Vaksina ruse e Sputnik V ka një efikasitet prej 91.6% kundër COVID-19, sipas një studimi të botuar në revistën ndërkombëtare shkencore The Lancet.
Më parë shkencëtarët kanë qenë kritikë ndaj shpejtësisë me të cilën është krijuar vaksina ruse, duke thënë se kjo ishte bërë me "nxitim të dukshëm dhe mungesë transparence".
"Por rezultati i arritur është i qartë. Një tjetër vaksinë mund të bashkohet me luftën për të zvogëluar incidencën e COVID-19." thanë shkencëtarët britanikë Ian Jones dhe Polly Roy në një koment shoqërues të studimit.
Prova, e cila përfshiu rreth 20,000 njerëz në Rusi vjeshtën e kaluar, arriti në përfundimin se vaksina ishte 91.5% efektive. Duke arritur po ashtu të parandalojë simptomat e rënda të COVID-19.
Sputnik V ishte vaksina e parë e regjistruar në botë kundër COVID-19 gushtin e kaluar. Presidenti Vladimir Putin u shfaq në televizionin kombëtar dhe tha se njëra nga vajzat e tij ishte vaksinuar me të. Në atë kohë, ajo ishte testuar vetëm në disa dhjetëra njerëz.
Studimi i fundit bazohet në kërkime që përfshijnë rreth 20,000 njerëz mbi moshën 18 vjeç në 25 spitale në Moskë midis shtatorit dhe nëntorit, nga të cilët tre të katërtat morën dy doza të vaksinës ruse me 21 ditë diferencë dhe pjesa tjetër morën placebo.
Efektet anësore më të zakonshme të raportuara ishin simptoma të ngjashme me gripin, dhimbje në vendin e injektimit dhe lodhje. Efektet anësore serioze ishin të rralla në të dy grupet dhe katër vdekje u raportuan në studim, edhe pse asnjë nuk u konsiderua të ishte rezultat i vaksinës.