampionat dhe 3 në kupë.
“Si fillim nuk e nisa që të shpallesha golashënues, por të arrija objektivat e klubit. Të dilnim kampion si në kupë ashtu edhe në kampionat. Me ndihmën e ekipit, por edhe me mbështetjen që më dha profesori Fation Muhameti ia arrita të dal golashënues,”-u shpreh Erald Rrenga, kapiten i Partizanit U-19.
Për Report TV 18-vjeçari tregoi se futbollin e ka nisur që 7 vjeç, i shtyrë nga babai i cili e dalloi talentin e Eraldit. Sulmuesi anësor në verë do të përfaqësojë Partizanin edhe në kupat e Evropës, pasi si kampionët e Shqipërisë të kuqtë do të marrin pjesë për herë të parë në Champions League e të rinjve.
“Është një emocion shumë i madh të përfaqësosh Partizanin në Kupat e Evropës. Partizani kishte 13 vite që nuk shpallej kampion në grup moshën tonë dhe ta arrinim ne ishte një emocion që nuk mund ta përshkruash,”-tha Erald Rrenga, kapiten i Partizanit U-19.
Si një talent i ri me shumë pasion Eraldi pret me padurim debutimin me ekipin e parë.
“Mezi e pres debutimin me ekipin e parë, por besoj se duhet të punoj akoma më shumë dhe të mos heqë dorë nga kjo që po bëj. Besoj do t’ia arrij edhe asaj dite,”-tha Erald Rrenga, kapiten i Partizanit U-19.
Përtej golave shokët e skuadrës e vlerësojnë Eraldin për paraqitjet e qëndrueshme, shpirtin e garës dhe lidershipin si kapiten, duke e konfirmuar si një prej talenteve më premtuese në akademinë e një klubi historik si Partizani.
Komente








