Ekzekutimi mafioz që i mori jetën Sokol Çapjes, në 2005 

Shtatë vjet më parë, qyteti i Elbasanit u trondit nga një vrasje e ndodhur pikërisht më 26 dhjetor 2005, kur u ekzekutua biznesmeni i njohur Sokol Çapja. Kjo vrasje ka lidhje me vrasjen e ndodhur sot po në Elbasan, kur persona ende të paidentifikuar ekzekutuan Gentian Beqiraj. Ky i fundit vitet e fundit kishte ndërruar emrin dhe njihej si Ardian Meta. E ëma e viktimës në një prononcim për tv A1 Report akuzon vëllezërit e Sokol Çapes si të përfshirë në këtë vrasje.

Shqiptarja.com risjell në kujtesë shkrimin e Tirana Observer me titull

Ekzekutohet me 30 plumba biznesmeni Capja
u botua me 27 dhjetor 2005


ELBASAN “ Nuk ka mjaftuar një, apo dy plumba, por 30, të cilët kanë përshkruar trupin e biznesmenit elbasanas. Një ekzekutim mafioz në qendër të qytetit ka marrë jetën e pronarit të hotelit "Univers". Sokol Capja, 35 vjeç, është qëlluar për vdekje mbrëmjen e djeshme në orën 19.15 (26 dhjetor 2005) nga tre persona të armatosur e të maskuar. Sipas burimeve policore, edhe pse Capja ka marrë një numër të madh plumbash ka arritur që të zbresë nga makina që e kishte dërguar në spital dhe të kërkojë ndihmë me zë të lartë. Më pas, ai ka vdekur në sallën e operacionit, pasi ka marrë plagë të rënda në trup.
Ngjarja
Sipas burimeve nga policia e këtij qyteti, viktima në momentin e vrasjes ka qenë i shoqëruar me dy vajzave në lokal "Aquario" pronë e Fatos Ballës. Lokal "Aquario" ndodhet në rrugën "Rinia" 100 m larg universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan dhe pronari Balla ishte një ndër miqtë e vjetër të Sokol Capes. Sipas të dhënave paraprake, mësohet se tre persona me maska janë futur në lokal dhe janë drejtuar drejt tavolinës së 35-vjeçarit duke kërcënuar klientët, kamarierët dhe banakierin që të mos lëvizin, ndryshe rrezikonin me jetën. Sapo janë afruar te tavolina, tre persona kanë derdhur në drejtim të tij dhjetëra plumba të dalë nga një automatik "Skorpions" dhe nga dy pistoleta. Capja e ka kuptuar rrezikun ndaj ka reaguar. Por për t'u siguruar në misionin e ndërmarrë, autorët kanë vazhduar ta qëllojnë edhe kur ai ka dashur të shmanget nëpër lokal. Pasi janë bindur se e kanë ekzekutuar kundërshtarin, tre autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes të ndihmuar nga një automjet, i cili ka qenë me targa të huaja.
Hetimi
Ende nuk dihet se cili ka qenë motivi i vrasjes së biznesmenit Sokol Capja. Ndërkohë, janë ngritur postblloqe në hyrje dhe në dalje të Elbasanit në urën e Kushës, në urën e Lizës, në aksin Elbasan- Cërrik etj. Në aksion për kapjen e autorëve janë angazhuar krerët më të lartë të policisë lokale, si shefi i rendit, shefi i krimeve, shefi i komisariatit dhe drejtori i policisë së qarkut. Policia ka shoqëruar disa persona të dyshimtë. Drejtori i policisë së qarkut, Arben Joco, u shpreh se policia ka reaguar menjëherë pas ngjarjes, duke rrethuar zonën përreth dhe duke vendosur postblloqe në të gjitha rrugët e Elbasanit. Sipas tij, autorët kanë qenë të maskuar me kapuç në kokë dhe të armatosur më një automatik tip "Skorpion". Në vendin e atentatit kanë arritur ekspertët, agjentë të policisë kriminale dhe prokurorë të Prokurorisë Elbasan. Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë gjetur mbi 25 gëzhoja automatiku model "Skorpions" 9 mm dhe gëzhoja pistolete.
Pistat
Prokuroria e Elbasanit menjëherë pas vrasje së biznesmenit ka ngritur pistat e hetimit, të cilat do ta çojnë drejt autorëve të vrasjes. Sipas burimeve nga organi i akuzës bëhet e ditur se një nga pistat kryesore është ajo e hasmërive të vjetra që ka pasur pronari i lokalit "Univers". Por një tjetër mund të jetë ajo e konkurrencës në biznes. Sipas të njëjtave burime, një nga pistat, e cila po hetohet është ajo e konfliktit të interesave. Por gjithashtu, burimet pohojnë që nuk përjashtohet as ajo e marrjes së biznesmenit me trafiqe të paligjshme. Por hetimi përfundimtar do të çojë edhe në gjetjen e autorëve.

Pistat e hetimit
1. Hasmëria e vjetër është një nga pistat e prokurorisë
2. Konkurrenca në biznes përfshihet në hetimin e organit të akuzës
3. Konflikt interesash është pista që po hetojnë hetuesit e prokurorisë
4. Trafiqe të paligjshme dyshohet se mund të ketë qenë motivi

Dëshmitarët
Dy vajzat që shoqëronin biznesmenin Capaj, si dhe banakieri, dy kamarierë të lokalit kanë qenë personat e parë që janë çuar në Komisariatin e Elbasanit për të dëshmuar. Burime nga policia e këtij qytetit bënë të ditur se përveç tyre janë shoqëruar edhe klientët, të cilët ndodheshin në momentin e krimit. Ndërkohë, deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur asnjë person të arrestuar.
Nga Artan LEKA Tiranaobserver
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri