Ekskluzive/Raporti, 69 veprat
penale,policia larg zgjedhjeve

Ekskluzive/Raporti, 69 veprat<br />penale,policia larg zgjedhjeve
Gjatë periudhës zgjedhore, nga data 26 Maj deri në 25 Qershor, janë evidentuar 69 vepra penale, që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të cilat janë referuar në Prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe janë në hetim. Janë proceduar penalisht 114 persona, nga të cilët 20 të arrestuar, 77 në gjendje të lirë dhe 17 në kërkim.

Ky është bilanci i veprimtarisë së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, në raport me zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017. Shqiptarja publikon masat e marra nga Ministria e Brendshme për zgjedhjet parlamentare, në zbatim të paktit politik Rama-Basha, veprat penale të konstatuara në funksion të deformimit të zgjedhjeve, personat e procedurat, të arrestuarit, ata që ndiqen në gjendje të lirë dhe ata në kërkim.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore, gjatë periudhës zgjedhore nga data 26 Maj-24 Qershor 2017, janë trajtuar dhe po hetohen 44 vepra penale, që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, ku janë proceduar penalisht 87 persona, nga të cilët 13 të arrestuar, 67 në gjendje të lire dhe 7 në kërkim.

Gjithashtu, janë dërguar për vlerësim në prokurorinë e rrethit gjyqësor Berat edhe 3 raste të tjera, konkretisht: “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, 7 vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, 19 vepra penale,“Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, 4 vepra penale, “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, 2 vepra penale dhe “Kanosja apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, 11 vepra penale.

Dita e zgjedhjeve  

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme gjatë procesit të votimit të datës 25 Qershor 2017 janë trajtuar dhe po hetohen 25 vepra penale, ngjarje të dyshuara si vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Për këto vepra janë evidentuar 27 autorë, nga të cilët 7 janë arrestuar, 10 ndiqen në gjendje të lirë, si dhe 10 janë shpallur në kërkim.

Konkretisht janë konstatuar konsumimi i veprave penale: “Pengimi i subjekteve zgjedhore” 1 vepër penale, “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”, 1 vepër penale,“Dëmtim me dashje i materialit zgjedhor”, 1 vepër penale, “Shkelje e fshehtësisë se votimit”, 5 vepra penale, “Votim me shumë se një here ose pa u identifikuar”, 2 vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” 10 vepra penale etj. 

Pakti Rama-Basha, masat e marra nga Ministria e Brendshme 

-Në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit nr. 65, datë 12.5.2017 “Për marrjen e masave për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike, të çdo niveli, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 18 qershor 2017”, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë marrë këto masa

1- Me Urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme, nr. 285, datë 17.05.2017 “Për zbatimin nga strukturat drejtuese dhe koordinuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të masave në përputhje me kuadrin ligjor, për garantimin e një procesi zgjedhor të paanshëm e transparent”, u kërkohet strukturave qendrore dhe ato në varësi të MPB-së, të marrin masat për kryerjen e detyrave të tyre në zbatim të Kodit Zgjedhor, në përputhje me kompetencat dhe fushën e veprimit të institucionit që mbulojnë, për garantimin e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe transparent, duke raportuar me shkrim çdo javë lidhur me përmbushjen e detyrave të përcaktuara, për çdo strukturë në këtë urdhër.
 
2- Me shkresë të Sekretarit të Përgjithshëm me nr. prot. 3962/1, datë 15.05.2017 “Në vëmendjen tuaj”, Prefekturave të Qarqeve ju është kërkuar marrja e masave të menjëhershme për zbatim e Urdhrit të Kryeministrit; 
 
3- Me shkresë të Sekretarit të Përgjithshëm me nr. prot. 3962/11, datë 22.05.2017 “Mbi marrjen e masave për zbatimin e urdhrit të Kryeministrit nr. 65, datë 12.5.2017”, të gjithë institucioneve të varësisë ju është sjellë në vëmendje detyrimi për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës apo pezullimin nga shërbimi civil të punonjësve/nëpunësve civil, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit.
 
4- Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse, nëpërmjet komunikimit elektronik të datës 15.5.2017, i ka përcjellë titullarëve të institucioneve të varësisë rekomandime konkrete mbi masat që duhen marrë në kuadër të zbatimit të Urdhri i Kryeministrit.

Gjithashtu, është kërkuar të raportohet brenda datës 16.5.2017, në lidhje me:
•Të dhënat për aktivitetet publike, të programuara për muajin qershor dhe korrik, që kanë lidhje me veprimtarinë e institucionit, të cilët u publikuan në faqet zyrtare;
•Përcjelljen elektronikisht në ministri brenda datës 15 maj, të listës së punonjësve/nëpunësve të institucioneve të varësisë të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit;
•Ndërprerjen e marrëdhënies së punës apo pezullimin nga shërbimi civil të punonjëse/nëpunësve civilë të institucionit, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit; 
 
5-Për shkak të regjistrimit si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit 2017, janë liruar me Urdhër Ministri, nënprefektët: 
 
-Z. Ilir Dervishi, Nënprefektit i Lushnjes, të Qarkut Fier
-Znj. Sabaete Hidri, Nënprefekt i Kurbinit, të Qarkut Lezhë
-Z. Edmond Xhoni, Nënprefekt i Peqinit, të Qarkut Elbasan
-Z. Fatos Kaja, Nënprefekt i Kavajës, të Qarkut Tiranë

Në vijim të procesit mbi masat e marra për periudhën para zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017, Komisioneri i Mbikëqyerjes së Shërbimit Civil, si struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil, me anë të shkresës nr. prot. 342, datë 05.05.2017 “Mbi monitorimin e sjelljes së nëpunësve civil gjatë fushatës zgjedhore”, ka përcaktuar detyra të posaçme për të vendosur kontrollin mbi sjelljen e nëpunësve civil të Aparatit dhe ato të varësisë, pjesë e shërbimit civil, gjatë kësaj fushate zgjedhore.

MPB-ja ka detajuar hapat konkret, si më poshtë:

1-Me Urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm nr. prot. 3710/3, datë 16.5.2017 “Për ngritjen e grupit të punës për monitorimin e sjelljes së nëpunësve civilë gjatë fushatës zgjedhore”, është ngritur grupi i punës për monitorimin e sjelljes gjatë fushatës zgjedhore të nëpunësve civilë të Aparatit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të institucioneve të varësisë pjesë e shërbimit civil;

2-Me Urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm nr. prot. 3710/6, datë 18.5.2017 “Për miratimin e Rregullores së Brendshme të Grupit të Punës, për monitorimin e sjelljes së nëpunësve civilë, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë”, është miratuar rregullorja për përcaktimin e rregullave për monitorimin e sjelljes së nëpunësve civilë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

3-Me shkresë nr. prot 3710/7, datë 22.5.2017 “Mbi monitorimin e sjelljes së nëpunësve civilë gjatë fushatës zgjedhore”, institucioneve të varësisë, pjesë e shërbimit civil, u kërkohet marrja e masave të menjëhershme për vendosjen e disa rregullave të hollësishme, të cilat duhet të ndiqen nga nëpunësit civilë gjatë periudhës së fushatës elektorale dhe që do të jenë objekt i kontrollit të grupit ad-hoc, të ngritur për këtë rast nga KMSHC.


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie