Largimi i shpejtë i anglezit pas vrasjes së Ardian Nikulajt, çoi hetuesit tek pronari i hotelit në qendër të Shëngjinit, ku i huaji qëndroi 5 ditë.

“Erdhi i shokuar, më tha do largohem menjëherë, nuk do të vij më në Shqipëri”, dëshmon biznesmeni për klientin e tij që sipas TIMS hyri më 14 prill dhe u largua nga aeroporti i Rinasit mbrëmjen 19 prillit, pak orë pas ngjarjes.

“Më duket pa gjithçka me sytë e tij, kur vranë Ardjanin. Bënte plazh, shëtitje, i pëlqente Shëngjini”, vazhdon dëshmia.

Shtetasi anglez ka lëvizur me dy taksi nga Shëngjini në Fushë-Krujë dhe Fushë-Krujë - Rinas, ku shfaqet në kamerat e aeroportit duke u larguar drejt Anglisë.

Për llogari të hetimit, prokuroria e Lezhës ka kërkuar përmes oficerëve të kontaktit të ndalohet dhe pyetet ky shtetas mbi qëllimin e vizitës 5 ditore në zonën e Shëngjinit dhe largimit të tij të menjëhershëm, pas vrasjes së biznesmenit Ardjan Nikulaj.

Policia duket se nuk ka ndonjë gjurmë të qartë për t’iu afruar vrasësit të Shëngjinit, por Report Tv mëson se në Shkodër u shoqëruan dhe u pyetën disa persona të njohur në opinion si të fortët e zonës. Ka një dëshmi të banakierit për dialektin e paqartë të vrasësit dhe akoma nuk ka ndonjë provë, është apo nuk është autori nga veriu.

Sikurse nga e vetmja kamera sigurie, në rrugën e vjetër Lezhë – Shkodër, pranë pistës së Gjadrit, tregohen imazhet motorit dhe drejtuesit të tij, i cili besohet se është i njëjti person, me atë që qëlloi Ardian Nikulajn  brenda në lokalin e tij.

Sipas pamjeve, motoristi kalon përballë kamerës tre ditë me radhë, nga Gjadri në drejtim të Lezhës. Bëhet fjalët për dt 17, 18 dhe 19 Prill. Ditën e fundit në kthim, ky motor për pak u aksidentua në Balldrenj, me një makinë që vinte nga Shkodra dhe në fshatin Kakarriq humbën të gjitha gjurmët. Nëse është ky autori, besohet që motori mbahej i fshehur në territorin e fushës së aviacionit në Gjadër, për aq kohë sa iu deshën atij, të realizonte planin.

Pista e parë e hetimit, është ajo e konfliktit 26 vjeçar në Balldre, midis dy fiseve Nikulaj dhe Palaj ose ndryshe Lestakaj, kur u vra Pëllumb Nikulaj. Pas tij u vranë në fushë, Lauren dhe Gëzim Lestakaj, pjesëtarë të familjes Palaj. Ishin Elton dhe Klodian Lestakaj aktualisht në Angli, të cilët 7 vite më parë akuzonin Ardian Nikulajn dhe Arben Nikulajn për vrasjen e dy familjarëve të tyre. Së fundi ata u shfaqën me një sms në media, dhe mohojnë të kenë lidhje me atentatin e 19 prillit, ku mbeti i vrarë biznesmeni dhe eksponenti politik 51-vjeçar. Elton dhe Klodian Lestakaj, thonë se nuk kanë dashur asnjëherë të marrin gjak.