Ekspozita/ Artistja Lina Ogaily dhe abstragimi i memories

Ekspozita/ Artistja Lina Ogaily dhe abstragimi i memories

Artistja Lina Ogaily

Shek. XXI e ka shënuar tashmë epokën e vet, e cila vjen me karakteristika që orientohen kah një vizion i ri. Ai qartësohet prej mentalitetit të një brezi të ri, që jeton deri diku me kufizime të ndryshme social-ekonomike nga i një shekulli më parë. Pavarësisht nivelit zhvillimor, jetojmë në një kohë të re, ku arti e artisti janë pjesë e organizimeve të ndryshme gjeopolitike. Madje, ata, i ndjekin këto zhvillime hap pas hapi, edhe pse ende arti është një materie, që buron prej individit artist - e kjo është një e vërtet e paprekshme - i cili kohës sonë i jep produkte nga krijimtaria e lidhur me "trillin" e memories se sa nga krijimi si imazh i lindur nga ngjarje të ndodhura drejtëpërdrejtë.

Kjo mënyrë arsyetimi i ndan artistët në dy grupe të mëdha, që kanë në gjirin e vet nëngrupe me natyra të shumta. Shpeshherë rokanisja e vëzhgimit tim lidhet me dyshimet e mija. Në një çast fatlum, kur zbulova nga Roland Barthes nocionet "studium-studim" dhe "punctum-detaj", me të cilët i afrohej zbulimit të fenomenit fotografi, qartësova idenë se piktura e Lina Ogaily është një imazh i gjerë, i krijuar nga një artiste, që i përket grupit të "trillit" të memories ose imazhit të asaj gjurme të memories që stamposet prej botës së brendshme.  E kjo bëhet edhe më e qartë kur artisja zbulon introversionin e saj, që do të thotë se psiku i saj është shumë më i kujdeshëm për të kontrolluar botën e jashtme me anë të frymëmarjes dhe syve të brendshëm të mendjes. Ky psik ka krijuar figura arti me subjekte të caktuara, që shkaktohen nga kujtesa, nga vendlindja, nga besimi, nga kultura dhe nga impresionet e me kontaktet njerëzore. 

Vepër e artistet Lina Ogaily

Lina Ogaily është një artiste e lindur në Kuvajt, që banon në Britani dhe ekspozon e punon në Lindjen e Mesme dhe në Britani. Ajo po ekspozon në Fier, në një vend të vogël të Ballkanit. Shumë "pse" mund të ngrihen rreth arsyeve pse në Fier? Sa shumë artistë me kombësi përkatëse nga vende të largëta të Lindjes, nga vende të varfëra të Ballkanit dhe Europës Juglindore, kanë lënë vendin e tyre për arsye politike, sociale, ekonomike dhe janë vendosur në mjedise e vende të zhvilluara të Europës dhe më gjërë? Nga fundi i shek. XX e deri në vitet që jetojmë shohim se si grupe të mëdha njërëzish, e në mes tyre artistë, lëvizin në teritore që i pandehin aftësisht më të mirë dhe shpresëdhënës se vendlindjet. Artistë nga Shqipëria, Iraku, Irani, Turqia, Armenia, Serbija, Maqedonia, Bosnja, Kosova, Rumania e vende të tjera janë vendosur, shkolluar e formuar si artistë ekstrakomunitarë në mjedise arti me zhvillim të ndryshëm nga vendi i tyre.

Sa shpesh marrim pjesë në forume e ekspozita të përbashkëta të këtyre artistëve dhe sa shumë zbulojmë në brendësi të artit të tyre ekzistencën e një fije të përbashkët, ku janë kujtesa, nostalgjia, fëminia, kultura dhe mëmësia e tokës së origjinës, të cilët i njohim si fenomene universale? Sa bindshëm mendojmë se kulturat periferike, lindore apo të vogla kanë pasuruar dhe lëngëzuar kultura të vjetra dhe të mëdha?

