Eksploziv kanalit të ujrave Ibër-Lepencit, SHBA, BE e Gjermania dënojnë sulmin: Kriminale, autorët të identifikohen! Mbështesim qeverinë e Kosovës për hetim të plotë

Shtetet e Bashkuara e BE-ja, e vendet e QUINT- it dënuan sulmin e së premtes vonë, 29 nëntor, në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të publikuar nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, thuhet se Shtetet e Bashkuara e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit “në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e ndjekur situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.

Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor. Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës. Së Kosovës duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier në të cilin theksohet se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të solidarizohen me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”.

E dënoj sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që po lë pjesë të konsiderueshme të Kosovës pa furnizim më ujë”, tha në një reagim shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka dënuar fuqishëm sulmin. Ai ka shpërndarë postimi e Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ku ka bërë thirrje për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Rohde shkruan më tej se Gjermania është e gatshme të mbështes autoritetet e Kosovës lidhur me zbardhjen e ngjarjes.

“Dënoj fuqishëm sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që prek komunitetet në mbarë Kosovën. U bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, ajo e veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova si dhe Korporata Energjetike e Kosovës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:23
'Ne qëndrojmë me Kosovën', BE: Sulmi në Zubin-Potok 'akti i neveritshëm sabotimi'! Përgjegjësit para drejtësisë

Bashkimi Evropian ka cilësuar shpërthimin në kanalin e ujësjellësit Ibër-Lepenc në Zubin-Potok si një “akt të neveritshëm sabotimi” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e dënoi sulmin në një komunikatë për media të shtunën pasdite, duke e cilësuar si një kërcënim për ujin e pijshëm dhe sistemin energjetik të Kosovës

BE-ja ka shprehur solidaritet me të prekurit dhe ka kërkuar hetim të plotë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës. Sulmi, i cili ndodhi më 29 nëntor, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, por ato janë riparuar pjesërisht. Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar arrestimin e disa personave dhe sekuestrimin e materialeve të dyshimta. Sulmi është dënuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa autoritetet e Kosovës kanë bërë përgjegjëse Serbinë për ngjarjen.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë në Kosovë që janë prekur nga ky sulm”, thuhet në komunikatë.

“Akti kriminal i kryer në Zubin-Potok duhet të hetohet dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër zhvillimet”, thuhet në deklaratë.

Ora 14:45
'Metoda terroriste ruse', deputeti gjerman: Nëse Serbia qëndron pas shpërthimit në Zubin-Potok, BE duhet t'i jap fund negociatave

1732974395_michaelroth.JPG

Kryetari i Komisionit për politikë të jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, ka reaguar ashpër ndaj shpërthimit të djeshëm në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit, një burim i rëndësishëm për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për termocentralet që furnizojnë një pjesë të madhe të Kosovës.

Roth e ka cilësuar këtë akt si një "metodë terroriste ruse" dhe ka kërkuar që sulmi të hetohet me rigorozitet.

Në një postim në rrjetin social X, Roth ka theksuar se, nëse Serbia është e përfshirë në këtë sulm, atëherë do të ishte një goditje e rëndë për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian: "Këto janë metoda terroriste ruse kundër një vendi sovran në zemër të Evropës. Këto sulme duhet të hetohen pa mëshirë. Nëse Serbia qëndron vërtet pas saj, që shpresoj se nuk është, atëherë ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë", ka shkruar ai.

Sulmi në Zubin Potok ka ndodhur të premten në mbrëmje dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën kritike të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se lidhur me këtë incident janë bërë arrestime dhe janë siguruar prova materiale. Ai ka garantuar se autorët do të përballen me drejtësinë dhe fuqinë e ligjit.

Pas këtij sulmi, kanë reaguar edhe autoritetet vendore dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të cilët e kanë dënuar ashpër aktin dhe kanë shprehur mbështetje për Kosovën. Ata kanë kërkuar që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë sa më shpejt.

Ora 13:53
Sulmi në Ibër-Lepenc, PE: Mbështesim institucionet e Kosovës për një hetim të plotë! Përgjegjësit e sulmit kriminal para ligjit

Parlamenti Evropian ka dënuar sulmin i cili ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, përkatësisht infrastrukturën kritike në Kosovë.

“Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me qytetarët e Kosovës dhe mbështetjen tonë për institucionet e Kosovës në kryerjen e një hetimi të plotë për identifikimin dhe mbajtjen e përgjegjësive të përgjegjësve për këtë sulm kriminal”, thuhet në komunikatën të cilën në emër të PE-së e kanë nënshkruar Davor Stier kryesues i delegacionit të Parlamentit Evropian për raporte me Kosovën si dhe Riho Terras, raportuesi për Kosovën në këtë institucion.

 

 

 

 

 

Ora 13:10
Shpërthimi në Zubin Potok, Lajçak: Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi

1730193350_miroslavlajcak.JPG

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk, ka reaguar pas një shpërthim mbrëmjen e së premtes, në Zubin Potok, ku është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Lajcak, në një postim në platformën X, ka thënë se ndanë të njëjtin qëndrim me shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, dhe ka thënë se ata që janë përgjegjës për sabotimin e infrastrukturës së rëndësishme të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Pajtohem plotësisht me shefin e Zyrës së BE-së. Ata që janë përgjegjës për sabotimin e infrastrukturës kritike të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Lajcak, në X.

Ora 13:06
Ministria e Jashtme turke dënon sulmin në Ibër Lepenc: Shpresojmë në identifikimin e autorëve

Ministria e Jashtme turke ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në Ibër Lepenc, duke thënë se shpresojnë që autorët të identifikohen e të dalin para drejtësisë.

Në njoftimin e kësaj ministri thuhet se  shprehin solidaritet me Kosovën dhe gatishmëri për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme, përcjell Klankosova.tv.

“Shpresojmë që autorët e sulmit të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur. Shfrytëzojmë rastin që të shprehim solidaritetin tonë me Kosovën dhe gatishmërinë për të ofruar çdo ndihmë që është nevoja. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin në rajon”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

S.G/G.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Tritol hotelit në Theth,  ja kush janë pronarët (EMRAT)

Shkodër/ Tritol hotelit në Theth, ja kush janë pronarët (EMRAT)