Protesta e Partisë Demokratike do të mbikëqyret edhe nga ekspertë të huaj. Ministria e Brendshme bën me dije se plani i masave është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit. “E gjithë veprimtaria e Policisë do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme”, - thuhet në një reagim të Ministrisë së Brendshme pas akuzave të Monika Kryemadhit se Xhafaj po keqpërdor Policinë.

Report TV mëson se bëhet fjalë për ekspertë të cilët asistojnë Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në luftën kundër grimit të organizuar dhe për hetimin e grupeve kriminale në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Po ashtu këta ekspertë janë angazhuar në monitorimin e standardeve profesionale se si do sillet policia gjatë protestës të së shtunës.

Një grup ekspertësh ndërkombëtarë do të ndjekin në një sallë në Ministrinë e Brendshme të gjithë koordinimin që do bëhet që nga vendosja në terren e trupës policore dhe të gjithë urdhrat që ata do të marrin para, gjatë dhe pas protestës.

Ndërkohë një grup tjetër do të jetë në terren të cilët në mënyrë të pavarur do të ndjekin duke filmuar e fotografuar sjelljen e policëve dhe të protestuesve. Gjithashtu Report TV ka mësuar nga burime diplomatike se ambasadat më të rëndësishme në vend, përfshirë SHBA-në kanë angazhuar grupe monitorimi, përmes punonjësve të tyre, të cilët në kohë reale do të dërgojnë informacion për atë se cfarë do të ndodhë në protestë.

Deklarata e Ministrisë së Brendshme:
"Ministria e Brendshme, respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi mbështet punën e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit, pavarësisht dhunës verbale dhe fizike të ushtruar ndaj saj në disa nga këto tubime.

Me kërkesën e Ministrit të Brendshëm, hartimi i këtij plani masash është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit. E gjithë veprimtaria e Policisë, ditën e nesërme do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të mbështesin Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj dhe të distancohen nga individët me mendësi e prirje të dhunshme. Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit. Në të njëjtën kohë, ajo do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t’i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor". 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com