Ekspertët: Gati e pamundur arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi më 2022! Palët të papërgatitura

Ekspertët: Gati e pamundur arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi më 2022! Palët të papërgatitura

Vuçiç dhe Kurti

Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit nuk pritet të sjellë rezultate as gjatë vitit 2022. Ekspertë të zhvillimeve të Ballkanit Perëndimor thonë se duke parë pozicionet e ndryshme të dy palëve, është pothuajse e pamundur arritja e një marrëveshjeje përfundimtare. Ekspertët thonë se kriza në Ukrainë po ashtu mund të ndikojë mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Qëndrimet e kundërta të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe, vazhdojnë të thellojnë hendekun në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që viteve të fundit kanë shënuar pak përparim.

Pierre Mirel, ekspert nga Brukseli, pjesë e ekipit ndërmjetësues të BE-së gjatë viteve 2011-2013, thotë për Zërin e Amerikës se kjo situatë e vë qeverinë e Kosovës para dy mundësive.

“Vërejtja ime e parë është se në shumicën e takimeve, palët nuk ishin të përgatitura, në veçanti ajo e Kosovës. Ju shkoni në Bruksel, pranoni diçka, që në këtë rast është themelimi i këtij asociacioni, pastaj thoni nuk mund ta zbatojmë sepse nuk është kushtetuese. Këtë gjë duhet ta dini që përpara. Sidoqoftë, çfarë duhet të bëhet tani. Janë dy zgjidhje. Ose të ndryshojë kushtetuta ose të rinegociohet një formë e pranueshme e asociacionit për të dyja palët”, thotë zoti Mirel.

Analistët mendojnë se është pothuajse e pamundur arritja e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi brenda vitit 2022.

“Arsyeja numër një është mungesa e besimit nga të dyja palët. Numër dy, heqja e dialogut nga përparësitë e qeverisë së Kosovës. E treta dhe ndoshta më e rëndësishmja, është mungesa e perspektivës evropiane. Dëgjojmë të gjithë që thonë se palët duhet të flasin për të mirën e tyre, jo për të tjerët. Por, janë shumë kompromise dhe vendime të vështira që duhet të ndërmerren. Përfitimet konkrete për këto vende do t’i ndihmonin udhëheqësit e tyre të siguronin mbështetjen e duhur për vendimet e vështira që ju duhet të marrin”, thotë Maja Piskeviç nga Këshilli i Atlantikut.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të përqendruar në tensionet në Ukrainë, për shkak të frikës së një agresioni të mundshëm rus. Ekspertit i Institutit Amerikan, Enterprise, Dalibor Rohaç, thotë se mungesa e angazhimit amerikan dhe evropian mund të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse liheni në një zonë gri mes perëndimit dhe fuqive autokrate revizioniste të lindjes, do të keni një mjedis të paqëndrueshëm ku është shumë e vështirë të ndërtosh demokraci liberale, të krijosh zhvillim ekonomik dhe një shoqëri të përparuar të pluralizmit politik. Ballkani Perëndimor nuk ndodhet pranë shpërthimit të një konflikti nga një fuqi e madhe. Por këtë rol mund ta luajë Serbia, duke trazuar zhvillimet politike në vendet që e rrethojnë, ashtu siç bënë Rusia në rajon”, thotë Dalibor Rohaç nga Instituti Amerikan ‘Enterprise’.

Sipas ekspertit Mirel, i paqartë sikurse e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mbetet edhe qëndrimi i Rusisë në rast se këto dy vende arrijnë marrëveshje.

“Në rast se pas dy tre vitesh do të arrihet ajo që ShbA e quan marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e cila jo domosdoshmërisht nënkupton njohje të Kosovës nga Serbia, por që do ta lejonte Kosovën të bëhej pjesë e Kombeve të Bashkuara, cili do të ishte pozicioni i Rusisë? Para disa vitesh, Rusia pati thënë se do të respektonte çfarëdo vendimi të Serbisë. Nuk do të befasohesha, që kur të ndodhë kjo, Rusia të shtronte një pyetje për Krimenë. Dhe do të kërkonte kompensim, që Krimea të njihet si pjesë e Rusisë, në këmbim të pranimit të panëtarësimit të Kosovës në OKB. Kjo është një pikëpyetje e madhe”, thotë Mirel.

Ndryshime të mëdha pozitive në dialog nuk priten as pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe që do të mbahen në pranverën e këtij viti, thotë ekspertja Piskeviç.

“Do të jetë më e lehtë pas zgjedhjeve, sepse të dy udhëheqësit do të kenë mandate të qarta para vetes. Në këtë aspekt, po, mund të presim lëvizje pozitive. Por për fat të keq nuk mendoj se kjo do të ketë ndikim të madh në proces. Është e domosdoshme një shtysë nga BE-ja, siç thuhet një karrotë në fund të rrugës”, thotë ajo.

Analistët vlerësojnë se Bashkimi Evropian duhet të shfrytëzojë mjete të reja për të joshur palët drejt arritjes së marrëveshjes.

“Në vend të qasjes aktuale, e cila mund të çojë në integrimin e Ballkanit Perëndimor pas ndoshta 20 vitesh, duhet një qasje hap pas hapi e përfshirjes së të gjitha vendeve, jo vetëm Kosovës dhe Serbisë, në tregun e brendshëm evropian. Sepse Ballkani Perëndimor është i etur për investime. Me fjalë të tjera, të mos lihen këto vende të presin derisa të anëtarësohen për të përfituar miliardat, por kjo të bëhet tani, në një proces hap pas hapi, ndërsa vendet kryejnë reformat e duhura”, thotë zoti Mirel.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në vitin 2020, përmes marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani të ish Presidentit Donald Trump. Por, duke parë situatën në botë, eksperti Rohaç mendon se takime të ngjashme vështirë se mund të përsëriten.

“Ajo që ndodhi më 2020, do të thosha se ishte gati si një aksident historie, për faktin se Richard Grennell mendoi se ishte e rëndësishme që Shtëpia e Bardhë të angazhohej në një formë ndryshe nga administratat e kaluara. Presidenti Trump e pa këtë si një mundësi të mirë për foto dhe për të përfituar pikë të lehta ndërkombëtare. Por, nuk mendoj se do të kemi këtë fat një herë tjetër”, thotë Rohaç.

Marsi shënon 11 vjetorin e fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Gjatë këtyre viteve janë arritur një sërë marrëveshjesh për shumë çështje, por zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të mbetet një sfidë e vështirë./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare