TIRANE - Interpol Tirana ekstradoi sot nga Italia shtetasin shqiptar Berti Jonus Hajdari, pasi ishte dënuar me tre vjet burg nga Gjykata e Apelit të Vlorës në vitin 2006.

34-vjeçari i lindur në Lushnje akuzohej për veprën penale të “Dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm kufiri”, parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.

Hajdari është deklaruar fajtor pasi u premtonte shtetasve shqiptarë mundësimin e kalimit të kufirit drejt shtetit grek, kundrejt një pagese, thuhet në një njoftim të Policisë shqiptare.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më datë 23.03.2011, në Parma, Itali, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, Berti Hajdari i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

(im/shqiptarja.com)