Ekskluzive/ Letra e panjohur e
Enver Hoxhës për Zef Malën

Ekskluzive/ Letra e panjohur e<br />Enver Hoxhës për Zef Malën
TIRANE- Kjo letër e 1 gushtit 1943, e shkruar nga Enver Hoxha për Zef Malën ngjall kureshtje, sidomos duke e vënë përballë një letre po të Hoxhës, të disa muaj me vonë, në prill ‘44, për Nako Spirun ku jepet mandata “plumb kres Zef Malës”.

Letra me mandatën është e njohur tashmë. Gazeta jonë e botoi bashkë me faksimilet para pak javëve. Fragmenti i urdhrit për egzekutim është ky: “Zef Mala të mos shkojë në Kosovë. Përkundrazi ta dekoroni me një plumb kres. Ay s’është i mirë dhe duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por në as një mënyrë të mos lihet mas dore këjo punë si kundër i ka lënë mas dore shoku Hysen të tjerat këshilla që i kemi dhënë dhe për të cilat është përgjegjës... 4.4.1944.”

Por çfarë ksihte ndodhur mes këtyre personazheve dhe cili qe burimi i kësaj urrejtje të Hoxhës deri në artikulimin e një urdhëri të hapur për pushkatim. Pikërisht letra që sjellim sot, tregon një pjesë të mirë të mozaikut të mosmarrëveshjeve dhe kësaj armiqësie.
Në gusht të 1943, kohë kur shkruhet kjo letrë e panjohur nga Hoxha për Zef Malën, duket se në marrëdhëniet mes tyre kishte mbërritur një çast paqtimi edhe pse plot dyshime.

Zef Mala ishte Kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës. Ai ishte vënë në shenjestër të Hoxhës dhe udhëheqve të Partisë koministe, në kohën kur lufta ndaj anëtarëve të ish-grupeve komuniste, ishte thelluar. Akuzat ndaj tyre siç artikuloheshin shpesh nga Hoxha, lidheshin me “dëmin që i shkaktonin ata partisë komuniste, ndërsa punonin nën rrogoz për hesap të vet”.

Letra e Hoxhës e 1 gushtit ’43 (të cilën e sjellim të plotë bashkë me faksimilen e saj) zbulon një moment të veçantë për Zef Malën. Ai ka bërë autokritikë para partisë Komuniste dhe Hoxha i dërgon këtë letër ku përveçse e përgëzon për këtë qëndrim nuk heziton t’i kujtojë se sa e kanë dëmtuar grupazhet  lëvizjen  Komuniste. “...Ato kanë penguar formimin e Partis, ata kanë sëmurur mjaft shokë dhe konseguencat e punës së vjetër grupashe, për fatin e keq të Partis s’onë ndihen dhe shikohen herë pas here gjatë luftës dhe përpjekjeve..”, i shkruan Hoxha Zef Malës, duke i kujtuar se varet vetëm prej tij, “që me prova të tregosh se me të vërtetë je shkëputë krejt nga mënyra e punës dhe mendimeve të vjetra...”

Se sa zgjati ky paqtim mes Hoxhës dhe Zef Malës, e dëshmojnë letrat e disa muajve më vonë, ku vlen të veçohen ato mes Hoxhës e Nako Spirut, ku në njërën prej tyre (mars ‘44), Hoxha i përmend të gjithë elementët e rrezikshmë të grupazheve mes tyre edhe Anastas Plasarin e Zef Malën. Ndërsa në letrën e 4 prillit sikurse e cituam edhe më sipër Hoxha i jep goditjen e fundit duke porositur t’i japin një plumb kresë. Por mejgithëse dënimi ishte i vendosur që të ekzekutohej me çdo kusht Zef Mala arriti ti shpëtojë vdekjes. Pas lufës ai arrestohet dhe dënohet tre herë me burg deri sa vdiq më 1979.
 
Dokumenti i plotë
1/8/43
Shokut Zef Mala
 
Shok,
Autokritikën t’ënde e kemi marrë, kemi kohë, por s’kemi mundur me të dhënë përgjegje të shpejtë për arsye pune dhe lëvizje të dëndura.
Na vjen mirë kur shohim se ti ke kuptuar gabimet e tua të shkuara dhe tash paraqite para Partis me nji autokritikë, me nji vullnet të ri, dhe gadi me dhanë çdo gja për Partin dhe për mbarëvajtjen e saj.

Gabimet e bamuna prej ish grupevet të ndryshme komuniste, i kanë bamë dëm të madh lëvizjes s’onë; ato kanë penguar formimin e Partis, ata kanë sëmurur mjaft shokë dhe konseguencat e punës së vjetër grupashe, për fatin e keq të Partis s’onë ndihen dhe shikohen herë pas here gjatë luftës dhe përpjekjeve.

Nji hendek i thellë e ndan punën e vjetër të pa-principtë, ma të shumtat e herës jo komuniste me punën e re të Partisë. Gjak i ri dhe i pastër lëvrin në radhët e saj dhe ky gjak i ri bëri që Partija e jonë e re të mëkëmbet, të forcohet, të hidhet në luftë, të udhëheqë popullin dhe te shkojë nga sukseset në suksese; lufta e pa-rreshtur dhe gjaku i shokve të rënë i forcoi dhe i çimentoi radhët e Partisë.
Me plot të drejtë e pohon dhe vet në autokritikën t’ënde se, qëndrimi politik i yti i vjetër ka qënë i gabuar; jo komunist ka qënë edhe qëndrimi i yt përpara gjyqit.

Vendimi i marrun nga Komiteti Qëndror karshi teje ka qënë i drejtë dhe dënimi i peshuar mirë. Por sikundër që e di çdo dënim që jep Partija ka nji karakter edukativ dhe ajo ndihmon të ngrihen, të gjejnë rrugën e drejtë, të gjithë ata që kanë gabuar dhe që i njohin gabimet e tyre dhe që i a rifillojnë punës së re me gjithë vullnet dhe bindje.

Nga ana tjetër qëndrimi i Partis asht i prerë dhe i pa-mëshirshëm kundër gjithë atyre që vazhdojnë të pengojnë punën dhe të dëmtojnë Partinë dhe radhët e saj.
Përsa i përket tezave të tua të shkrojtura mbi çështjen Shqiptare që prej 38-41 nuk i kemi të gjitha dhe do të jetë mirë që të na i çoni që të mundim t’i shqyrtojmë me imtësi; por sikundër që e thua vet n’autokritikën për skjarime dhe kritikën e tyre duhet t’a lëmë kur të vijë momenti që të jesh jashtë, pse vetëm duke e diskutuar gjërë e gjatë së toku besojmë se do të të skjarojmë dhe të të bindim mbi sa mund të kesh gabuar.

Mjafton vullneti i mirë i yti, bindja e jote ndaj Partis dhe forumeve të saj dhe zbatimi i direktivave që ti të shkosh drejtë rrugës së Partisë. Kjo e fundit do të të japi përkrahjen, do të të japi dorën të ngrihesh; varet vetëm nga ty që me prova të tregosh se me të vërtetë je shkëputë krejt nga mënyra e punës dhe mendimeve të vjetra, se autokritika që ke bërë të ka shërbyer për ndreqjen e gabimeve dhe për të shkuar pastër përpara.
Besojmë se do të ngjasi kështu.

Kemi lajmërue shokët e Tiranës që të të çojnë rezolucionet e ndryshme që ka nxjerë Partija dhe materjalin propagandistik; këndoji me vërejtje dhe kërko shpjegime nga shokët, të cilët kurdoherë do të jenë gadi të të ndihmojnë gjithashtu dhe neve.
Të fala shoqnore
Për Komitetin Qëndror të Partis
Komuniste Shqiptare:
SHPATI.
 
AQSH, Fondi 14/ dosja 33/ viti 1943


Shkrimi u publikua sot (01.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë