Ashtu si edhe në qytetet e tjera Dita e Verës u festua në Mallakastër e Ballsh. Përgjatë bregut të liqenit të Ballshit, qytetarë të të gjitha moshave u bënë pjesë e aktiviteteve të shumta të organizuara nga bashkia, duke i dhënë festës ngjyra.
Aktivitetet nisën që në oërt e para të mëngjesit me Panairin e shkollave “Art dhe Zeje”, ku nxënësit ekspozuan punimet e tyre kreative. Festa vijoi më tej me aktivitete sportive si ndeshje volejbolli dhe gara me biçikleta.
Ekspozita e makinave retro dhe parada e motorave nga “Vespa Club”, tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve dhe vizitorëve. Mes pjesëmarrësve në garën e motorave retro ishte edhe aktori Marjus Dervishi, i cili u shpreh i emocionuar nga adrenalina dhe atmosfera festive që ofron Dita e Verës në Mallakastër.
Në këtë festë nuk munguan edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, mes tyre kryebashkiaku Qerim Ismailaj dhe deputeti i zonës Klevis Jahaj.
Koncerti me këngëtarë live, aktivitetet kulturore dhe gastronomia tradicionale plotësuan mozaikun e kësaj feste.
Lajmi kryesor:
Dita e Verës/ Ballokume, verore dhe festime në çdo qytet të Shqipërisë, Elbasani mbetet ‘shpirti’ i festës (PAMJE ME DRON)









