Eksperti i Ballkanit: Çfarë e pret Kosovën pas zgjedhjeve dhe era kundër që po fryn në BE

Eksperti i Ballkanit: Çfarë e pret Kosovën pas zgjedhjeve dhe era kundër që po fryn në BE

Eksperti i Ballkanit, Florian Bieber

Eksperti i Ballkanit, Florian Bieber mbi zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, shanset e dialogut me një qeveri të re të Kosovës dhe shenjat se BE do të emërojë një dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi në të ardhmen. 

Më 6 tetor Kosova voton për parlamentin e ri. Si mendoni, do ta nxjerrin këto zgjedhje Kosovën nga stanjacioni?
Florian Bieber: Natyrisht i shoh si të rëndësishme këto zgjedhje, ato po zhvillohen para kohe, por ndoshta janë zgjedhje që nuk do ta nxjerrin qartë në pah një drejtim të caktuar, se në radhë të parë bëhet fjalë për orientimin e brendshëm politik në Kosovë në të ardhmen, në kuptimin se sa do të jetë në gjendje të dominojë edhe më tej PDK-ja, partia që ka qenë që para pavarësisë dominante në Kosovë. Kjo është çështja që vendosin këto zgjedhje, ndërsa lidhur me temën e dialogut, Kosovë-Serbi, zgjedhjet ndoshta hapin perspektiva të reja, por nuk shoh ndonjë ndryshim të madh kursit. Nëse kjo bëhet, atëherë më shumë si rezultat i krijimit të koalicioneve, se sa nga vetë zgjedhjet.

Doganat 100% me Serbinë mbetën në fuqi, megjithë thirrjet e BE-së, qeveria e Kosovës kërkon që Serbia të ndalë fushatat kundër shtetit të Kosovës, për heqjen e tyre. Çfarë ndryshimi mund të sjellin zgjedhjet në këtë drejtim?

Mendoj, se mund të priten lëvizje në këtë drejtim, sepse jo të gjithë partitë angazhohen në të njëjtën masë për ruajtjen e doganave. Tani bëhet fjalë më shumë, se çfarë zgjidhje mund të gjendet, që qeveria e re të jetë në gjendje ta pezullojë vendosjen e doganave, pa e pranuar si humbje apo dështim këtë. Kjo do të varet shumë edhe nga ajo, se si BE-ja e re do të iniciojë dialogun. Mendoj, se BE duhet të dërgojë një sinjal të qartë dhe të thotë; ne kemi nevojë në fillim për masa që mundësojnë krijimin e besimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Por a nuk duket se pikërisht BE ka arritur limitet e saj të ndërmjetësimit...dialogu ka kohë që ka ngrirë....

Po vërtet, dialogu në këtë format siç ishte ka arritur në limitet e tij. Mënyra dhe ashtu si u zhvillua dialogu nuk ishte produktive, edhe ajo që e drejtoi dialogun nuk ishte produktive, Federica Mogherini në fund nuk ishte në gjendje ta drejtonte dialogun. Natyrisht që kjo nuk varet vetëm nga BE, por edhe nga dy aktorët pjesëmarrës. Si qeveria e Kosovës edhe ajo e Serbisë, mendoj se nuk kishin qëllim vërtet serioz për zhvillimin e dialogut. Këtë nuk mund ta zgjidhë me shkop magjik BE, por ajo mund të krijojë parametrat e të thotë, një dialog ka nevojë për vullnet të mirë dhe ka nevojë për gjeste çtensionimi.

Thatë se ky format i dialogut ka arritur limitet e tij, cili do të ishte formati i përshtatshëm?

Një format i ri do të thotë takime më intensive, punë më intensive për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, jo takime sporadike si në të shkuarën. Por edhe vendosjen e qartë të vijave të kuqe, që do të thotë përjashtimin e vendosjes së kufijve të rinj, kjo është e rëndësishme. Tjetra kemi nevojë për ngritjen e besimit, që do të thotë të ndalen provokimet e konflikteve si nga pala serbe edhe kosovare, siç i kemi parë në të shkuarën, këtu BE duhet të përdorë pushtetin e saj. Për shembull të thotë, janë të papranueshme bllokimet që i bëri Serbia anëtarësimit të Kosovës në Interpol apo në Unesco.

Vuçiç ka thënë disa herë, se Serbia nuk mund të humbasë gjithçka, dhe Kosova t'i fitojë të gjitha, si mendoni ju, çfarë do ta sillte atë deri aty sa të thoshte ndoshta fjalinë më të famshme të shekullit për Ballkanin, e pranojmë shtetin e Kosovës, ndoshta jo njohje, por e pranojmë si realiteti, cili do të ishte ky "deal", kujtojmë, se viti 2018 ishte nën shenjën e ndryshimit të kufijve...

