Po ashtu, kreu i Qeverisë i kushtoi një vëmendje të posaçme në fjalën e tij, ndihmës së pakursyer të SHBA-së dhe BE-së për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare, Kosovës.
Ashtu si dhe në fjalimin e Kryeministrit shqiptar, edhe në atë të Kosovës, Hashim Thaçi, mbizotëruan falenderimet për të gjitha ata që pritën fëmijët e Kosovës, por në veçanti, u falënderua kreu aktual i Qeverisë.
“Në emër të Qeverisë së Kosovës, më lejoni të falenderoj Kryeministrin Edi Rama që atë që nuk ndodhi në 15 vite të Kosovës në liri, ndodhi në këto 6-7 muaj të bashkëpunimit tonë ndërshtetëror,”- deklaroi ai.
Ish-Kryeministri Pandeli Majko, sot deputet i PS-së, protagonisti kryesor i atyre ditëve të vështira, në një prononcim për "A1Report!" tha: "Lufta e Kosovës ishte një luftë e drejtë. Ne sot jemi në Kukës të përkujtojmë 15-vjetorin e një drame për kombin; Ndihemi krenarë për atë që kemi bërë 5 vjet më parë dhe ajo që kemi arritur kohët e fundit, ishte e paimagjinueshme para 15 vjetësh."
KUKËSI NË SHI PRET QINDRA SHQIPTARË NGA TE GJITHA TREVAT
Qyteti i Kukësit ka pritur sot një valë të re "emigrantësh" nga Kosova, për të dytën herë pas 15 vjetësh, vëllezërit kosovarë të ardhur ndryshe në Shqipëri: si vizitorë tek ata që i pritën në ato vite të vështira të të genocidit serb mbi ta. Ceremonitë kanë nisur sot në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në mbrëmje vonë.
Krerët e Qeverive të të dyja vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, por përfaqësues edhe të trevave të tjera shqiptare dhe qindra qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi kanë përkujtuar sot dëbimin e shqiptarëve nga gjenocidi serb në vitin 1999 dhe pritjen e ngrohtë që ata gjetën në Shqipëri.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që u prit nga Kryeministri Rama në doganën e Morinit, mori pjesë sëbashku me kabinetin e tij qeveritar dhe qindra të ftuar të tjerë, në konferencën “Nga eksodi tek partneriteti strategjik” që u zhvillua në Kukës, ku u fol gjërësisht për zhvillimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, piketat e bashkëpunimit dhe projektet që do t’i shërbejnë gjeneratës së re.
Në këtë konferencë spikati fjala e Zv.Kryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacollit, i cili prezantoi vizionin e tij ekonomik për Kosovën dhe Shqipërinë e në veçanti, për përfitimet që do të kishte veriu i Shqipërisë.
Përveç tij, projektet e bashkëpunimit dypalësh u shpalosën edhe nga ministrat respektivë të të dy vendeve, duke u vendosur përballë njeri –tjetrit dhe përballë gjithë të pranishme.
RAMA: GJENERATA E RE TANI PRET ZHVILLIMIN EKONOMIK, HEQJE KUFIJSH DOGANOR
Kryeministri Rama, pas homologut të tij kosovar, në kujtim të atyre ditëve të vështira, theksoi: “Falë lidershipit të Pandeli Majkos, u bë e mundur që një vend i vogël të dukej çuditshëm i madh në sytë e të tjerëve.
Jam i bindur që kjo është një kohë e re që të reflektojnë të gjithë lidhur me të ardhmen e këtij rajoni dhe kohën që nuk pret për integrimin e këtij rajoni “mes vedi” dhe me evropën e bashkuar.
Jam i bindur se kjo qasje jona e merr vizionin e vet nga kurajua e Kryeministrit të Kosovës për t’u ulur në tryezë me armiqtë e vet dhe për të hapur rrugën e paqes me ata që deri dje ishin sundimtarë brutalë në tokën e shqiptarëve, sepse pa atë hap të jashtëzakonshëm përpara ne nuk do të kishim forcën për të pasur forcën për t’u bërë avokatë të një Ballkani të ri, të një bashkëjetese të re,"- vuri në dukje Rama.
