Ekzekutimi i ish-oficerit 'Doda' në Elbasan në 2009, Prokuroria e Elbasanit dërgon për gjykim një prej autorëve

Ekzekutimi i ish-oficerit 'Doda' në Elbasan në 2009, Prokuroria e Elbasanit dërgon për gjykim një prej autorëve

Ish-efektivi i vrarë, Roland Rexhepi ('Doda')

ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim, Donald Hoxhën, një prej autorëve të dyshuar për vrasjen e ish-efektivit të Krimeve, Roland Rexhepi, i njohur si ‘Doda’. Ndaj tij rëndon akuza e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim. Vrasja e ish-policit ‘Doda’ është një ndër ngjarjet e bujshme që ka nisur sagën e tmerrshme të vrasjeve në Elbasan në 2 dekadat e fundit.

"Prokuroria e Elbasanit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Donald Hoxha për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të ish-efektivit të policisë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Donald Hoxha, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.833/3 të vitit 2009, prokuroria arriti në përfundimin se shtetasi në fjalë ka kryer veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/a dhe 25 i Kodit Penal ndaj viktimës R.R. ish-efektiv i policisë i vrarë në vitin 2009. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan vijon hetimet në lidhje me zbulimin dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në lidhje me këtë ngjarje", njofton Prokuroria. 

Për ekzekutimit e ish-efektivit të antidrogës, deri tani janë arrestuar 4 autorë, Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxha. Ndërkohë në kërkim rezulton Gëzim Ballën. Të pestë dyshohet se në bashkëpunim kanë ekzekurtuar ish-oficerin e krimeve. 

Si u vra Roland Rexhepi

Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.

Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.

Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit. Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 10:18

    Nisin kualifikueset e Botërorit, si del Angli-Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

‘Tradhtarë, mosmirënjohës’ / Rama nga Njësia 2 tregon të pathënat kur kandidoi për herë të parë në parti: Mora vetëm 40 vota, dy vite isha ‘black out’

‘Tradhtarë, mosmirënjohës’ / Rama nga Njësia 2 tregon të pathënat kur kandidoi për herë të parë në parti: Mora vetëm 40 vota, dy vite isha ‘black out’