Ekskluzive/ Miqësorja me Arabinë Saudite dhe ftesa e munguar për në Kombëtare, Eduart Rroca nga Turqia: FSHF s'ka skautë për ne, jemi pesë  shqiptarë këtu

Ekskluzive/ Miqësorja me Arabinë Saudite dhe ftesa e munguar për në Kombëtare, Eduart Rroca nga Turqia: FSHF s'ka skautë për ne, jemi pesë  shqiptarë këtu

Eduard Rroca në një ndeshje me

Eduart Rroca ende e pret një ftesë nga kombëtarja shqiptare e futbollit. Kapiten i  Istanbulspor në Superligën turke, 29 vjeçari luan sezonin e tretë në Turqi, duke qenë ndër  lojtarët më të mirë për të tijtë, teksa dha kontributin e madh në ngjitjen e këtij ekipi në  elitë. I lindur në Librazhd, Rroca spikati me Luftëtarin në Shqipëri, për të kaluar më pas  te Kukësi. Sezoni i mirë me verilindorët në 2019-20 bëri që turqit të paguanin 325 mijë  euro për shërbimet e tij. Menjëherë Rroca spikati në fushë, duke shënuar edhe gola  spektakolarë për të merituar shiritin e liderit në krah.

Si ndër lojtarët më të spikatur dhe në formë, Report Tv u interesua për të ditur nëse 29  vjeçari kishte një ftesë nga Kombëtarja. Kuqezinjtë luajnë në 26 tetor miqësoren me  Arabinë Saudite, kjo për emrat e rinj që mund të ftohen apo lojtarët që nuk kanë shumë  minuta me fanellën e kombit. Për Report Tv, Rroca tregon se askush nuk e ka kontaktuar,  duke u ndjerë "i harruar". "Më duket se nuk e dinë që edhe unë jam shqiptar", thotë Rroca mes të tjerash.Kujtojmë se te Istanbulspor luajnë edhe Kristal Abazaj dhe Sidrit  Guri, me Rrocën që thotë se nuk ka parë vëzhgues nga FSHF për ta. Pak muaj më parë  Valon Et'hemi, ish-sulmuesi i Kukësit zgjodhi Maqedoninë e Veriut, ndërsa edhe Jetmir  Topalli i Kosovës plotëson "5-çen" shqiptare te Istanbulspor.

 Në kuadër të ndeshjes miqësore me Arabinë Saudite në 26 tetor, keni një ftesë nga  Kombëtarja?
Jo, nuk kam një ftesë. Më duket se nuk e dinë që edhe unë jam shqiptar.

Si është forma juaj pas dëmtimit dhe pse mendoni se nuk e keni një ftesë?
Forma tani është e mirë, kam lënë gjithçka pas me dëmtimin. Kam një muaj që stërvitem  100 përqind me ekipin. Kam luajtur në dy ndeshjet e fundit në Superligën turke duke  shënuar dhe ndihem mirë fizikisht. Nuk e di ç'të them që mungon një thirrje nga FSHF.

Sezoni i tretë titullar dhe një nga më të rëndësishmit në fushë si kapiten. Në ndeshjet e  fundit të Nations League kishte lojtarë me shumë pak minuta në këmbë që ishin pjesë e  listës...
Është sezoni im i tretë këtu dhe ky është më i rëndësishmi sepse jemi në Superligën  turke dhe jam kapiteni i ekipit. Ekipi është duke bërë mirë dhe kemi luajtur ndeshje të  mira. Për ftesën e munguar jam mësuar tani. Cdo gazetar më pyet çdo herë që luan  Kombëtarja se përse s'të ftojnë. Nuk e di këtë përgjigje, e dinë të tjerët.

Kombëtarja është ëndrra e çdo futbollisti, demoralizoheni që pas paraqitjeve të mira  dhe shiritit të kapitenit nuk e keni një ftesë?
Normalisht ka pasur dhe raste kur jam mërzitur sepse kurrë nuk eshtë interesuar dikush  për mua apo të më telefonojë dikush nga Federata, qoftë edhe një interesim të vogël. Po  s'kemi ç'të bëjmë, jeta dhe futbolli vazhdon.

Et’hemi zgjodhi Maqedoninë e Veriut, në dijeninë tuaj ka pasur skautë të FSHF për t’ju  ndjekur në stadium?
Jo, asnjëherë s'ka pasur skautë të Federatës për të parë ndonjë ndeshje tonën. Kemi  luajtur ndeshje të rëndësishme, si përshembull vjet në play-off apo sivjet ndeshje në  Superligë. Edhe pse jemi 3 shqiptarë të Shqipërisë në ekip, plus Et'hemin dhe Topallin  bëhemi 5 shqiptarë. Askush s'ka ardhur kurrë për të na parë.

A e pret ende Rroca një ftesë për të kontribuar për kombin?
Normalisht, çdo njeri e pret deri në momentin që tërhiqet nga futbolli.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Greqi, çifti i turistëve amerikanë bie në greminë, vdes partneri! Gruaja në vdekje klinike, humb edhe foshnjën! Familjarët dhurojnë organet

Tragjedi në Greqi, çifti i turistëve amerikanë bie në greminë, vdes partneri! Gruaja në vdekje klinike, humb edhe foshnjën! Familjarët dhurojnë organet