EKSKLUZIVE/ Gazetari italian i luftës nga Kievi për Repolitix: Nëse blindat ruse hyjnë në Kiev do ketë luftë guerrilase! Derdhja e gjakut të të rinjve, turp dhe krim për Putin

Fausto Biloslavo, një prej gazetarëve më të njohur të luftës në botë, që ka raportuar nga konfliktet ushtarake më të ashpra nga Irani, Qiproja, Libia, Sudani, Uganda, Filipinet dhe Afganistani, dhe nuk mund të mungonte në përplasjen më të madhe ushtarake në Evropë që nga lufta e dytë botërore, pushtimin  rus të Ukrainës. Nga fushëbeteja e Kievit, në një intervistë ekskluzive për emisionin Repolitix në Report Tv me gazetarin Denis Minga, Biloslavo rrëfen se trupat ruse kanë hedhur 6 raketa gjatë natës, ndërkohë një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar shumë pranë hotelit të gazetarëve. Ai tregon se autokolona e gjatë ruse ndodhet vetëm 20 km larg kryeqytetit. 

Teksa e përshkruan Kievin aktual si një qytet fantazmë ku mbizotërojnë postblloqet dhe njerëz të armatosur, gazetari italian tha se në 2022 nuk do e kishte menduar kurrë që një sulm i tillë i përgjakshme të ndodhte në zemër të Europës. Ai tha se nëse palët nuk ulin armët dhe dakordësojnë për armëpushim, atëherë gjakderdhja do të jetë e madhe, ndërsa hyrja e forcave ruse me autoblinde në Kiev do të shkaktonte një luftë guerrilase.

Në Ukrainë janë shumë të rinj ukrainas që po stërviten dhe po krijojnë molotov, pasi janë gati të japin jetën e tyre për atdheun. Sipas gazetarit italian nëse rusët derdhin gjakun e tyre atëherë ky konflikt do kthehet në turp dhe krim të pashlyeshëm për Vladimir Putin. Lidhur me kërkesën e Ukrainës që kërkojnë “no fly zone” për të ndaluar rusët të hyjnë në hapësirën ajrore të tyre, gazetari tha se  nëse NATO do të ndërhynte do të shpërthente lufta e tretë botërore. 

Përshëndetje Fausto, 

Fausto Biloslavo: Përshëndetje nga Kievi

Fillimisht, ku ndodheni ju dhe si është situata aty?

Fausto Biloslavo: Në këtë moment ndodhem në një nga lagjet që po organizon rezistencën nëse do të ketë një sulm nga ushtria ruse, në një shkollë që po përdoret si një vendstrehim nga banorët për të fjetur gjatë natës, edhe pse këtë natë janë dëgjuar disa herë sirenat e alarmit anti-ajror, sidomos për faktin se kanë rënë disa raketa mbi kryeqytet , të paktën 6 raketa mes kryeqytetit dhe rrethinave të tij, dje rreth orës 24:00 apo një të natës kemi dëgjuar një shpërthim të fortë shumë afër hotelit të gazetarëve që ndodhet në sheshin 'Meidan' aty ku filloi gjithçka, ndoshta një nga objektivat ishte ministria e Mbrojtjes por s’kemi konfirmim për këtë gjë,  në çdo rast është e dukshme se rusët po fillojnë të bombardojnë edhe kryeqytetin.

Sa afër kryeqytetit Kiev janë forcat ruse?

Fausto Biloslavo: Atëherë, autokolona e madhe prej 63 km e gjatë e forcave ruse që shkon nga Kievi në Cernobil me qindra mjete të armatosura, të blinduara dhe me forcat çeçene të përfshira në trupat ruse ndodhet rreth 20 km nga qyteti. Ukrainasit hodhën në erë dje një urë për të ngadalësuar marshimin rus, edhe pse në të vërtetë trupat janë të ndaluara për momentin por dje kemi parë nga periferitë e Kievit shtëllunga tymi të zi rreth 2-3 km larg , që do të  thotë se rusët po fillojnë të shtrojnë terrenin para autokolonës, ose për t’u kthyer në shtëpi ose për të avancuar drejt kryeqytetit.

Pikërisht me këtë ritëm për sa kohë rusët do të mund ta merrnin Kievin?

Fausto Biloslavo: Është e vështirë të bësh një parashikim të kësaj natyre edhe sepse duhen parë sesi do të shkojnë negociatat mes palëve,  edhe pse këtu askush nuk shpreson shumë , po le të themi se për të rrethuar qytetin duke lënë ndoshta një rrugë kalimi në jug do t’u duhen rreth 1 javë, megjithatë më pas sulmi mund të zgjasë edhe një muaj apo më shumë. Përshtypja që kam është se Kievi është një qytet fantazmë, ku mbizotërojnë postblloqet, barrikadat, njerëz të armatosur, u kanë dhënë armë civilëve, janë të rinj ukrainas që përgatisin molotov, pa dyshim që nuk do të ndalonin rusët, por nëse ata hyjnë do të derdhej shumë gjak, siç ndodhi në Pragën e vitit 1968 apo dhe në Budapestin e vitit 1956 dhe tani në Kievin e 2022. pra unë nuk e di se si mund të negociosh me pistoletën tek koka.  

Cila është shpresa për negociatat që rinisin sot?

Fausto Biloslavo: Është gjithnjë më mirë të ulen të flasin në një tavolinë sesa të flasin armët, edhe pse këtu po ndodh në të njëjtën kohë që po flasin edhe po qëllohen, një tjetër aspekt që më ka bërë shumë përshtypje këto ditë është që kanë vendosur autobusë të verdhë në mes të rrugës përgjatë lumit, thasë me rërë, goma , më kujton fatkeqësisht dhe me trishtim meqenëse e kam përjetuar nisjen e mësymjes ndaj Sarajevës 30 vite më parë. Dhe për t’ju kthyer pyetjes tende cilat janë pritshmëritë mendoj se ende qëndrimet e palëve janë larg , me të drejtë ukrainasit duan një armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse, ndërsa rusët vazhdojnë të kërkojnë njohjen e Krimesë, Donbasit. Kanë marrë në kontroll dhe disa qytete, Karkhiv është duke u bombarduar fort , qyteti Mariupol është I rrethuar , Kherson u pushtua, pas bombardimeve të ashpra në fund u dorëzua për të evituar shkatërrimin e qytetit dhe I ka hapur rrugën marshimit drejt Odesës, që është qyteti që do të lidhte Rusinë me Krimenë, me mitin që daton që nga koha e Katerinës, pra unë nuk e di se si mund të negociosh me pistoletën tek koka.

Pra në kushtet aktuale, armëpushimi do të ishte më emergjent për forcat ukrainase apo forcat ruse?

Fausto Biloslavo:  Armëpushimi do t’u konvenonte të dyja palëve, sigurisht ukrainasve që do të kishin mundësi të riorganizoheshin edhe më mirë për atë që po kërkojnë të bëjnë në Kiev, edhe rusët janë duke u riorganizuar, problemi i rusëve është se autokolona e tyre nuk mund të rrijë aty pa fund duke qenë se është 63 km e gjatë.

Ju jeni aktualisht në Kiev, si është situata atje për sa i përket furnizimit me ushqime, a punojnë spitalet? Si po jetoni ju atje tani?

Fausto Biloslavo: Dje ishim pikërisht në spitalin qendror ku ndodhen 300 pacientë të shtruar prej një javë kryesisht fëmijë, janë fëmijë me patologji të rënda që kanë nevojë për ndërhyrje dhe s’mund të kthehen ne shtëpitë e tyre, janë infermiere heroina që vijojnë punën prej një jave pa shkuar në shtëpi e tyre vetëm për të mos braktisur këta fëmijë, por situata është dramatike, nuk e di për sa kohë mund të vazhdojnë kështu. Për sa i përket furnizimit me ushqim, në të vërtetë ka ushqime por problem është se për shkak të shtet-rrethimit hapen shumë pak dyqane, ka radhë të gjata përpara dyqaneve për të blerë diçka dhe ky është një problem, siç mungon dhe benzina dhe karburanti, ka dyndje drejt trenave, dje stacioni ishte pushtuar nga turma e njerëzve që kërkonin të iknin drejt Perëndimit me tren të cilët janë të paktë në numër dhe janë të mbushur plot, në këtë pikë u dha urdhri dramatik I gjendjes së luftës ku lejohen të hipin në tren vetëm gra dhe fëmijë. 

Ju keni qenë gazetar lufte në shumë konflikte përfshirë dhe në Kosovë. Sipas jush çfarë ka të veçantë lufta e sotme?

