Janë 100 ilustrime ksilografike që mbajnë emrin e Salvador Dalisë dhe që shfaqen për të herë të parë në një ekspozitë në galerinë “Naan” në Tiranë. “Ëndrra hyjnore” është kuruar nga Zef Paci dhe Ajola Xoxa dhe sjell punë që Dali i ka përdorur për ilustruar Komedinë Hyjnore të Dante Alighieri-t.
“Nga kritikë e artit botëror ky konsiderohet si grupi i punëve më i rëndësishëm dhe më i përpunuar i Salvador Dalisë. Më 1950 qeveria italiane e komisionoi Salvador Dalinë, që të ilustronte Danten e famshëm dhe Komedinë e tij hyjnore. Sigurisht, rrugës kuptuan që ai ishte pak skandaloz dhe pak mbase jo i përshtatshëm për atë moment të kishës në Itali, kështu që vendosën të mos e nxirrnin këtë publikim zyrtarisht.”, - shprehet Ajola Xoxa.
Dali, i cili tashmë ishte dashuruar me veprën e Dantes, nuk u ndal dhe shkoi në një shtet tashmë më liberal, në Francë dhe i publikoi këto punë, 14 vite më vonë.
Ekspozita është ndarë në tre grupime sikurse dhe “Komedia hyjnore”: ferri dhe purgatori në katin e parë të galerisë dhe parajsa në katin e dytë. Të pranishëm gjatë çeljes së ekspozitës ishin edhe ambasadori italian dhe ai spanjoll, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për realizimin e saj.
“Është një mbrëmje historike sepse sjellim për herë të parë në Tiranë një nga gjenitë më të mëdhenj të Spanjës, së bashku me një tjetër gjeni italian, Dante Alighieri.”, - thotë Alvaro Renedo Zalba, Ambasadori i Spanjës në Shqipëri.
Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci e cilëson një mbrëmje të veçantë, që dëshmon fuqinë përbashkuese të artit.
“Është një mbëmje vërtet e veçantë sepse dëshmon sesi arti bashkon dhe krijon pika. Në këtë rast midis Italisë, Spanjës përmes këtyre artistëve të mëdhenj, por dhe Shqipërisë. Mos harrojmë që shkrimari më i madh që Shqipëria ka pasur, si dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të botës është Ismail Kadare e që ka shkruar një libër dedikuar pikërisht Dantes.”, - vëren Bucci.
Bashkë me ekspozitën është realizuar edhe një dokumentar i detajuar, ndërkohë që në galeri ka edhe një dhomë kushtuar veçanërisht të rinjve dhe fëmijëve.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun çdo ditë deri më 12 shkurt 2025.