"Kjo nuk koha e skeçeve propagandiste apo e abetares së re që hapet sa herë vjen viti i ri i shkollës,"- shtoi ai, -"por është koha kur po ndërtohen urat e bashkëpunimit për shqiptarët e gjeneratës tjetër, ku për çdo shqiptar, kudo ku rritet apo në cilindo fshat të Shqipërisë apo Kosovës, të ketë një shkollë, një abetare po e po, por një sistem të unifikuar që shqiptarët e gjeneratës tjetër të jenë shqiptarët që kanë të njëjtën pikë referimi dhe të njëjtën rrugë edukimi.
Po ashtu, autostrada energjitike që duhet të ishte bërë, nuk është vonë për t’u bërë. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që ajo të realizohet me qëllim që jo vetëm të sigurojmë energji për dy vendet tona por edhe të eksportojmë me përfitim të përbashkët."
Kryeministri vlerësoi në veçanti Zv.Kryeministrin e Kosovës, Behxhet Pacollin. “Ai është aty,” – tha Rama, - “si Zv.kryeministër i Kosovës, por nuk është si ne, është ndryshe nga ne pikërisht për të dominuar sa më shumë politikën që të bëhet promotore e zhvillimit ekonomik. Mirë që na pengon FIFA të kemi një kombëtare futbolli, por kush na pengon të kemi një kombëtare sipërmarrjesh, siç Dhoma e përbashkët e Tregtisë?! Unë bie dakord me Pacollin: mirë tatimin e dyfishtë e hoqëm, por tani duhet të heqim doganën e dyfishtë. Është tërësisht e pakuptimtë që për shqiptarët e të dyja kaheve, të ketë kufi dhe ne do ta heqim këtë kufi dhe pa asnjë dyshim, Morinën do ta bëjmë simbolin e shërbimit mbi ato vlera që dëshmuan shqiptarët këtu e 15 vjet më parë në Kukës."
Kreu i Qeverisë shqiptare, në vazhdim të fjalës së tij, shtoi: "Këtu unë do të shpreh mirënjohjen edhe për Sali Berishën edhe për PD-në si pjesë e qeverisjes së shqiptarëve për të arritur në këtë ditë. Ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe që deri dje mbante emrin “Çështja e Kosovës” dhe sot mban emrin “Çështja e shqiptarëve."
THAÇI: RAMA, FALEMNDERIT PËR KËTË PËRKUJTIM, E PRITËM 15 VJET
Në orën 13:00, fjala i është dhënë Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili tha:
“Jemi mbledhur këtu sot për të kujtuar një ndër ngjarjet më tragjike të kombit por fillimisht më lejoni që fillimisht në emër të Qeverisë së Kosovës, të falenderoj Kryeministrit Edi Rama që atë që nuk ndodhi në 15 vite të Kosovës në liri, ndodhi në këto 6-7 muaj të bashkëpunimit tonë ndërshtetëror. Sot ne kujtojmë me respektin më të lartë mikpritjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
ORA 12:50 HALILAJ: KUKËSI E MERITON TË JETË KRYEQYTETI I TË GJITHA TREVAVE SHQIPTARE
Kryebashkiaku i Kukësit, Hasan Halilaj, në fjalën e tij tha: "Ne kemi dëshirë ta quajmë Kukësin, kryeqytetin e shqiptarëve, sepse ndodhemi në zemër të të gjitha trevave shqiptare.
Në emër të bashkisë së Kukësit, i japim çertifikatë mirënjohjeje z.Qemal Elezi për kontributin e çmuar në menaxhimin e eksodit kosovar të vitit 1999 dhe shoqatës “Eksodi ‘99 Mitrovicë” për kontributin e dhënë gjatë 15 vjetëve për përkujtimin e këtij eksodi."