Fausto Biloslavo:  Është një luftë në qytetet e mëdha, është një luftë në një vend të madh  dhe mbi të gjitha është një luftë e tmerrshme në zemër të Europës që e kishim harruar, edhe pse në të vërtetë, lufta në Donbas në 2014 ka shkaktuar 14 mijë të vdekur. Por një konflikt të kësaj natyre, konvencional,  një pushtim si Praga në 1968 apo Budapesti në 1956 nuk do ta kisha imagjinuar kurrë sidomos në zemër të Europës. 

Pavarësisht negociatave , për sa kohë mendoni se mund të rezistojë ushtria ukrainase?

Fausto Biloslavo:  Ushtria ukrainase dëshiron të rezistojë deri në fund , edhe pse përveç ushtrisë janë dhe rezervistët , është mbrojtja tokësore , janë vullnetarët që shfaqen nëpër lagje të cilëve u është dhënë armatim , por kjo mund të jetë si një thikë me dy presa pasi mund të jetë e rrezikshme sepse krijon kaos, por ata janë të vendosur deri në fund, edhe ata të rinj që përgatisin shishe molotov më kanë thënë së nuk kanë frikë të vdesin për atdheun e tyre, mendoj se janë vullnetarisht mburoja njerëzore, në kuptimin se ata e dinë që nuk mund të përballen më  të gjithë forcën ruse , por e dinë që mund të shkaktojnë humbje , dinë që mund të ngadalësojnë marshimin rus, dhe mbi të gjitha dinë që me gjakun e tyre , mund ta kthejnë këtë konflikt në një turp dhe krim të pashlyeshëm për Vladimir Putin. 

A ekziston rreziku që Kiev të përfundojë si Grozni disa vite më parë ?

Fausto Biloslavo: Unë shpresoj që jo, rusët në Grozni rrafshuan tërësisht qytetin. Kievi është një qytet me 3 milionë banorë , do të ishte një masakër e papërshkrueshme , rusët do ta kenë ndonjë as nën mëngë, do të bëjnë diçka edhe pse hyrja me mjete te blinduara në Kiev do të çonte në lufte guerrilase urbane , përleshje shtëpi për shtëpi , lagje për lagje, dhe aty është rreziku I shkatërrimit siç po ndodh aktualisht në Kharkin qyteti  I dytë më I madh I vendit që është nën goditjen e artilerisë së rënde ruse dhe nuk dihet nëse do të rezistojë. 

Sipas jush ku mund të përfundojë kjo histori, deri ku mund të shkojë Putin?

Fausto Biloslavo: Shpresojmë që të mos shkojë asgjëkund, sepse për ndryshe edhe me NATO-n tek portat ekziston rreziku i diçkaje më të tmerrshme. Ukrainasit kërkojnë “no fly zone” , nëse NATO do të ndërhynte por që nuk do ta mundësojë kurrë, do të shpërthente lufta e tretë botërore, nuk dua as të mendoj një skenar të tillë, shpresoj që Putin të mos shkojë asgjëkund dhe të gjendet ndonjë zgjidhje, që unë nuk di cila mund të jetë, pasi tani ka hyrë edhe në një rreth vicioz për shkak të problemeve që mund të ketë me opinionin publik në Rusi. 

Një pyetje të fundit të shoh pak të shqetësuar nuk je i qetë me situatën?

Fausto Biloslavo: Jo jo , jam pak I lodhur, këtu flihet pak, punohet shumë, ne që kemi qëndruar, përpiqemi të bëjmë detyrën tonë, që është vetëm një, të informojnë , të tregojmë këtë luftë të pisët 

Ka shumë gazetarë të huaj atje?

Fausto Biloslavo: Janë pak , jo shumë, shumë u evakuuan , shumë të tjerë janë larguar , edhe shumë gazetarë italianë janë larguar, por ka që kanë qëndruar dhe jemi këtu në këtë hotel të vogël Kozaski Hotel që ndodhet pikërisht ne sheshin Meidan.

Fausto faleminderit për intervistën dhe të uroj punë të mbarë

Fausto Biloslavo:  Faleminderit

K.T./J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

‘Lazarati’/ Gjykata e Lartë kthen për rigjykim 5 anëtarët e grupit të zjarrit! Dosja në dorë të GJKKO

‘Lazarati’/ Gjykata e Lartë kthen për rigjykim 5 anëtarët e grupit të zjarrit! Dosja në dorë të GJKKO