SPAK do ta dërgojë për gjykim dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku pa paraqitur një kërkesë të re për arrestimin e saj. Kreu i SPAK, Klodian Braho, tha në një komunikim me gazetarët se prokuroria e ka marrë përgjigjen nga Kuvendi, i cili refuzoi kërkesën e parë për autorizimin e arrestimit.
Braho shpjegoi se SPAK e kishte argumentuar kërkesën e parë me zgjerimin e hetimeve ndaj Ballukut. Në raportin me të cilin u rrëzua kërkesën, shumica parlamentare tha se zgjerimi i hetimeve nuk përbënte një rrethanë të re. Braho iu referua pikërisht këtij qëndrimi kur u pyet nëse SPAK do të kërkonte një masë të re sigurie ose zëvendësimin e masës në fuqi, duke thënë se Kuvendi u vuri kufij dhe se janë në të njëjta kushte.
Braho: Lidhur me mundësinë e një kërkese të re për masë sigurie apo të zëvendësimit të masës, Kuvendi (shumica) na tha në raport se zgjerimi i hetimeve nuk përbën rrethanë të re. Qasja jonë është që kërkesa që kemi bërë në Kuvend duhej të ishte pranuar, por Kuvendi vuri disa kufij dhe jemi në këto kushte.
Ndaj Ballukut aktualisht është në fuqi masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit si edhe pezullim nga detyra.
Lajmi kryesor:
SPAK përjashton kërkesë tjetër për arrestimin e Ballukut: Kuvendi na vuri kufi! 10 tenderë me vlerë 400 mln € të manipuluar, fraksion për prokurime të tjera! EMRAT e 28 të pandehurve








