Ekskluzive/Skandali, lekët
e rrugëve për klientët e qeverisë

Ekskluzive/Skandali, lekët<br />e rrugëve për klientët e qeverisë
TIRANE - Qeveria “hap qesen” për ndërtimin e rrugëve që kanë mbetur prej kohësh pezull. Më datë 2 prill Bordi i Menaxhimit i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i kryesuar nga zv.ministri i Transporteve, ka vendosur se kush segment dhe kush subjekt do të jenë përfituesit e një shume prej 64 milionë eurosh.

Me një vendim të Bordit të Menaxhimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të kryesuar nga zv. ministri i Punëve Publike dhe Transportit Ernest Noka, është ndarë këto ditë “torta elektorale” e rrugëve të mbetura prej kohësh përgjysëm. Vendimi mban datën 2 prill 2013 dhe nënshkruhet, përveç se nga Noka, edhe nga anëtarët e tjerë Eduart Ypi, Luigj Aleksi, Orhan Sakiqi, Isuf Çelaj, Eduart Seitaj (në mungesë) dhe Ilir Zhilla.

Sakiqi është këshilltar i kreut të Transporteve Olldashi, Aleksi përfaqëson Shoqatën e Ndërtuesve, ndërkohë që Çelaj është i lidhur drejtpërdrejt vetë me firmat e ndërtimit pranë qeveritarëve, duke formuar kështu një grup vendimmarrës që nuk mund të mos marrë vendime kryesisht që favorizojnë këto firma.

Shifra e disbursuar është 9 miliardë lekë të reja, ose 64 milionë euro, që, megjithatë, është larg mbylljes së “vrimës së zezë” të borxheve shtetërore ndaj sektorit ndërtimor në fushën e infrastrukturës. Sipas ndërtuesve, janë të paktën 100 milionë euro detyrimet e papaguara ende nga qeveria për punë tashmë të kryera.

Vendimi synon të rigjallërojë një sektor të kapur prej kohësh nga ngërçi. Me mijëra qytetarë që kalojnë rrugëve të Shqipërisë kanë konstatuar vit pas viti degradimin e punimeve të lëna përgjysëm në shumë akse nacionale, të tilla, si zgjerimi i rrugës së kombit nga Fushë Kruja në drejtim të Milotit apo zgjerimit të pjesës së Korridorit 8 që lidh Plepat e Durrësit me Rrogozhinën.

Segmentet e nisura për të mbaruar për pak kohë janë kthyer tashmë në torturë për zotëruesit e automjeteve dhe pasagjerët, si dhe burim dëmtimi të automjeteve. Duket qartë se këto fonde, që zhbllokohen pikërisht dy muaj para zgjedhjeve, janë të piketuara për t’i dhënë mundësinë kryeministrit Berisha të kryejë një aktivitet që i mungon prej kohësh: prerjen e shiritave në segmente rrugore.

Këtë ai e ka bërë, kohët e fundit, vetëm nëpër rrugë rurale, të financuara jo nga Autoriteti Rrugor apo ministria e Transportit. Fondin më të konsiderueshëm në këtë listë do të përfitojë segmenti nga Ura e Brarit deri në hyrje të tunelit inekzistent të Qafë Murrizit, Loti i parë i Rrugës së Arbërit; segmenti nga dalja e Urës së Vashës drejt Bulqizës, në tre lote, etj.

Kjo rrugë, e shpallur me interes përparësor nga Berisha pas përfundimit të autostradës Milot-Rrëshen-Kosovë, në fakt ka mbetur në stad fillestar, me copa të veçuara të përfunduara apo gjysëm të përfunduara, kryesisht si pasojë e kërkesës për një fond të madh për tunelet, që qeveria shqiptare nuk e ka siguruar, në kushtet kur të ardhurat fiskale kanë rënë në nivele shumë të ulta.

Nga ana tjetër, Autoriteti Rrugor nuk është në gjendje të kryejë punime të tjera masive aktualisht, veç rrugës së re të Elbasanit, e cila ka thithur aktualisht masën kryesore të investimeve buxhetore.

Pagesa të reja do të bëhen edhe për punimet në Plepa-Rrogozhinë apo Fushë Krujë-Milot, ndërkohë që një fond i konsiderueshëm është disbursuar në favor të vazhdimit të punimeve në segmentin e bllokuar nga Fakulteti Filologjik i Tiranës drejt Unazës së Madhe, si dhe në adresë të segmentit tjetër nga Komuna e Parisit drejt rrugës së re Elbasan-Tiranë.

Më në fund, del në pah edhe një fond tjetër, këtë herë për të ndërtuar rrugën krejtësisht të amortizuar nga Lushnja drejt Beratit, kurse në zonën juglindore të vendit bie në sy një fond i ri për sistemim-asfaltim të rrugës Qafë Thanë-Lin-Pogradec.

Një shifër e konsiderueshme do të hidhet edhe për sistemim të një rruge që nuk është aspak kombëtare, që lidh rrugën nacionale pranë Gosës me Vilë Bashtovën, ku është parashikuar ndërtimi i resorteve turistike, që janë përfolur se lidhen me interesa të familjes së kryeministrit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë