Ekspozita/Letra e Fultz-it drejtuar Gjergji Cancos: Si ta modernizojmë arsimin profesional

Ekspozita/Letra e Fultz-it drejtuar Gjergji Cancos:  Si ta modernizojmë arsimin profesional

Zhani Canco në ekspozitë

Në 116-vjetorin e Lindjes së “Mësuesit të Popullit”, Gjergji Canco, i biri Zhani Canco ka zgjedhur të zhvillojë një aktivitetet me vlera historike.

Në bashkëpunim me drejtorinë e Shkollës së Mesme Profesionale Teknike Elektrike, që mban emrin e Gergji Cancos, ai ka çelur një ekspozitë me kujtime të viteve ’20-‘30, kur nisën përpjekjet e para për arsimin profesional në Shqipëri, rrënjët e të cilit u hodhën nga shkolla amerikane.  


(Zhani Canco, djali i Gjergji Cancos, autor i ekspozitës)

Në vitin 1922, Kryqi i Kuq Amerikan e caktoi profesorin e arteve mekanike, 34-vjeçarin Harry T. Fultz, Drejtor të Shkollës së parë Teknike në Tiranë. Gjergji Canco ishte një ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle, dhe më pas nga viti 1945 ai ka qenë për rreth 40 vite drejtor i shkollës teknike në Tiranë.

“Harry  Fultz në punën e tij udhëhiqej nga parimi i edukimit të nxënësve përmes ushtrimit të teorisë në praktikë. Pasi shpjegonte teorinë, ai i orientonte arsimtarët për zbatimin konkret të saj nga nxënësit”, thotë Zhani Canco për “Shqiptarja.com”, duke treguar disa foto të ekspozitës dhe një letër plot mirëbesim dërguar posaçërisht babait të tij, Gjergji Cancos.


(Njëzet e tetë Gradualë të'29-ës mësues e Drejtori. Në qendër të fotografisë Drejtori Harry Fultz)

Zhani Canco ka ekspozuar disa fotografi të shkollës së parë profesionale, ku ka zbuluar nga arkivat: ndërtesën e parë të shkollës, sot është Shkolla së Mesme Profesionale Teknike Elektrike.

“Shkolla, nuk përbëhej vetëm nga klasat, ambientet sportive, konviktet dhe spitali, por edhe nga disa reparte ku nxënësit do të zbatonin përkatësisht teoritë që u kishte mësuar shkolla, ofiçinat e shkollës, fermat dhe automjetet që nxënësit të ushtronin veprimtarinë praktike janë faktet të mbledhura në këtë ekspozitë”, thotë Zhani Canco për “Shqiptarja.com”.

Letra e Harry Fultz-it

Zhani Canco ndihet me të drejtë krenar për veprimtarinë arsimore të babait të tij, mësuesit të arkitektëve dhe inxhinierëve më të shquar të Shqipërisë. Në ekspozitën dedikuar kontributit të tij më tregon një letër të Harry Fultz që ia ka dërguar Gjergji Cancos në vitin 1932. Në atë kohë Canco ka qenë mësues i matematikës dhe një nga arsimtarët themelues të shkollës teknike. Edhe letra që gjendet e ekspozuar tregon parimet e Fultz-it për arsimin profesional. Ja çfarë i shkruan Gjergj Cancos në një letër zyrtare drejtori i shkollës Harry Fultz:

 “5 dhjetuer  1932

Per Zotin Canco

Bashkangjitur po ju dergojme nji skelet te mesimevet qe na dishrojme per juve te perfshini ne Geometria Diskrispirive I.

Do te jemi te kenaqun, ne asht se gjate ketij vjeti studuentat do te marrin nji ide te kjaret mbi projeksione te pikavet, vijavet dhe siperfaqevet (planeve) Kemi mjaft kohe ne te cillen mundeni me i dhane studentave nje ide dhe dijeni per te cillen ata kane nevoje, dhe mund ta perpjestoni kohen tuaj keshtu qe mund te kete nje balansim ndermjet diskursioneve theorike dhe provavet dhe problemevet  praktike qe do te zhvillohen ne derrasat e vizatimit,

Asnje problem sado qe mund t’ju duket juve i vështirë, nuk duhet lane derisa mos te siguroheni se cdo student i klases e ka nxane dhe e ka kuptue mire. Gjysma e vleftes e punes se nje mesuesi varet sesa aji asht i zoti me e kuptue sesa studentata kane nxane me te vertete a po a jo? Neve na intereson me teper qe studentat te studiojne sesa te flasin mesuesat. Natyrisht persa i perket mesimit tuaj na besojme se ju do te gjeni mjete per me i dhanë rast studentave tuaj qe te studjojn.

Neneshkrue:

Harry T. Fults.

Drejtori.”

(Letra e rëndësisë së veçantë ka qenë e shkruar si më lartë edhe ne shqip)

Gjergj Canco ka ndërruar jetë në vitin 1971. Emri i tij njihet nga të gjithë ata që nisin studimet në shkollat profesionale dhe të inxhinierisë. Në 100-vjetorin e lindjes në vitin 2002 emri “Gjergji Canco” iu vu shkollës së mesme profesionale Teknike Elektrike.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë