TIRANE - Emri i tij ishte shënuar tre herë me të kuqe nga Interpoli dhe është dashur më shumë se 1 muaj që të identifikohet, pasi ishte vënë në pranga gjatë një aksioni antidrogë në Ekuador ku ishte kapur më shumë se 270 kilogramë kokainë. Bëhet fjalë për Dritan Rexhepin, ish-studentin e Juridikut të kërkuar nga Shqipëria për vrasjen e një polici në vitin 1999, të kërkuar nga Italia për krime të ndryshme, nga ku është arratisur, të kërkuar nga Britania e Madhe po për krime të rënda dhe së fundi nga Belgjika ku ishte arrestuar për trafiqe por më pas u arratis në vitin 2011.

Emri i tij ndodhej në listat e Intepolit që prej vitit 2006, ku u arratis nga qelitë e paraburgimit në Policisë së Durrësit, pasi ishte vënë në pranga për vrasjen e dy efektivëve të policisë së Fushë Krujës. Ai dyshohet se, është një nga të parët vrasës me pagesë që vepronin në Shqipëri dhe jashtë vendit e për këtë ndaj tij ishin ngritur akuza të shumta, për krime të rënda. Në 2006 ai u kap në hotel “Tirana” me 2 pistoleta në brez.