ITALI- Një 30-vjeçar nga Italia është arrestuar ditën e sotme si i akuzuari kryesor për vrasjen e 43-vjeçarit shqiptar, Fatmir Ara. Referuar mediave italiane, që sjellin autopsinë, shqiptari është qëlluar me të paktën 3 të shtëna pushke në fytyrë, teksa nuk dihet nëse i arrestuari e ka vrarë i vetëm apo me bashkëpunëtorë të tjerë. Autori është nga Mathi, bashkëfshatar me Arën, teksa motivet e kësaj ngjarjeje të rendë mbeten ende të paqarta.
Ara ishte sipërmarrës i firmës "Nuova Edile" e regjistruar rregullisht prej vitit 2012, banues në komunën Mathi në provincën e Torinos, Fatmir Ara kishte precedent penalë për trafik droge, i akuzuar në të shkuarën si drejtues i një bande trafikantësh që fitonin mbi 700 mijë euro në vit, por që prej një viti e kishte shlyer dënimin me drejtësinë italiane. Hetuesit kanë përjashtuar pistën e grabitjes pasi 43-vjeçarit shqiptar iu gjetën më vete të gjitha sendet personale.
Fatmir Ara në zonë njihej nga të gjithë si “Miri” , ai u gjet i vdekur më 4 shtator në fshatin San Carlo Canavese pranë Torinos, pasi prej 2 ditësh ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët të tij. Përveç përfshirjes së tij në trafikun e droge , Ara, disa vite më parë (2018) ishte arrestuar dhe i dënuar me tri vite burg. Në atë kohë, ndaj shqiptarit ishin bërë disa denoncime nga bashkëshortja e tij për dhunë, po ashtu dyshohej se mbante armë pa leje. Ara ishte babai i 4 fëmijëve, 2 prej të cilëve nga martesa e tij e parë.