Abdalla Jaber, një palestinez që jeton në Gaza dhe që ka mësuar të flasë shqip, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Report Tv ku tregon situatën e luftës aty.
Intervista është regjistruar një ditë më parë (6 tetor 2025), kur kishte hyrë në fuqi ndalimi i sulmeve sipas planit të paqes të prezantuar nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Por Abdalla Jaber thotë se plani i paqes deri në atë moment nuk po funksionon, pasi bombardimet e Izraelit në Gaza po vazhdojnë.
Ai së bashku me familjen e tij jetojnë në çadra të ngritura në një zonë në Gaza që aktualisht nuk rrezikohet nga sulmet izraelite.
“Përshëndetje nga Gaza. Jemi në këtë kamp më shumë se 1 muaj. Kur kanë filluar sulmet në Gaza brenda në qytet, kjo çadra ishte në një pallat në katin e 6-të, që është i shkatërruar sot për sot. Ushtria e Izraelit ka filluar nga ajo zonë. Filluam lëvizjet nga Gaza dhe kemi ardhur këtu. Kemi kaluar një kohë shumë të vështirë për të ardhur nga atje deri këtu. Ishte hera e shtatë që lëvizëm. Kemi 2 ditë që gjoja me paqe tani, me planin e Trump. Trumpi tha ndalon zjarrin në Gaza, por në territor janë hedhur më shumë bomba. Në qoftë se do vazhdojë kjo gjendje kështu, do bëhet më keq në Gaza”.
Abdalla Jaber tregon se prej 2 vitesh nuk kanë ngrënë as mish, vezë, qumësht apo fruta, të cilat i kanë harruar që ekzistojnë.
Ai thotë se ushqimi është tepër i shtrenjtë, madje pak kohë më parë as nuk mund të gjendej.
Edhe ilaçet mungojnë thotë Abdalla Jaber, si dhe as spitale nuk ka pasi janë shkatërruar.
“Avionët nuk janë larguar sepse përpara 2 ditësh një çadër këtu e kanë goditur me raketë, vdiqë të gjithë njerëzit brenda. Por jemi larguar nga rreziku i madh. Kushtet nuk ka. Ilaçe nuk gjen në qoftë se je sëmurë. Spital nuk ka. Ushqim nuk ka. Kemi 2 vjet që nuk kemi ngrënë mish. Vezë, qumësht, nuk i njohim. Kalamajtë tani i kanë harruar frutat. Bukën, që është e shtrenjtë, ne shyqyr Zotit kemi mundësi ta blejmë, por 90% e njerëzve që janë jashtë nuk kanë mundësi. Kemi nevojë për ndihmat që të shpërndahen falas për ata njerëz që nuk e gjejnë. Presim që të ketë vërtetë plan për ndalimin e luftës, të fillojnë ndihmat të futen brenda për njerëzit, jo që të jetojnë mirë, por që të kenë mundësi të vazhdojnë jetën. Ne këtu në Gaza po vdesim. Njerëzit brenda në Gaza po vdesin. Unë me familjen kisha mbrapa meje vëllezërit e mia nga Shqipëria, vëllezërit palestinezë, kanë ndihmuar, janë kujdesur. Por gjithë ata njerëz që nuk kanë, çfarë do bëjnë”?
Palestinezi që flet shqip shprehet se ai është ndihmuar edhe nga shqiptarë të tjerë. Kushtet e tij në çadër ku po qëndron, thotë se janë më të mira se të të tjerëve, që nuk kanë as tualet apo qoftë edhe një çadër për të kaluar natën.
“Ne këtu kemi kushte luksoze, të tjerët nuk kanë as banjo, as ujë. Ne e kemi pak të rregulluar gjendjen. Kur kemi ardhur përpara 1 muaji, zona që ishim ne atje u fshi fare. Njerëz që kanë ardhur më vonë, edhe tani po vazhdojnë, po largohen nga bombat izraelite, nuk gjejnë as vend as ku të shkojnë, as çadra nuk ka, flenë në rrugë. Kemi shpresë që të kthehemi në zonat tona. Nuk kam shtëpi se shtëpia ka ikur, por të paktën të kthehemi në zonat ku njohim njerëzit. Këtu nuk njoh njerëz që kam afër, edhe njerëzit nuk më njohin. Në fakt kur je në kohëra të vështira, ke nevojë për njerëz që i njeh, që ke jetuar me ata më përpara. Kemi kaluar kohëra shumë të vështira. Sot për sot ushqimet janë me pakicë me çmime shumë të larta, por gjej për të ngrënë sepse më përpara gati 1 muaj e gjysmë gati nuk kishte asgjë për të blerë. Jeta në Gaza është e pamundur. Ne me zor po jetojmë. I lutem Zotit të mbarojë kjo sa më shpejt, po presim lajme të mira. Dy ditët që kanë kaluar për planin e ri të paqes është kot fare, nuk ka as paqe. Bomba më shumë dhe vështirësi më shumë”.
Palestinezi Abdalla Jaber ka mësuar shqip për shkak se më parë ka punuar me shqiptarë të tjerë.
Ndërkohë, në Egjipt po zhvillohen bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Komente









Bo sa rrenacak që janë, është si top me dhjam e thotë ushqimet janë me pakicë.
PërgjigjuDy vjet pa ngren dhe mbi peshe si je ti nuk shkon...
PërgjigjuAi po thote une kam per te ngrene. Po duket qe s'ke kohe te lexosh se ke qellim tjeter.