Arti i Lina Ogaily është një shembull i plotë i pseve dhe i përgjigjes pse ajo vjen në Fier, edhe pse jeta e saj artistike bëhet në vende të zhvilluara. Lina Ogaily kërkon të ndajë me një publik të ri periferik, por të lashtë të Europës, koncepet e saj figurative mbi nostalgjitë dhe kujtimet. Ajo dëshiron të bëjë publike figurat e saj të brendshëm, të cilat shtyjnë të dalin jashtë përmes një konteksti të caktuar parimesh mbi artin modern. Lina Ogaily kërkon të qendrojë përball publikut shqiptar, për të treguar historinë e formimit të saj si artiste irakiane në botën britanike, edhe pse jo, rezistencën e vet ndaj transformimeve të pashmangshme. Kërkon të shpreh përpjekjet për të gjetur mënyrën e vet të krijimit në botën e gjerë dhe të ashpër të artit në botë. Ajo kërkon të tregojë vendin që zë në fushën e artit të shek. XXI, pasi zgjedhja nuk ishte krijimtaria didaktike e pasqyrimit të peizazhit natyror, as e figurës inaktive njerëzore që pozon, as e sipërfaqeve me ngjyra klasike. Zgjedhja e saj është të gdhendë gjurmë të abstragimit figurativ të memories jetësore. 

Lina Ogaily zgjodhi një rrugë konceptuale figurative e moderne, që u ndërtua prej meditimeve nga koha e hershme e fëminisë; prej  gjurmëve të përshtypjeve të adoleshencës së një gjimnazisteje në zbulim të kulturës së pasur dhe të mrekullueshme arabe dhe asaj të thellë të Lindjes së Mesme; prej nxitjeve të echo-ve kulturore, arkitektonike dhe artistike nga vendlindja dhe prej jehonave prindërore. Lina Ogaily memorizoi atmosferën irakiane, hoqi dorë nga pasqyrimi i drejtëpërdrejtë i saj si një imazh i zakonshëm. Gjatë edukimit me programe të shkollave të larta të artit në Britani, artistja i dha krijimit të figurave koncepte domethënëse. Në këtë hapësirë studimore u njoh me historinë e artit botëror dhe të kombësisë së saj arabe, duke vlerësuar shëmbëlltyrat kuptimplote të arritjeve shekullore, të cilat ndikuan në formimin intelektual dhe artistik. Në përballje me krijimtari të shumëllojta bashkëkohore gjeti rrugën e saj figurative, e cila ka pamjen e një produkti modern, me vizion të ri, që ka si nënshtresa ndjesinë e kaligrafisë, linjën, formën dhe ngjyrat e artit të kultivuar të botës së atdheut dhe Lindjes mahnitëse.

