Çfarë pritet të ndodhë me Ermal Beqirajn pas arrestimit të tij në Francë dhe a do të ekstradohet në Shqipëri? Kjo ishte pyetja që dominoi debatin e kësaj të mërkure në studion e Report TV, ku eksperti i sigurisë Fation Softa dhe avokati Fran Dashi diskutuan procedurat e ekstradimit, por edhe mundësinë që autoritetet franceze t'i japin përparësi hetimit për fluturimin mbi një central bërthamor, përpara se të vendosin për kthimin e tij në Shqipëri.
Për avokatin Fran Dashi, arrestimi i biznesmenit është një zhvillim pozitiv për SPAK-un që ka ardhur falë bashkëpunimit të SPAK me autoritetet franceze.
“Para 2 javësh, Klodian Braho dhe drejtuesi i BKH-së janë takuar me shërbimet sekrete në Francë dhe mendoj që SPAK ka patur informacion për vendndodhjen e Ermal Beqirajt në Francë. Pra ka patur bashkëpunim. Ai sot del para gjykatës. Nëse shpreh vullnetin për tu rikthyer në Shqipëri, ai vjen për punë ditësh dhe javësh. Nëse e kundërshton mund të shkojë mbi 40 ditë dhe më gjatë” tha Dashi.
Por, sipas ekspertit të sigurisë Fation Softa, gjithçka mund të varet nga hetimi që po zhvillojnë autoritetet franceze për fluturimin mbi një zonë me infrastrukturë kritike.
"Nëse fluturimi konsiderohet gabim, ai mund të përballet me një gjobë rreth 7 mijë euro. Por nëse lindin dyshime të tjera, prioritet mund të jetë hetimi në Francë dhe jo ekstradimi", u shpreh ai.
Softa u ndal edhe te itinerari i fluturimit, duke theksuar se Beqiraj nuk ishte një pilot i rastësishëm. Sipas tij, si pronar i një kompanie që zotëron avionë privatë, ai supozohet t’i njihte mirë korridoret ajrore, procedurat e fluturimit dhe zonat ku lejohen apo ndalohen kalimet.
“Një person që ka kompani fluturimi i njeh shumë mirë korridoret dhe rrugët e kalimit. Duhet të marrësh leje për ngritje nga pista dhe duhet të kesh një drejtim të caktuar. Një person që njeh territorin mendoj që ka pasur dijeni lidhur me vendodhjen e atij centrali. Është nisur nga pista dhe ka shkuar drejt bregdetit. Ka devijuar në Calais dhe kalon mbi zonën ku është TECI bërthamor. Në këtë moment është interceptuar nga avionët luftarakë francezë që i kanë bërë thirrje dhe kanë kërkuar uljen e avcionit dhe kanë bërë shoqërimin e tij. Sapo është ulur është bërë arrestimi i tij. Këtë dosje dhe rrethanat e këtij fluturimi do ta hetojnë policia e shtetit, policia inteligjente dhe anti-terrori apo edhe struktura anti-spiunazh. Gjatë uljes së avionit, nga kontrolli janë gjetur tre Air Tags në trupin e tij. Janë kontrolluar udhëtimet e tjera që janë bërë me atë avion, është bërë kontrolli i Kutisë së Zezë se gjatë kohës që ka qenë në avion, Beqiraj mund të ketë folur nëpërmjet telefonit apo pajisjeve të tjera. Merren laptopët, telefonët, nëse ka patur bashkëpunëtorë nga toka apo jo, me kë ka folur dhe cili ka qenë qëllimi. Një i ri që njeh territorin francez, që ka marrë leje fluturimi, gjëja e parë është që të njohë teknologjinë, korridoret dhe zonat e fluturimit. Ai nuk erdhi rastësisht. Ai është pronari i avionit ndaj duhet të dijë shumë mirë zonat ku fluturohet dhe lartësitë. Ka punuar i vetëm apo për të tjerë nuk dihet” tha Softa.
Sipas Softës, nëse nga GPS-i, fotografitë apo skanimet e mundshme dalin prova që fluturimi ka qenë i qëllimshëm, atëherë hetimi në Francë mund të marrë përparësi ndaj ekstradimit në Shqipëri.
"Ai mund të gjobitet për fluturim të gabuar. Në rast se nuk është rastësor dhe quhet fluturim i qëllimshëm, do shihet GPS i avionit, nëse ka fotografi apo skanime që mund të ketë bërë zonës, që mund ta rëndojnë dosjen dhe nuk i japin më përparësi faktin që është person në kërkim dhe duhet t’i kthehet autoriteteve shqiptare. Francezët po hetojnë si ka mundësi një person që ka kaq shumë kapitale, ta çojë këtë avion në një zonë të infrastruktuyrës kritike. Këtu mund të ndryshojë rrjedha e ngjarjeve dhe më pas s'ka përparësi ekstradimi në Shqipëri por hetimi në territorin francez” tha ai.
Beqiraj u arrestua të martën në veri të Parisit, pasi avioni i vogël privat me të cilin po fluturonte u interceptua nga avionët luftarakë francezë mbi centralin bërthamor të Penly. Gjatë verifikimeve rezultoi se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku akuzohet për gjashtë vepra penale.
Komente










