TIRANE, 27 Shkurt/ATSH/- Në 155-vjetorin e tij të lindjes dhe gjestit të tij sa shkencor aq edhe elegant të dhurimit më 1930 të 81 titujve të koleksionit personal albano-balkanologjik, Biblioteka Kombëtare ka hapur sot ekspozitën kushtuar studiuesit të shquar gjerman Gustav Weigand.
Përmes kësaj ekspozite të titulluar "Biblioteka e një albanologu", BKSH shpall dhe vitin e 95-vjetorit të themelimit të saj, si vit i dhurimeve për pasurimin e fondeve albano-balkanologjike.
Ekspozita u shoqërua me një referim shkencor kushtuar kontributit gjuhësor të Weigand-it nga balkanologu Prof. Dr. Dhimitri Bello (Universiteti i Tiranës), e veçanërisht mbi veprën "Etnografi e Maqedonisë", falë vlerave historike, etnografike e gjuhësore që ajo përfaqëson.
Gustav Weigand (1860-1930), kontribues i shquar në studimet ballkanologjike, hartues atlasesh gjuhësore, hulumtues i marrëdhënieve mes gjuhëve e kulturave të popujve ballkanikë, vështruar në kontekstet e tyre historike e etno-folklorike, zuri një vend të rëndësishëm edhe në debatet shkencore mbi historinë e gjuhës shqipe, veçanërisht përmes 12 argumenteve të tij mbi prejardhjen e saj prej trakishtes.
Ky studim u publikua pak vite para se ai të ndahej nga jeta, më 1927 në "Balkan Archiv", u përkthye dhe botua po atë vit në revistën "Diturija" nga Aleksandër Xhuvani. Për gjuhën shqipe G. Weigand njihet edhe për Gramatikën e gjuhës shqipe, 1913 dhe Fjalor shqip-gjermanisht e gjermanisht-shqip, 1914.
Ndër veprat më të njohura veçojmë: Gjuha e vllehëve të Olimpit, 1888; Gramatikë e megleno- vllahishtes, 1891; Vllaho-meglenishtja 1892; Atlas gjuhësor i trevës dako-rumune (2 vëll), 1898, 1909; Arumunët (2 vëllime), 1894- 1895; Gramatika e gjuhës bullgare, 1907; Biblioteka bullgare (9 vëllime); Etnografia e Maqedonisë, 1923 etj./a.gegvataj/