VLORE- Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Partia Socialiste distancohen prerë dhe e konsiderojnë veprimin akt vandal dhe të papërgjegjësh. PS kërkon nga organet kompetente shtetërore dhe i nxit ato për zbardhjen sa më shpejt të motiveve dhe autorëve të kësaj ngjarjeje dhe vënien e tyre para drejtësisë.

NJOFTIMI PER SHTYP I PS
 Përmes medias mësuam për aktin e hedhjes së një sasie lënde plasëse në banesën e bashkëqytetarit tonë dhe Kryetarit të PD, Dega Vlorë, njëkohëshisht kandidat për deputet i PD në Qarkun e Vlorë, z.Ardian Kollozi.

Partia Socialiste dhe kandidatët e saj distancohen prerë dhe e konsiderojnë këtë veprim një akt vandal dhe të papërgjegjshëm, dhe pavarësisht çdo lloj motivi, të papranueshëm për shoqërinë tonë, për më tepër në këtë klimë zgjedhore.

Partia Socialiste Bashkia Vlorë, me këtë rast, kërkon nga organet kompetente shtetërore dhe i nxit ato për zbardhjen sa më shpejt të motiveve dhe autorëve të kësaj ngjarjeje dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Këto akte dhune, që cënojnë, jo thjesht rendin dhe qetësinë publike, por mbi të gjitha rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, qëndrojnë në antitezë të plotë të vlerave të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës dhe për këtë dënohen me forcë nga opinioni qytetar i Vlorës.

Partia Socialiste Bashkia Vlorë gjithashtu distancohet nga deklarata e PD Dega Vlorë dhe i bën thirrje drejtuesve të saj të mos e politizojnë situatën dhe të lënë organet kompetente të shprehen në lidhje me aktin, qëllimin dhe autorët e tij.

Partia Socialiste Bashkia Vlorë, është e vendosur në qëndrimin e saj për të dënuar çdo akt që do të cënonte këtë frymë mirëkuptimi e tolerance dhe dënimin me forcë të autorëve të këtij akti të paprecedent.

Partia Socialiste Bashkia Vlorë

Shtabi Elektoral

(sg/shqiptarja.com)