Mijëra njerëz, nga afër dhe larg, u mblodhën në brigjet e një lumi në Kentucky të SHBA-së. Burra, gra dhe fëmijë qëndronin në radhë për të parë varjen publike të një burri me ngjyrë, të dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e një të veje të moshuar e të bardhë.
Ishte 14 gusht 1936, një e premte përvëluese në Owensboro të Kentucky-t, në mes të një vale të jashtëzakonshme të të nxehtit. Disa njerëz kishin fjetur pranë trekëmbëshit gjatë natës për të ruajtur vendet e tyre. Të tjerë kishin organizuar mbrëmjen e mëparshme festa të quajtura “necktie parties”, ndërsa mbërritën të nesërmen me shenja të dehjes. Ndërkohë, adoleshentët shisnin kokoshka dhe pije freskuese për spektatorët.
Deri në orën 05:00 të mëngjesit, kur do të kryhej ekzekutimi, turma kishte arritur rreth 20 mijë persona.
Pikërisht atëherë, Rainey Bethea, një jetim në të njëzetat, u ngjit në trekëmbësh. Ai ishte dënuar me vdekje pasi dyshohet se kishte rrëfyer grabitjen, përdhunimin dhe vrasjen e Lischia Edwards, 70 vjeçe.Një pasdite më parë, ai kishte konsumuar vaktin e fundit, i cili përfshinte pulë të skuqur, bërxolla derri, pure patatesh, tranguj turshi, bukë misri, byrek me limon dhe akullore.
Shumë prej të pranishmëve, mes tyre edhe gazetarë të ardhur nga qytete të largëta si Çikago dhe Nju Jorku, kishin ardhur për të parë atë që përflitej si “ekzekutuesja femër”. Sherifi lokal kishte vdekur katër muaj më parë dhe e veja e tij ishte bërë zëvendësuesja e papritur në këtë detyrë. Megjithatë, ajo refuzoi të tërhiqte vetë levën që do të aktivizonte mekanizmin e varjes. Në vend të saj, këtë detyrë e kryen ekzekutues të punësuar posaçërisht.
Ai moment shënoi varjen e fundit publike me jehonë të madhe në historinë e SHBA-së. Spektakli që shoqëroi vdekjen e Betheas shkaktoi turp dhe zemërim te shumë njerëz në Kentucky, ndërsa guvernatori ndaloi ekzekutimet publike 18 muaj më vonë.
Deri atëherë, shumica e shteteve amerikane i kishin braktisur ekzekutimet me pjesëmarrjen e turmave, pasi qëndrimet shoqërore po orientoheshin drejt metodave më njerëzore dhe private. Një tjetër varje u ndoq nga disa qindra persona në Misuri në vitin 1937. Ajo ishte më pak e njohur, por shënoi ekzekutimin e fundit publik në SHBA, deri më sot. Burra, gra dhe fëmijë morën pjesë në varjen që shënoi ekzekutimin e fundit publik me jehonë të madhe në SHBA.
Më shumë se 90 vjet pas ekzekutimit të Betheas, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi se ushtria do të kryente ekzekutimin publik të Nidal Hasan, i cili në vitin 2009 vrau 13 ushtarë të paarmatosur në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas.Pentagoni konfirmoi më pas se ekzekutimi me pushkatim do të transmetohej drejtpërdrejt në internet. “Njerëzit duhet të kuptojnë se këto lloj veprimesh kanë pasoja të rënda”, deklaroi Hegseth.
Michael Radelet, profesor emeritus në Universitetin e Kolorados dhe studiues prej shumë vitesh i dënimit me vdekje, u shpreh i tronditur. “Nuk e kisha imagjinuar kurrë një tjetër ekzekutim publik”, tha ai për BBC-në.
Ai vuri në dukje se mbështetja publike për dënimin me vdekje në përgjithësi ka ardhur duke rënë. Në vitin 1994, ajo ishte rreth 80%, ndërsa sot qëndron në 52%. “Ka rënë ndjeshëm, veçanërisht kur njerëzve u ofrohet si alternativë burgimi i përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht”, tha ai.
Është ende herët të dihet se si do ta presë publiku amerikan idenë e transmetimit drejtpërdrejt të një ekzekutimi. Megjithatë, vlerësohet se miliona njerëz mund ta ndjekin atë.
Sipas Radelet, njoftimi i Hegseth e shndërron arsyetimin për dënimin me vdekje në një formë argëtimi. “Arsyetimi për dënimin me vdekje kthehet në argëtim… sillni kokoshkat dhe ftoni miqtë”, u shpreh ai. Sonya Lea, e cila vitin e kaluar botoi një libër për ekzekutimin e Betheas, tha se ndjeu tmerr për brezat e ardhshëm kur dëgjoi njoftimin për transmetimin drejtpërdrejt të ekzekutimit me pushkatim.
“Ajo që ndodhi në vitin 1936 u quajt një karnaval sadizmi”, tha ajo. “Fakti që sot kemi teknologjinë për ta përhapur këtë skenë shumë më gjerë se 20 mijë njerëzit që u mblodhën në Owensboro të Kentucky-t, e bën gjithçka edhe më të tmerrshme.”
Gjyshërit e autores ishin adoleshentë të sapomartuar mes turmës së vitit 1936. Ajo mësoi për këtë vetëm pas vdekjes së gjyshes, në vitin 2002, kur lexoi rrëfimin që ajo kishte lënë pas. Gjyshja kishte treguar se ndodheshin aq pranë sa mundën të dëgjonin kërcitjen e qafës së Betheas.
Vitet e kërkimeve që pasuan e bindën autoren se shumë banorë të Kentucky-t kishin mbetur të përndjekur nga kujtimi i atij ekzekutimi.
“Me gjithë zemër, besoja se e kishim lënë pas këtë kapitull, këtë nivel grotesk të mizorisë, që sot praktikohet vetëm në pak vende të botës, si Irani, Koreja e Veriut dhe Afganistani”, tha ajo. “A po e konsiderojmë tani veten, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesë të këtij lloj regjimi? Është thjesht e tmerrshme.”
Sipas Kurt Gray, profesor i psikologjisë sociale në Universitetin Shtetëror të Ohajos, polarizimi dhe retorika e politikës amerikane mund të kenë krijuar, në njëfarë mënyre, terrenin për një njoftim të tillë.“Disa amerikanë mund të kërkojnë gjak, por mendoj se shumë të tjerë nuk e duan këtë. Madje, një pjesë e tyre mund të jenë thjesht të pandjeshëm ndaj dhunës”, tha ai.
“Jo domosdoshmërisht po festojnë një ekzekutim publik. Thjesht thonë: ‘Po, mesa duket, këtu kemi arritur’”, shtoi Gray.
Megjithatë, studime të tjera sugjerojnë se Hegseth dhe administrata amerikane mund ta kenë keqinterpretuar qëndrimin e shoqërisë.
Garen Wintemute, drejtor i Programit të Kërkimit për Parandalimin e Dhunës në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, tha se të dhënat nga sondazhet tregojnë një rënie të gatishmërisë së amerikanëve për të mbështetur dhunën.
“Këtë mëngjes, kreu i Konferencës së Peshkopëve Katolikë të SHBA-së e cilësoi barbar njoftimin për transmetimin drejtpërdrejt të ekzekutimit. Dhe mendoj se ai shpreh qëndrimin e shumë njerëzve”, tha ai.“Mendoj se mesazhi është ky: një ekzekutim publik nuk përfaqëson atë që jemi. Nuk është ajo që synojmë të jemi si vend”, shtoi Wintemute.
Nënpresidenti JD Vance, i cili është katolik, ka deklaruar se nuk do ta ndjekë ekzekutimin. Presidenti Donald Trump, nga ana e tij, shmangu përgjigjen nëse do ta ndiqte personalisht transmetimin, por konfirmoi se e kishte miratuar vendimin për ta transmetuar drejtpërdrejt vdekjen e Hasan.
“Nuk më intereson vërtet se si do të vdesë, për sa kohë që vdes”, tha Trump. “Dhe mendoj se dënimi me vdekje është një mënyrë shumë e përshtatshme për të përfunduar jetën e tij.”/BBC









Komente
Komento