Pikturat e Lina Ogaily është, siç edhe ajo pohon, "dialogu vetjak me çdo pjesë të artit për të krijuar një lidhje ose çlidhje me veten". Pikturat e saj janë bashkëjetesa dhe kombinimi i kulturës së Lindjes së Mesme apo asaj arabe, dhe pse mos, edhe frymës muslimane, me individualitetin psikik të artistes grua dhe krijimit laboratorik të stilit të saj. Pikturat janë një gjenerim i ri e në zhvillim i një kulture plot shtresa që veçanërisht i përket Irakut, i cili themelet e trashëgimisë kulturore i ka në kohën e Babilonisë dhe Mesopotamisë së Lashtë, ku arti i tyre arriti pika kulmore të njëjta me Egjiptin e Lashtë. Invazionet dhe pushtimet e egra mongole të shekujve XII dhe XIII shkatruan artin dhe kulturën tradicionale, të cilat u ringritën në shek. XVI, kur Iraku u bë një nga vendet më të njohura për miniaturat e famëshme, si dhe në shek. XVII, nën ndikimin Iranit, u bë një nga qendrat e ndriçuara të kaligrafisë, letërsisë, poezisë dhe arteve. Në shek. XX, rifreskohen kultura dhe tradita e artit, kombinohen traditat e trashëguara me traditat e reja, duke i dhënë shkas lindjes së artistëve modern të Lindjes së Mesme, të cilët e rritën artin e tyre përmes vizioneve bashkëkohore, duke përqafuar lëvizjet moderne. Nga kjo situatë njihen sot dhe kanë emër ndërkombëtarë artistë të shquar të saj si Jaëad Saleem (1919-1961), Ismail Fatah Al Turk (1934/38-2004) dhe Dia Azzaëi (1939). Ata janë iniciatorë të grupit "Vizion i Ri". Lina Ogaily është mbështetur mbi artin dhe përvojat e tyre, gjë të cilën e  përmend në CV-në e saj, me shumë respekt. Ajo, për të zhvilluar fizionominë abstraguese e moderne të krijimit, zbuloi nënlëkurën e artit, poezisë dhe letërsisë së Irakut. Përqafoi qëllimin e mjeshtrave të lartëpërmendur natarë apo mendjehollë të shek. XX, që ishte formimi i një gjuhë unike të artit në Irak, e cila të ndërtohej mbi artin e madh të civilizmeve të lashta të Sumerëvet, Babilonasve, Asirive, Mesapotamëve dhe të ndërthurej me artin e europianëve të shek. XX: Picasso, Klee, Calder, Matisse, Kandinsky etj. Lina Ogaily i`u përshtat qëllimit të mjeshtrave të Irakut dhe arti i saj është vazhdimësi e tyre. Piktura e Lina Ogaily ka disa cilësi figurative, por kryesisht i përket abstraktes, gjeometrikes dhe ekspresives. Ajo është dydimensionale. Subjekti i abstraguar fillon nga një pikë në qendër dhe hapet organikisht në të gjithë sipërfaqen, duke lënë në shumë raste sfondin në formën e një kornize dhe në disa të tjera një sfond të shpërndarë. Ngjyrat, në disa piktura janë shumë të forta,  ndjesore, të nxehta e goditëse. E gjelbërta, bluja, e kuqja, e verdha, e zeza dhe e bardha duket se bisedojnë "ashpër". Lina Ogaily i njeh mirë ngjyrat dhe i ka përdorur si një formaliste emocionale, për të zbuluar qendresën e tyre mbi sipërfaqe dydimensionale, por edhe si shprehje e gjendjes së saj psikike në çastë të caktuara. Tonalitetet e njollave bardh e zi, ajo i përdor thekshëm, për të informuar mbi kontrastin, si në një fushë shahu. Mbase për të treguar rreth kontraditës, dyshimit, lojës, betejës, rivalitetit, që introverti zhvillon me ekstrovertin dhe e kundërta. Ajo luan me këtë fushë me të gjitha formatet dhe përmasat, që janë të çlirta në shumëllojshmërinë e tonaliteteve që harmonizojnë shkallën e fortësisë apo butësisë së njollave të ngjyrave. Ritmi i formave në sipërfaqen e pikturës herë shtrihet horizontal, e herë ngrihet vertikal, por edhe godet në forma amplitudash të rregullta, që të kujtojnë kuineformat sumeriane, gdhendur mbi sipërfaqe balte. Stili i vizatimit i përket një linje që shtrohet herë pastër drejt apo harkuar, herë është ndërprerësë dhe me zigzake. Në çdo rast krijon figurën e përgjithëshme mëmë, në të cilën brendashkruhen figura të vogla gjeometrike. Lina Ogaily arrin të krijojë me ngjyrat dy lloj sipërfaqesh si atë pastoze e të grimcuar, ashtu dhe të sheshtë e të lëmuar dhe, kjo e fundit i bën shpesh herë pikturat të marrin karakterin e një punimi dizajni. Gjithashtu piktura e saj herë lexohet sepse është tregimtare si piktura 'Family portrait', 2017 dhe herë abstragohet deri në qelizë si 'Grandmother', 2018.

Temat në pikturën e Lina Ogaily lidhen ngushtësisht me abstragimin shprehës të emocioneve, akteve dhe pamje njerëzore. Titujt e kryejnë këtë informim në mënyrë domethënëse. Subjektet në pikturë janë fytyrat njerëzore, gjestet dhe pozicionet e trupave të tyre, gratë e veshura dhe të mbuluara, zogjtë; zogu dhe njeriu, që trajtohen në cikle; jetimët, bashkëshortët, shoqëria, familjarët, gërmat, kohët dhe emocionet si: soditja, nostalgjia, eksodet, pritja e tj. Krijimtaria e Lina Ogaily duket si një "déjà vu" e gjerë formash të shumëllojshme mbi njeriun, ku dominon linja elegante, e cila përmes shkathtësisë dhe aftësisë së artistes duket se përsëritet e përsëritet për të mos ndalur arkurr.  Këtë e justifikon vet artistja kur mendon se: "Gjatë udhëtimit të saj kreativ dhe imagjinar ajo zbulon sesi reflektojnë fytyrat e njërëzve mbi pikturat e saj dhe se ky është shpërblimi më i madh që ajo do të dëshironte, ndërsa mendimet dhe ndjenjat që ato shprehin i japin asaj arsyen që të vazhdojë të pikturojë".   

45 Punimet e Lina Ogaily u ekspozuan në galerinë e re të qytetit të Fierit "Vilson Kilica". Ekspozita  është ende e hapur dhe gjatë fundit të tetorit do të hapet në Tiranë.

Vepër e artistet Lina Ogaily

*autorja e shkrimit është studiuese arti

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë