TIRANË – Eksperti i kriminalistikës Klajdi Mati, i ftuar në studion e “A1Report!” për çështjen e vrasjes së fëmijës Julian Çela, dha mendimin se hetuesit në këto momente duhet lënë të qetë të grumbullojnë provat e domosdoshme. Mati theksoi se janë provat dhe jo deklaratat e trazuara të Prenjasit, të cilët duhet të udhëheqin punën e grupit hetimor.

Duke folur për teknikat bashkëkohore të hetimit dhe përdorimin e tyre për rastin e Laprakëës, eksperti tha se çështja duhet trajtuar me shumë kujdes, pasi edhe pse nuk ka prova për vrasjen nga Prenjasi, kjo nuk do të thotë që ndaj tij nuk mund të ngrihet një akuzë. Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se kjo nuk përbën problem.

“Nëpërmjet informacioneve private dhe nëpërmjet mediave”,- tha Mati,-“ kuptoj që nuk janë mbledhur të gjitha provat materiale brenda shtëpisë së Prenjasit. Aty duhen kërkuar prova të bollshme për ta afruar apo larguar individin nga ky akt.

Sipas ekspertit, ka veprime shqetësuese si psh. shoqërimi i Prenjasit kudo, pa avokat. Megjithatë, “unë nuk impresionohem nga sjellja e tij”,-tha ai, -“sepse ai mund të fshehë një krim tjetër, një trafikim fëmije, një pengmarrje, diçka më makabre se kjo që pamë. Ndaj duhet të jemi të qetë që ta lëmë grupin hetimor të mbledhë dhe të filtrojë provat. Sugjeroj që ato prova që janë në rrezik zhdukjeje për shkak të motit apo rrethanave të tjera, duhet të grumbullohen me shpejtësi.  Shtëpia e tij përdhese duhet kontrolluar me rrënjë, aty është zanafilla".

"Ne presupozojmë se Prenjasi është i dyshuari",- përfundoi eksperti, -" por me deklaratën e tij, nuk do të thotë që është ai që është. Mundet që ai të dojë të bëhet VIP, sepse ka raste të tilla që kanë ndodhur edhe në Amerikë; pra, grupi hetimor duhet të përqëndrohet më shumë tek provat”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)