Rusia parashikon që të ardhurat nga eksporti i energjisë të rriten këtë vit për gati 100 miliardë dollarë. Ministria ruse e Ekonomisë pret që të ardhurat nga eksporti i energjisë të arrijnë në 338 miliardë dollarë më 2022, rritje për më shumë se një të tretën e shumës së vitit të kaluar.
Rritja në të ardhura, nëse materializohet, do ta ndihmojë ekonominë ruse teksa përballet me sanksionet e ashpra të Perëndimit, prej kur nisi sulmin në Ukrainë më 24 shkurt.
Eksportet e energjisë përbëjnë rreth gjysmën e të ardhurave në buxhetin federal të Rusisë. Ministria ruse e Ekonomisë parashikon që eksportet e gazit natyror më shumë se do të dyfishohen këtë vit – 730 dollarë për 1.000 metra kub.
Sipas dokumenteve që ka parë Reuters, rënie graduale pritet të regjistrohet më 2025.
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se synon t’i japë fund varësisë në importet e gazit natyror rus, si shenjë proteste ndaj vendimit të Rusisë për luftë në Ukrainë. Mirëpo ekonomia ruse po ia del më mirë sesa është pritur, pas vënies së sanksioneve.
Ministria ruse e Ekonomisë pati paralajmëruar më herët se ekonomia mund të pësonte tkurrje në deri 12 për qind, ndër shifrat më të larta në tri dekadat e fundit. Por, autoritetet ruse tani presin që ekonomia e shtetit të tkurret për vetëm 4.2 për qind këtë vit.
Rusia këmbëngul se po zhvillon një "operacion special ushtarak" në Ukrainë për ta çliruar atë nga nacionalistët dhe për të mbrojtur komunitetet rusishtfolëse. Ukraina dhe Perëndimi i përshkruajnë veprimet e Rusisë që prej 24 shkurtit si një luftë agresioni të paprovokuar.
Te dale Rusia me e pasur nga lufta, ec e merre vesh kete gjeopolitiken.
Përgjigju