ORA 12:00 KATER MINISTRA FLASIN PER ARSIMIN DHE DREJTESINE "E PERBASHKET"
Gazetari i njohur Armand Mero ka ftuar më pas në podiumin e Pallatit të Kulturës, katër ministra të të dy qeverive t’i japin përgjigje disa pyetjeve lidhur me zhvillimet ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe arsimit. Ata ishin Ministri shqiptar i Drejtësisë, Nasip Naço dhe homologu kosovar Hajredin Kuçi si dhe Ministrja shqiptare e Arsimit, Lindita Nikolla dhe homologu i saj, Ramë Buja.
Pas katër ministrave të parë, në podium janë ulur katër ministra të tjerë: Ministrja shqiptare e Turizmit, Eglantina Gjermani dhe ministri kosovar i së njëjtës fushë, Bernard Nikaj si dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe homologu i saj, Memli Krasniqi. Ata kanë shpalosur projektet e bashkëpunimit dypalësh në fushat përkatëse.
ORA 11:40 PACOLLI: FALEMNDERIT QË NA LËSHUAT VEND NË SHTËPITË TUAJA!
Behxhet Pacolli, Zv.kryeministri i Kosovës, e nisi fjalën e tij me një falenderim prekës: “Unë nga thellësia e zemrës falenderoj ato motra, ato nëna, ata baballarë, ata vëllezër që hapën dyert e shtëpive të tyre dhe lëshuan vend për njerëzit, për fëmijët, gratë nga Kosova.
Ishte një bujari e paparë dhe sigurisht kjo ngjarje është motivi ynë shumë i fortë sot për të krijuar vizion për një jetesë të përbashkët. Falenderit shumë për çdo gjë që keni bërë për popullin e Kosovës, popullin tim, vëllezërit dhe motrat nga Kosova.
Ekonomia është pika me rëndësi e zhvillimit të dy vendeve. Unë do të doja shumë të shihja mallrat e zhdoganuara në Durrës që të arrijnë në Kosovë apo atë futura në Merdarë të arrijnë në Shqipëri.
Dogana është një shenjë që i takon së kaluarës dhe gëzohem shumë që sot, në një bashkëbisedim të shkurtër me dy Kryeministrat, ne pamë dy ndalesa në doganë ; pra, ne duhet t’u mundësojmë njerëzve që të kalojnë pa ndarje, sepse nuk ka kufi mes nesh.
Unë dëshiroj zonat e lira ekonomike, si ajo e Gjakovës dhe Prizrenit. Nuk është e rastit që ne këto dy zona i kemi piketuar si të lira, sepse ato më shumti mbulojnë edhe pjesë nga Shqipëria, pra, kontribuojnë edhe për zhvillimin e pjesës veriore të Shqipërisë, Bajram Currit. Unë do doja që të niste rruga Kalimash – Kosovë, që do ta shkurtonte rrugën në 35-40 minuta, një rrugë dinjitoze që do të ishte në funksion të ekonomisë së Kosovës.
Halli im është edhe aeroporti i Kukësit; i lutem dy qeverive të mendojnë për këtë. Ne sot harxhojmë shuma marramendëse për të dërguar të sëmurët tanë në Europë, kur ne për hir të së shkuarës tonë, të ndërkojë këtu një qëndër të madhe kërkimore –mjekësore, që e ka edhe aeroportin falas. Ne duhet të kemi një kompani ajrore të përbashkët, që me pak motivacion është krejtësisht e mundur të bëhet.
Dhe më tej, porti i Shëngjenit. Ne kemi investitorë që mund ta kthejnë atë ku duhet. Ne kemi harxhuar shumë para për autostradën dhe ajo duhet të jetë përplot me trafik. Po ashtu, do punojmë edhe për lidhjen hekurudhore. Ja kështu, bashkimi kombëtar bëhet nëpërmjet zhvillimit ekonomik,"- përfundoi Pacolli.
