Burime pranë Kuvendit thonë se pikat kryesore të draft rezolutës që do të kalojë nesër për miratim pas një debati 5 orë, parashikon që Kuvendi i Shqipërisë:

1. Të forcojë kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien.

2. Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.

3. Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë, me qëllim njohjen dhe gjithëpërfshirjen në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

4. Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta.

5. Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore.

6. Të kërkojë përforcimin e përpjekjeve dhe të konsolidojë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e kërkesave të Bashkimit Evropian.

7. Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizimit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë, duke garantuar një mjedis mediatik të lirë, konkurrues dhe profesional.

Rezoluta përkon edhe me amendamentet e bëra nga opozita një ditë më parë gjatë dëgjesës në Komisionin për Integrimin, ku kërkohej forcimi i kontrollit parlamentar dhe pjesëmarrja e plotë e opozitës, pas akuzave të kësaj të fundit se po përjashtohet.

Në seancën e kaluar në Kuvend, opozita kërkoi që të diskutohej raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian për ecurinë e Shqipërisë drejt Integrimit, por u refuzua nga mazhoranca. Kjo e fundit tha se diskutimi mund të zhvillohej në seancën pasardhëse.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

lajm në përditësim...