Dritan Goxhaj, një personazh që së fundmi ka marrë një rol protagonisti në protestat para Kryeministrisë apo edhe të martën në sherrin para Kuvendit, kur edhe u shoqërua nga policia, thoshte pak ditë më parë në një intervistë se ai ka qenë nën urdhrat e Bislim Zyrapit, ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK, duke iu përgjigjur kështu akuzave se ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e luftës së Kosovës.

Report Tv kontaktoi ekskluzivisht me ish komandantin, Bislim Zyrapi. Pyetje se a është e vërtetë që Dritan Goxhaj në 1999 ka qenë nën urdhrat e tij, Zyrapi jep këtë përgjigje.

"Është e vërtetë dhe të kuptohet një sen. Unë kam qenë në atë kohë, kur Dritani është kyçyr, kam qenë komandant i operacionit Shigjeta. Kam drejtuar gjithë atë operacionin. Dhe Dritani ka qenë i kyçyr, pra ka qenë e pjesë e operacionit", tha Zyrapi. 

Gjatë bisedës me Report Tv ish komandanti i njohur i luftës së Kosovës lë të nënkuptohet se Dritan Goxhaj nuk ka qenë në vijën e parë të frontit.

“Të gjithë janë vijë të frontit. Qoftë prapavija, edhe veprimet e tjera, mund të jenë edhe prapavijë. Ka dhe dokumente të tjera që tregojnë në cilën kohë ka qenë i kyçur.

Për debatet e krijuara në Tiranë apo edhe në Prishtinë, Zyrapi jep vetëm këtë koment, duke iu referuar edhe leximit nga ana e Goxhajt në protestë të 5 kërkesave të protestuesve.

"Mbas 30 vitesh të flitet për këtë çështje, nuk e di. Dritani nuk është prezantuar si ish ushtar i UÇK, apo në emër të UÇK, apo në emër të veteranit", u shppreh ish Shefi i Shtabit të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës. 

Nga hulumtimi i dokumenteve, Report Tv ka zbuluar se Dritan Goxhaj ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vetëm më pak se 4 muajt e fundit të luftës, nga 1 marsi 1999 deri në qershor, kur mbaroi lufta. Këtë e ka konfirmuar edhe babai i tij., Dilaver Goxhaj, i cili ka mbajtur postin e zv. Shefit të Përgjithshëm të Shtabit të UÇK, në një intervistë ku thoshte se djalin e dinte emigrant në Greqi për një shkollë aviacioni, kur papritur në mars 1999 mësoi se ai ishte bërë pjesë e UÇK si shoqërues i disa oficerëve amerikanë.