Kjo javë ka qenë e mbushur me shumë lajme për eksod të lojtarëve te përfaqësuesja e Kosovës, që sipas vendimit të Amir Rrahmanit për t’u larguar dhe për të hedhur në gjyq drejtuesit e federatës. Mirëpo këtë hipotezë, që 6 lojtarë të tjerë do të ndiqnin rrugën e kapitenit, e hodhi poshtë një ditë më parë trajneri Franco Foda, i cili gjithashtu kërkoi që çështja e Rrahmanit të mos dramatizohet shumë.
Mirëpo në morinë e kësaj përplasje, vetë federata e Kosovës, ka njoftuar për dy lojtarë të cilët e kanë mbyllur kapitullin e përfaqësueses dhe që në të kaluarën kanë qenë protagonist te ‘dardanët’. Bëhet fjalë për dy veteranë si Valon Berisha dhe Fida Aliti. Berisha është tërhequr në moshën 33-vjeçare. Mesfushori i Zyrihut largohet me kujtimin e 52 ndeshjeve ku shënoi katër gola. Aliti lë Kosovën në moshën 32-vjeçare. Gjatë kësaj kohe pati 64 paraqitje.
Tërheqja e Valon Berishës:
“Nuk e di nëse ekzistojnë fjalët e duhura për ta nisur një shkrim si ky. Në fakt, nuk po di as se si ta nis një shkrim, që bart me vete aq shumë krenari e emocion, që fjalët nuk mjaftojnë për ta treguar.
Sot, kur po i shkruaj këta rreshta, kam para syve të mi një djalë shqiptar që po rritej në mërgim me dy ëndrra në jetën e tij: Kosovën dhe futbollin. Një familje, dy prindër, që atij djali ia ngulitën thellë në shpirt e në mendje dashninë dhe obligimin për familjën, për gjakun e tij, e mbi të gjitha për Kosovën e shtrenjtë.
Sot, shumë vite më vonë, jam i mbushur me krenari dhe falënderim ndaj familjes, prindërve dhe Zotit që më mundësoi t’i përmbush të dyja këto ëndrra. Që me një top futbolli ta lartësojë emrin e Kosovës.
Pas shumë vitesh, 52 ndeshjesh dhe disa golash, njëri prej të cilëve, ai kundër Finlandës, do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit të Kosovës, sot ka ardhur koha që periudha ime si futbollist aktiv me Kombëtaren të përfundojë.
Dhjetë vite më parë mora një prej vendimeve që do të më bëjë krenarë tërë jetën. Pavarësisht falëmnderimit që kam për Norvegjinë, shtet që, mua dhe familjës sime na dhanë mundësinë për jetë më të mirë, por e lash dhe atëherë vendosa t’i bashkohem Kosovës, sepse ndjeva fuqishëm thirrjen e brendshme për ta përfaqësuar gjakun që më rrjedh në vena dhe për t’i bërë krenarë prindërit e mi.
Vendosa të tregoj se Kosova është mbi çdo gjë dhe, bashkë me shokët e gjeneratës, ndërtuam rrugën e Kombëtares sonë, me shpresën që të rinjtë e sotëm ta vazhdojnë, ta besojnë dhe të jenë të bashkuar për t’i arritur synimet e mëdha.
Bashkë jetuam shumë momente të mira e gëzime, festuam pa mbarim fitoret tona, por edhe qëndruam të bashkuar në humbje të rënda.
Dy herë ishim shumë afër ëndrrës së madhe. Nuk e arritëm, por dhamë gjithçka nga vetja.
Prandaj, dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, trajnerët, stafin e tyre, Federatën e Futbollit të Kosovës, të gjithë njerëzit që punuan rreth ekipit dhe tifozët tanë, Dardanët.
Nga sot e tutje, nuk do të jem më në fushë për ta mbrojtur këtë fanellë. Por do të jem gjithmonë përkrahës, në çdo ndeshje, në çdo gol, në çdo fitore e në çdo ëndërr tonën.
Sepse, kur, një herë e ke veshur këtë fanellë, ajo nuk hiqet më kurrë prej teje. Nga sot e tutje edhe unë do të jem një nga miliona mbështetësit jashtë fushës.
Të dua, Kosova ime!!! Valon BERISHA”
Tërheqja e Fidan Alitit:
“Ka momente dhe vendime që janë të vështira për t’u jetuar e për t’u marrë dhe padyshim se ky që po e publikoj sot është një nga ta.
Pas shumë vitesh, shumë ndeshjesh, emocionesh të pafundme, sakrificash e kujtimesh që do t’i mbaj me vete tërë jetën, ka ardhur koha që të mbyll kapitullin tim me ekipin kombëtar.
Ta vesh fanellën e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prej nderimeve më të mëdha të jetës sime. Sa herë që kam dalë në fushë me këtë fanellë, kam dhënë shpirtin e zemrën për të. Kam luajtur me krenari e përgjegjësi, i vetëdijshëm për peshën që bart përfaqësimi i vendit tonë.
Kemi kaluar shumë bashkë, festa e fitore, por edhe zhgënjimin e humbjeve. Kemi luftuar e ëndërruar, por edhe kemi shkruar bashkërisht një pjesë të ndritshme të historisë së futbollit të Kosovës.
Ndihem posaçërisht i privilegjuar që isha pjesë e një gjenerate që hapi kapitullin e Kombëtares sonë në garat ndërkombëtare dhe, bashkërisht, e rritëm Kosovën. Për këtë do të jem gjithmonë krenar.
Falënderim i madh për secilin bashkëlojtar me të cilin kam ndarë zhveshtoren, për trajnerët dhe stafin e tyre, për Federatën e Futbollit të Kosovës, për tifozët që ishin me ne, si dhe për të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë.
Por, një falënderim i veçantë shkon për familjen time. Për gruan dhe djalin tim, për prindërit dhe të gjithë ata që ishin pranë meje me dashuri e përkrahje. Ju keni qenë forca ime kryesore në këtë rrugëtim.
Sot po largohem nga Kosova si futbollist, por kurrë si tifoz i saj. Kosova është dhe do të jetë gjithmonë pjesë e imja. Është dhe do të jetë gjithmonë e para, sa herë që të ketë nevojë për mua.
Falemindeit për gjithçka, Kosovë. Ishte ëndërr, u bë nder dhe krenari! Fidan ALITI”
Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit Kosova do të luajnë 4 ndeshje në Ligën e Kombeve. Kundër Irlandës, Austrisë dy herë dhe ndaj Izraelit. Për t’u përmendur edhe rasti i Florent Hadërgjonajt, i cili e ka mbyllur me Kosovën për shkak se nuk është thirrur nga Franco Foda.








Komente
Komento