ORA 11:15 MINISTRAT E JASHTEM BUSHATI DHE HOXHAJ: JA HAPAT E BERE SEBASHKU
Pasi pjesëmarrësit në ceremoni kanë ndjekur një dokumentar në Pallatin e Kulturës të Kukësit, me ngjarjet e dhimbshme të rrugëtimit të kosovarëve, e ka marrë fjalën ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Ai ka folur për ecurinë e marrëdhënieve të dy vendeve duke ia lënë fjalën, homologut të tij, Enever Hoxhaj.
Më pas, e mori fjalën Zv.Kryeministri Niko Peleshi, që në fjalën e tij radhiti marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve në disa sektorë të energjitikë duke arritur deri tek mbledhja e përbashkët e Qeverisë “Rama” dhe Qeverisë “Thaçi” në Prizren.
ORA 10:50 PËRKUJTIMI I EKSODIT TË 1999-ës NIS ME HIMNET E FLAMURIT TË TË DY SHTETEVE
Ceremonia e përkujtimit ka nisur me himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, luajtur nga Orkestra Frymore në prani të të dy Kryeministrave, Rama e Thaçi.
QEVERIA DHE PS, FTESE QYTETAREVE PER PJESEMARRJE ME VIDEO-MESAZH
Një video - mesazh që fton qytetarët të përkujtojnë eksodin e 15 vjetëve më parë është shpërndarë prej ditësh në rrjetet sociale nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Partia Socialiste e Shqipërisë. Në video flasin qytetarë shqiptarë, që kanë pritur në shtëpitë e tyre qytetarët e Kosovës, tek i iknin luftës, por edhe të rinj kosovarë, që kur ishin të vegjël, gjetën mikpritje në Shqipëri.
Videoja, më shumë se një përkujtim, është në radhë të parë një ftesë për t'u ritakuar pas 15 vjetësh në Kukës, në datën 16 prill, shqiptarë e kosovarë sëbashku, në një realitet dhe moment tjetër historik, kur Kosova është bërë një shtet sovran. Qeveria shqiptare ka planifikuar të shfaqë në Kukës, koncerte të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, të këngëtarëve të rinj, shfaqje të cirkut, tryeza me gatime tradicionale të të dy vendeve etj.
Takimin në Kukësin, qytetin-portë që priti dhe shpërndau më pas nëpër Shqipëri, mijëra refugjatët e luftës, e ka njoftuar në Kosovë para pak ditësh edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë takimit me homologun e tij Jakup Krasniqi.
SOT NE KUKES, PROGRAMI I AKTIVITETEVE
Ora 10:00 Mbërritja e Kryeministrit të Kosovës dhe delegacionit të tij në pikën kufitare të Morinës.
Ora 10:05 Nisja drejt Pallatit të Kulturës së qytetit të Kukësit
10:15 - 10:25 Takimi i dy Kryeministrave dhe delegacioneve të tyre si dhe ceremonia zyrtare e Pritjes tek Pallati i Kulturës.
Ora 10:30 – 12:30 Konferenca "Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik" tek Pallati i Kulturës Kukës
Ora 12:30 Vizite tek Panairi Artizanal
15:00 - 15:45 Ndeshje miqesore Kukesi-Mitrovica
16:00-17:00 Vizite tek zyra e Kryetarit te Bashkise
17:00- 18:00 Takim me Familje Kosovare dhe Familje Kuksiane pritese tek Obelisku i Kukesit/Kulla e Qendreses
13:00 – 17:00 Aktivitete kulturore të ndryshme në Shesh (Ansambli Popullor, Cirk, Stenda për artin Kulinar, Kinema Lëvizëse)
17:00 – 21:00 Koncert me këngëtarët më të njohur nga te gjitha trevat shqiptare tek Sheshi përpara Pallatit të Kulturës
21:00 e vazhdim Koncertet dhe aktivitetet kulturore vazhdojnë në shesh
Lajm në përditësim
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)