KORÇË - Vëllezërit Çollaku janë qëlluar me armë nga afër dhe nuk kanë dëmtime të tjera në trup. Këto janë rezultate e ekspertizës së Policisë së Korçës, bërë në trupat e Melsi dhe Klevis Çollaku, të cilët u vranë në orët e para të mëngjesit së datës 8 dhjetor në Follorinë, Greqi. Por familjarët e viktimave kanë dalë kundër këtyre rezultateve.

FAMILJARET: PO MANIPULOHET, DO MARRIM EKSPERT TE HUAJ
Familjarët e vëllezërve, Melsi dhe Klevis Çollaku kanë dalë kundër ekspertizës së Policisë së Korçës, duke pretenduar se, ajo është e manipuluar. “Ekspertiza ështe e manipuluar dhe ne do të marrim ekspertë të huaj”, kanë deklaruar ata. Sipas tyre, ekspertiza mjeko-ligjore e Policisë së Korçës është e manipuluar.

Ata kanë akuzuar gjithashtu edhe uniformat blu për fshehje të së vërtetës. “Policia e prokuroria nuk po e zbardhin të vërtetën e ngjarjes”, kanë deklaruar ata.

VRASJA NE KUFI, EKSPERTIZA E POLICISE SE KORÇES
“Nga këqyrja e kufomave nuk konstatohen shenja dhune në trupat e viktimave. Ka vetëm plagë të shkaktuara me armë zjarri dhe nuk ka asnjë thyerje të gjymtyrëve të tyre”, thuhe në raportin e mjekëve ligjorë të Policisë së Korçës.

Sipas tyre, viktimat janë qelluar nga një distancë e afërt. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se, akti i eskpertimit të bërë do ti dorëzohet prokurorisë për t’iu bashkëngjitur dosjes për ngjarjen që ndodhi në Greqi ku u vranë e dy vëllezërve.

Familjarët e vëllezërve Melsi dhe Klevis Çollaku, pretenduan se ata janë dhunuar nga policia greke përpara se të vriteshin.

TAHIRI: QEVERIA TE KERKOJE SQARIME GREQISE PER VRASJEN E VELLEZERVE
Deputeti i PDIU-së kërkoi në seancën e sotme parlamentare reagim nga qeveria shqiptare për vrasjen e dy vëllezërve Çollaku.
“Para disa ditëve neve na janë vrarë dy shqiptarë. Deri kur do të qëndrojnë qeveritë shqiptare të heshtura para shtetit grek.”- tha Dashamir Tahiri në Kuvend.

GREQI, POLICIA: VELLEZERIT E VRARE ISHIN HAJDUTE E TRAFIKANTE
Policia greke i akuzon 2 vëllezërit e vrarë në kufi si autorë të dyshuar të disa grabitjeve në fshatrat kufitare, teksa gjykata e Apelit në Janinë dënoi me 25 vjet burg një 30-vjeçar shqiptar që vrau çiftin e moshuar, në tentativë për t’ua grabitur shtëpinë. Më konkretisht, nga hetimet e palës helene, ka rezultuar se mbi njërin nga vëllezërit Çollaku, përveç akuzës së vjedhjeve, rëndojnë edhe ato të kontrabandimit të emigrantëve në Athinë. Madje, pala greke pretendon se ose Melsi ose Klelvis (30 e 34 vjeç) ishte skeduar nga policia shqiptare, për trafik njerëzor.

Ndërkaq, grekët nuk ngurrojnë të thonë se 2 vëllezërit e përfshirë në incidentin e përgjakshëm në orët e para të së dielës në Vrondero të Follorinës, në Prespë, ku u vra edhe oficeri grek 43-vjeçar Elia Kosteni, ishin depërtuar nga Greqia, por duket se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme. Tashmë, prokuroria greke nuk e lidh këtë ngjarje me peshkimin, siç u vlerësua në fillim, por me trafikun e drogës e të emigrantëve të paligjshëm. Ndërkaq, oficerët shtesë që shqyrtojnë çështjen thanë se dy shqiptarët ishin autorët e grabitjeve të shtëpive, ngjarje këto që kishin ndodhur muajt e fundit në fshatrat e Follorinës.

Vrasësi i të moshuarve
Me 25 vjet burg u dënua dje 30-vjeçari shqiptar që vrau çiftin e moshuar më 12 maj 2012. Gjykata e Apelit të Janinës, e përbërë nga 3 anëtarë, e dënoi shqiptarin si vrasësin e një çifti të moshuar në ndërtesat e fshatit kufitar Pogoniou. Shqiptari kishte “pushtuar” kafen e fshatit dhe me granatë në dorë donte t’u merrte paratë klientëve. Duke iku hodhi një granatë, që për fat të mirë nuk lëndoi askënd.

Më pas hyri në shtëpinë e një gruaje dhe i mori celularin, por më pas gjeti çiftin e moshuar, një grua 72-vjeçare dhe burri 73 vjeç, të cilët i kishte vrarë me gjakftohtësi brenda në shtëpinë e tyre, duke u marrë çelësat e makinave. Dje në gjyq, 30-vjeçari i pranoi të gjitha veprimet e tij dhe tha se qëllimi ishte të shkonte në Korinth, për të vrarë një oficer burgu, për pazare droge.

Redaksia Online
(ac/d.d/shqiptarja.com
)