Problemi është mendoj, se Vuçiç nuk është në gjendje dhe nuk e do vërtet një marrëveshje, sepse ai vetë në Serbi qeveris në mënyrë jodemokratike. Ai e sheh dialogun si legjitimim të tij në rrafshin ndërkombëtar, e mendoj, se ai nuk është vërtet aq i interesuar për të. Për ta thënë këtë fjali, pra që e pranojmë pavarësinë e Kosovës, ai duhet të përgatiste në fillim popullin në Serbi për një hap të tillë. Por në vitet e fundit ne shohim vetëm, se është forcuar rëndësia e Kosovës për popullsinë serbe, që do të thotë, se më shumë njerëz se para 5- 6 vjetësh e shohin Kosovën si një temë të rëndësishme. E kjo është pasojë e retorikës së mediave, që janë të afërta me Vuçiçin. Pra, duket se ai nuk po e përgatit popullin e tij për një kompromis, por po e nxit më shumë në drejtimin e kundërt.

Mendoni se tema e ndryshimit të kufijve përfundimisht i përket së shkuarës?

Deri sa të ketë ardhur puna tek një zgjidhje apo një zgjidhje tjetër nuk mund ta përjashtosh, se mund të rishfaqet si temë. Mendoj, se ideja e këmbimit të territoreve jeton në përfytyrimin e shumë vetëve, sidomos në Serbi. E shoh si propozim negativ dhe jorealist, sepse nuk besoj që një gjë e tillë do të pranohej nga pala kosovare në një dialog serioz, kur është e qartë, se cilat janë alternativat e kësaj.

Si i shikoni shanset për iniciativa të reja me një ekip të ri të BE-së, mendoni se do të jetë problem që i ngarkuari i ri i BE-së, Joseph Borrell vjen nga një vend që nuk e njeh Kosovën? A mundet që një i dërguar i posaçëm ta kompensojë këtë?

Deri tani kam përshtypjen, se Borrell shumë pak është marrë seriozisht me këtë çështje. Mendoj se është i rëndësishëm një i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun dhe ka shenja se do të emërohet një i dërguar i tillë. Pyetja kryesore, është se kush do të jetë i ngarkuari apo e ngarkuara e posaçme për dialogun, pra me çfarë profili, me çfarë rëndësie, sepse ky i ngarkuar do të jetë në fund ai ose ajo që do të gjejë një format të ri e duhet t'i japë peshë atij. Për Borrell është e rëndësishme që ai ta mbështesë këtë, po ashtu edhe eurokomisioneri i zgjerimit. Ka ende gjëra të panjohura, dhe ende nuk kemi parë që BE ka një strategji për këtë, sigurisht është shumë herët.

Shumë vetë në Kosovë besojnë se gjërat lëvizin vetëm me dorën amerikane...

Sigurisht është e qartë, që një dialog i suksesshëm, funksionon në fund të fundit, nëse Shtetet e Bashkuara janë në anën e BE, ndryshe ka rrezik të madh, që të dyja palët të përpiqen t'i vënë     kundër njëra-tjetrës BE e SHBA apo vetë vendet anëtare të BE. Këtë e përjetuam tek tema e ndryshimit të kufijve, ku të dyja palët u përpoqën të vinin kundër njëra-tjetrës shtetet anëtare dhe BE kundër SHBA.

Kosovarët presin liberalizimin e vizave, rinia ndjehet e izoluar, zhgënjimi është i madh, një satirë thotë, se liberalizimin do ta marrim në vitin 2076, a mund të kthehet ky zhgënjim në ushqim për radikalizime të tipit nacionalist?

Për fat të keq në Bashkimin Europian fryn tani një erë me drejtim të kundërt me atë që duhet për të ndërmarrë hapa për të integruar më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo përfshin edhe lirinë e lëvizjes pa viza. Për mua ky është një gabim i madh i i Bashkimit Europian, që nuk ishte në gjendje ta miratonte liberalizimin e vizave. Por duket shumë e vështirë për BEt ë arrijë një politikë të tillë  sepse disa vende janë qartësisht kundër. Nuk varet vetëm nga Kosova, por nga ana tjetër një qeveri e stabilizuar e serioze mund t'i reklamojë më mirë mesazhet e saj. Natyrisht sa më e gjatë të mbahet e bllokuar Kosova, qoftë për dialogun, qoftë për mosnjohjen, aq më shumë njerëzit do të shikojnë të gjejnë alternativa të tjera, e shpesh këto alternativa janë nacionaliste. Gjendja e status-quosë çon drejt një dinamike negative të zhvillimeve.dw

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale