Prej marsit 2020 SPAK ka depozituar në ministrinë e Drejtësisë tetë kërkesa për vendosjen në regjimin e posaçëm "41- bis" për bosët e krimit.

ReportTv ka mësuar ekskluzivisht se kërkesat kanë marrë ok e kreut të SPAK pas informacioneve të përcjella nga drejtoria e burgjeve për aktivitetin kriminal të personave të dënuar të cilët ndodhen në burgje. Ligji për regjimin e posaçëm njohur si "41-bis" i përshtatur nga Italia ka hyrë në fuqi prej Janar 2019 por zbatimi i tij është vonuar për mungesë të SPAK që u ngrit vetëm në dhjetor 2019.

Regjimi "41-bis" është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në dhomë. ReportTv një ditë më parë ka intervistuar edhe kreun e burgjeve Agim Ismaili i cili tha se paçka qelive dhe infrastrukturës gati, ende asnjë person nuk është në këtë regjim pasi i takon SPAK dhe ministrisë së drejtësisë të vendosin.

Këta persona për të cilët është kërkuar izolim rezultoi se janë në qeli për krime në kuadër të grupeve kriminale si trafik doge, shantazh, vrasje, shfrytëzim prostitucioni.

Ndërsa në mungesë të regjimit 41 bis, në izolim për tre muaj me kërkesë të kreut të burgjeve Agim Ismaili janë vendosur 103 të dënuar e të paraburgosur që kanë thyer rregullat në burgje.