LEZHË- Ky është momenti tronditës i vrasjes së biznesmenit dhe politikanit Ardian Nikulaj mesditën e së mërkurës, ngjarje e cila vijon të mbetet pa autor. Sikurse duket në këtë video të plotë të siguruar nga gazetari i Report Tv, Sokol Dema, autori futet qetësisht në lokal dhe qëllon me armë 7 herë Nikulajn e më pas largohet. Report TV ka sfumuar pamjet e renda në momentet e fundit.

Roja që ndodhej në ato momente në lokal ka treguar se kur ka parë autorin, ka menduar se ishte postier. “Ruaju pak…hapu…”. Këto ishin fjalët e vetme, mes vrasësit të maskuar si motorist dhe rojes së lokalit së Ardjan Nikulajn. Por në lokal ndodheshin edhe disa persona të tjerë, pas banakut, të cilët pasi vrasësi hapi zjarr ndaj biznesmenit, u ushtrinë përtokë, ndërsa njëri u fsheh me vrap në një dhomë aty pranë.

Siç shihet në video, Ardian Nikulaj ka marrë një fasoletë në pjesën tjetër të lokalit dhe sapo ulet në tavolinë nxjerr telefonin e bën një telefonatë, ndërsa merr edhe një cigare në dorë nga paketa që la në tavolinë. Lokali në momentin e ekzekutimit të 50-vjeçarit, nuk ka asnjë klient, të paktën në pjesën e brendshme, (përveç stafit dhe rojes).

Pasi ka kryer ekzekutimin, autori rezulton të jetë larguar sërish me motorin e tij me targa të huaja, ku nga këqyrja e kamerave të sigurisë ai ka përshkuar itinerarin e rrugës nacionale nga Shëngjini në drejtim të Lezhës, dhe deri në fshatin Gjadër ku ka humbur dhe gjurmët. Autori ka përshkuar me motor plot 20 kilometra, duke iu shmangur pa u vënë re dhe një pike kontrolli policore që ndodhej në hyrje të Lezhës. Pikërisht në fshatin Gjadër, nuk përftohen më pamje të kamerave të sigurisë, duke e bërë të pamundur zbulimin e mëtejshëm të intenerarit përfundimtar të vrasësit.

Për pistat e hetimit, policia vijon të mbetet e dyzuar, kjo edhe për shkak se viktima kishte një aktivitet të gjerë në biznes, politikë dhe gjakmarrje të vjetër. Nga 7 plumbat e shkrepura nga pistoleta tip “TT” në drejtim të biznesmenit Nikulaj, vetëm 5 prej tyre e kanë kapur në pjesë të ndryshme të trupit, ku plumbi fatal, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ishte ai në pjesën e ballit, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të biznesmenit.